Kronika

Shqipëria, Maqedonia e Veriut mbyllin hapësirën ajrore për avionët rusë

“Hapësira ajrore e Shqipërisë do të jetë e mbyllur prej mbrëmjes së sotme për të gjithë operatorët ajrorë rusë apo çdo avion të regjistruar në Rusi, me përjashtim të fluturimeve emergjente, humanitare, mjekësore apo nevoja ndërshtetërore”, tha Ministrja e Jashtme e Shqipërisë Olta Xhaçka.

Edhe Maqedonia do të ndjekë të njëjtat përjashtime.

Aktualisht nuk ka ndonjë linjë ajrore nga Moska për në Shkup apo anasjelltas, por ndalimi vlen për shfrytëzimin e hapësirës ajrore të Maqedonisë së Veriut për aeroplanët e kompanive ruse.

Tirana zyrtare vendosi ndalimin e udhëtimit në territorin shqiptar për personat e listuar nga BE, si dhe po shqyrton anulimin e politikave lehtësuese për lëvizjen e diplomatëve, zyrtarëve të tjerë rusë dhe njerëzit e biznesit, bëri të ditur zonja Xhaçka.

Shqipëria njoftoi edhe për masa të tjera shtrënguese kundër Rusisë.

Ministrja Xhaçka, deklaroi të dielën në mbrëmje se Shqipëria do të zbatojë kufizime për 654 individë dhe 52 subjekte për ngrirjen e aseteve të individëve nga Presidentit rus, Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Federatës Ruse, dhe anëtarët e Dumës Shtetërore Ruse, pas vendimeve që ata morën lidhur me njohjen e menjëhershme nga ana e Rusisë të dy zonave të kontrolluara joqeveritare të Donjeckut dhe Luhanskut si entitete të pavarura.

Zonja Xhaçka tha se Shqipëria gjithashtu nuk do të marrë më pjesë në asnjë përballje sportive me Federatën Ruse deri në dhënien fund të pushtimit të Ukrainës.

Shqipëria dhe Rusia janë në të njëjtin grup për ndeshjet e Ligës së Kombeve dhe kishin të planifikuar një ndeshje mes tyre në Moskë më 2 qershor. UEFA kishte njoftuar më herët se ndeshjet me Rusinë do të luheshin në fusha asnjanëse.

“Shqipëria do të ndalojë shitjen, furnizimin, transferimin ose eksportin në Rusi të mallrave dhe teknologjive specifike për rafinimin e naftës, në industrinë e aviacionit dhe hapësirës, do të vendosë kufizime për eksportet e mallrave dhe teknologjisë me përdorim të dyfishtë, në eksportet e mallrave dhe teknologjisë, të cilat mund të kontribuojnë në përmirësimin teknologjik të Rusisë në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë” – theksoi ministrja e punëve të jashtme të Shqipërisë.

Zonja Xhaçka shtoi se Shqipëria po ofron Ukrainës ndihmën e vet me materiale ushtarake dhe spitalore.

“Shqipëria do të vazhdojë të bashkohet me çdo nismë e masë të aleatëve e partnerëve tanë. Ky është një detyrim, që çdo vend demokratik ka sot ndaj Ukrainës dhe ndaj shoqërive e popujve tanë dhe të ardhmes së fëmijëve tanë” – shtoi ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

Ndërkohë, autoritetet maqedonase po bëjnë përpjekje për evakuimin e shtetasve të tyre nga Ukraina. Qeveria maqedonase po bashkëpunon me qeveritë bullgare, rumune, hungareze dhe atë të Moldavisë. Autoritetet në Shkup u bëjnë thirrje shtetasve të tyre që të drejtohen për në Odesa, tek konsullata bullgare dhe për në konsullatat në perëndim të Ukrainës ku ende funksionojnë korridoret e evakuimit.

Vlerësohet se rreth 100 shtetas të Maqedonisë së Veriut, përfshirë diplomatë, familjet e tyre dhe vëzhgues të Misionit të OSBE-së, ndodheshin në Ukrainë para fillimit të agresionit rus.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button