Ekonomia

Ç’është Artikulli 50 dhe stuhia që sapo filloi

The Economist

Britania votoi për Brexit. Çfarë ndodh tani? Asgjë e menjëhershme, është përgjigja për qytetarët e BE-së që jetojnë në Britani dhe për britanikët që jetojnë në vendet e BE-së, por edhe për bizneset në të dyja anët e Kanalit. Gjithçka do të varet nga negociatat që mund të marrin vite – dhe askush nuk është i sigurtë sesa vite, sepse i vetmi precedent është Groenlanda me një popullsi rreth 50 mijë sot, që votoi pro largimit në vitin 1982. Synimi i parë i Devid Kameronit, do jetë të qetësojë tregjet. Porn ë Azi reaguan ndërkaq ndaj lajmit. Paundi u zhyt me 9% kundrejt dollarit amerikan dhe deri në 13% ndaj jenit, tradicionalisht një “oaz i qetë” për investitorë të stresuar. Bursa kryesore e Japonisë ra me gati 8%. Bursa e Londrës i dha shenjat gjithashtu. Disa ekspertë paralajmërojnë se stërlina mund të humbasë deri 20% të vlerës. Kancelari i Thesarit Xhorxh Osborn, tani duhet të marrë vendim nëse do miratojë një “buxhet emergjence Brexit”, ashtu siç premtoi para referendumit duke shkaktuar mjaft debate.

Kameron ka premtuar se Britania do t’i referohet menjëherë artikullit 50 të Traktatit të Lisbonës, i cili përcakton një kalendar 2 vjeçar bisedimesh për t’u marrë vesh mbi termat e largimit nga BE. Por pasiguria për vetë postin e tij ngre pikëpyetje të reja. Nëse ai largohet dhe një mbështetës i Brexit merr drejtimin e partisë konservatore dhe qeverisë, ai ose ajo me gjasë do pretendojë se Artikulli 50 është ndërtuar kundër interesave të një vendi që kërkon largimin nga BE. Nën këtë artikull, termat e largimit të Britanisë duhet të miratohen nga 27 vendet e tjera anëtare, pa një votë britanikë. Ndaj “Brexit-sat” do preferonin të negocionin në mënyrë informale, pa iu referuar Artikullit 50. Dhe 27 vendet anëtare të BE-së zor se do t’i shkojnë kësaj ane.

Lloji i marrëveshjes së daljes që mund të ofrohet, është një çështje më afatgjatë, ku asnjë opsion nuk është shumë bindës. Zgjidhja e parë do ishte që Britania të bëhej si Norvegjia, që është anëtare e Zonës Ekonomike Europiane, EEA, për çka në këmbim detyrohet të kontribuojë në buxhetin e BE-së dhe të lejojë levizjen e lirë të njerëzve. Varianti i dytë është një dalje totale, duke treguar me BE-së sipas rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë, si SHBA, Kina e çdo vend tjetër. Shumë ekonomistë janë dakord se kjo do ta dëmtonte shumë ekonominë britanike.

Do të jetë e vështirë edhe për vetë Kameronin të vazhdojë, Edhe pse ai mund të rrijë si kryeministër gjatë verës, për të zbutur tranzicionin drejt një udhëheqësi të ri konservator. Kandidatët për këtë post po ngrohin motorët: Boris Xhonson, ish kryebashkiaku i Londrës, triumfues nga fitorja e largimit; kancelari i Thesarit Osborn, që ndoshta është mjaft i dëmtuar nga afrimiteti i tij me palën pro qëndrimit; dhe kandidatë kompromisi si Teresa Mei, sekretarja e Brendshme, e cila gati nuk u shfaq gjatë fushatës. Udhëheqësi i ardhshëm duhet të përballet me një parti thelëlsisht të përçarë dhe një parlament ku anëtarët në shumicë mbështesin qëndrimin, dhe një pakicë që mund të kërkojë të bllokojë shkëputjen e plotë ekonomike nga BE. Kameroni shpresonte se ky referendum do t’i vinte kapak njëherë e mirë çështjes “Europë” brenda partisë konservatore. Por ajo që arriti, është një stuhi që sapo ka filluar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button