Ekonomia

Projektligji “Për arbitrazhin”, Karameto: Ndikim pozitiv veçanërisht për investitorët e huaj

Komisioni parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi sot pr/ligjin “Për arbitrazhin në Republikën e Shqipërisë”, përmes së cilit synohet përmirësimi i procedurave të gjykimit dhe rritja e efikasitetit në trajtimin e konflikteve, duke ofruar zgjidhje më të shpejtë të problemeve të krijuara, më efektive dhe më pak të kushtueshme, për të garantuar respektimin e të drejtave dhe lirive themelore, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare në këtë fushë.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Klajd Karameta tha se përcaktimi i rregullave kombëtare për zhvillimin e arbitrazhit është vlerësuar si një nga prioritet e qeverisë.

“Kjo nismë për miratimin e një ligji të ri që rregullon arbitrazhin në Shqipëri, vlerësohet pozitive dhe çmohet të sjellë impakt pozitiv për grupet e interesit, veçanërisht investitorët e huaj në vend. Përfitimet e drejtpërdrejta që kanë grupet e interesit lidhen me neutralitetin e arbitrazhit që u mundëson palëve të zgjidhin përmes arbitrazhit  mosmarrëveshjet e karakterit tregtar ndërkombëtar, edhe pse vijnë nga vende të ndryshme në bazë të autonomisë së vullnetit të tyre”, tha ai.

Ndërmarrja e nismës për hartimin e projektligjit “Për arbitrazhin në Republikën e Shqipërisë” u jep mundësi palëve që për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që kanë lindur ose që mund të lindin në të ardhmen të mos i drejtohen vetëm gjykatës, si mënyra e vetme për zgjidhjen e tyre, por të kenë mundësi për të pasur dhe metoda të tjera alternative për zgjidhjen e konflikteve.

Karameto vuri në dukje se arsyet se përse palët mund të zgjedhin arbitrazhin janë nga më të ndryshmet, ndër të cilat, arbitrazhi i jep mundësi palëve që të zgjedhin persona me njohuri të specializuara për të gjykuar mosmarrëveshjet e tyre.

Vendimet e arbitrazhit janë të zbatueshme njëlloj si vendimet e gjykatës.

Konventa e New York-ut garanton njohjen dhe zbatimin forcërisht të vendimit, nëpërmjet një autorizimi të dhënë nga një gjykatë e shtetit, ku pala humbëse ka selinë. Kjo e bën arbitrazhin tregtar ndërkombëtar të favorshëm ndaj komunitetit ndërkombëtar të biznesit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button