Kronika

Beqaj: Të reformohet kujdesi shëndetësor parësor

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj mori pjesë sot, në takimin e organizuar për prezantimin e raportit përfundimtar të gjetjeve të Studimit Kërkimor “Monitorimi i shërbimit të kujdesit shëndetësor parësor në Shqipëri”, të kryer nga Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme dhe për Demokraci të Qëndrueshme, me mbështetjen e AssistImpact dhe USAID Albania.

sistemi-shendetsor-3Foto-ANë takimi ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Donald Lu. Ambasadori Lu theksoi rolin jetik që luajnë organizatat e shoqërisë civile në monitorimin e punës së qeverisë, dhe rëndësinë që ka informacioni dhe analiza për qytetarët shqiptarë, që të kërkojnë shërbimet e duhura nga qeveria e tyre.

Nga ana e tij, Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj gjatë fjalës së tij, u ndal tek rëndësia e studimit kërkimor për kujdesin shëndetësor parësor. “Unë besoj se ajo që kemi sot është një dokument i vyer sepse së pari është realizuar në mënyrë profesionale dhe krejt të paanshme. Së dyti, sepse na vjen në ndihmë në një kohë shumë të përshtatshme. Sistemi shëndetësor parësor do të duhet të reformohet dhe t’i përshtatet reformës së re territoriale, e cila do të fillojë të zbatohet në zgjedhjet e qershorit të pushtetit vendor”, u shpreh Beqaj.

sistemi shendetsor  (6)Foto ABeqaj u ndal edhe tek një problematikë, që sipas tij, kërkon zgjidhje. Ai foli për efikasitetin e sigurimeve shëndetësore, sepse pas 20 vitesh që po zbatohet ky lloj sistemi, praktikisht gjysma e popullsisë në moshë punë është e pasiguruar dhe për pasojë nuk përfiton nga sistemi i sigurimit shëndetësor. Por edhe ata që kanë sigurimet praktikisht përfitojnë shumë pak prej tyre, pasi kemi një sistem burokratik”, nënvizoi ai.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë u ndal në rëndësinë e sigurimeve shëndetësore. “Pjesa e sigurimeve shëndetësore është e rëndësishme për ne që qeverisim. Ne jemi angazhuar që brenda këtij programi të kalojmë në mbulimin universal nëpërmjet taksimit të përgjithshëm. Pra, çdo njeri që jeton dhe është rezident në Shqipëri dhe paguan taksa konsumi do të përfitojë të njëjtin kujdes shëndetësor pa pagesë”.

Nga ana tjetër, Beqaj tha se “për të shkuar sa më pranë qytetarit kemi filluar nga zbatimi i programit të Kontrollit Bazë Shëndetësor”. Kjo funksionon në të gjitha qendrat e Tiranës dhe në 100 qendra shëndetësore të tjera. Sipas Beqaj, e rëndësishme është të parandalojmë dhe të diagnostikojmë sëmundje, sesa të kurohen dhe kjo bëhet nëpërmjet shërbimit parësor. Kjo, sipas tij, kërkon më shumë pajisje dhe sa më shumë dije nga personeli shëndetësor.

sistemi shendetsor  (2)Foto ANdër të tjera, Beqaj ka përmendur edhe fillimin e një vlerësimi të plotë të Shërbimit Parësor në qarkun e Fierit dhe Dibrës. “Investime të tjera do të ketë në Gjirokastër, Korçë, Tiranë. Në 1 prill do të dalë lista e re e rimbursimit për 2015, dhe recetat e rimbursimit do të jenë dy-mujore, por zbatimi i plotë i shëndetësisë elektronike do të bëjë që mjekët të kenë më shumë kohë në dispozicion. Do të duhet t’i japim mundësi mjekëve të mund të rrisin dhe dijet e tyre”, tha Beqaj.

Ai shtoi se, është menduar për një platformë të re online për të ofruar edukimin e vazhdueshëm, në mënyrë që shumë nga mjekët e parësorit ta shfrytëzojnë këtë platformë, që të kemi mundësi t’i japim mjekëve instrumentin e nevojshëm. “USAID po na mbështet në hapat e parë në ngritjen e Shërbimit Kombëtar të Urgjencës”, përfundoi Beqaj.

Studimi përmban të dhëna të rëndësishme në lidhje me funksionimin e qendrave të kujdesit parësor shëndetësor, analizë në lidhje me pikat e dobëta e të forta të sistemit parësor shëndetësor në Shqipëri dhe rekomandime për Ministrinë e Shëndetësisë, vetë qendrat shëndetësore, Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) si dhe organizatat e shoqërisë civile shqiptare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button