Ekonomia

Investimet e huaja në Shqipëri bien në 3-mujorin e fundit

Pas disa tremujorësh me rritje, investimet e huaja direkte ranë me 9.5 për qind në tremujorin e tretë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të dhënat e reja nga Banka e  Shqipërisë tregojnë se për periudhën korrik-shtator, kompanitë e huaja investuan në Shqipëri 232.1 milionë euro nga 256.5 milionë që kishin investuar në tremujorin e tretë të vitit të kaluar.

Por me gjithë rënien në tremujorin e tretë, në total si nëntëmujor, investimet e huaja direkte këtë vit janë gati 100 milionë euro më të larta se një vit më parë, për shkak të ecurisë pozitive në tremujorin e parë dhe të dytë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, për periudhën janar-shtator, bizneset e huaja kanë investuar në Shqipëri 721.6 milionë euro nga 623.6 milionë që ishin për 9-mujorin e vitit të kaluar.

Analizat e detajuara të Bankës së Shqipërisë në bilancin e pagesave tregojnë se edhe në tremujorin e tretë të vitit sektori që ka thithur më shumë investime nga jashtë është ai i energjetikës me 61 për qind të totalit, ndërsa në vendin e dytë vijnë hidrokarburet me rreth 21 për qind.

Vitet e fundit investimet e huaja direkte në Shqipëri janë luhatur nga 800 deri në 900 milionë euro në vit. Ndërsa stoku shumëvjeccar i tyre, pra vlera e aseteve të zotëruara nga kompanitë e huaja në ekonominë shqiptare është reth 4,5 miliardë euro. Të dhënat e detajuara zbulojnë se pavarësisht krizës së thellë që po kalon, Greqia mbetet ende investitori më i madh në Shqipëri me mbi 1.1 miliardë euro ose gati 25% e totalit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button