Kosova

Nishani dekreton Komandantin e Forcave Ajrore

Presidenti Bujar Nishani priti sot në një takim Komandantin e ri të Forcave Ajrore të Republikës së Shqipërisë, Gjeneral Brigade Vladimir Avdiaj,  të cilit i dorëzoi dekretin e emërimit në detyrë. Të pranishëm ishin Gjeneral Major Jeronim Bazo, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura si dhe pjesëtarë të kabinetit të Presidentit të Republikës. Presidenti Nishani fillimisht uroi Gjeneral Brigade Avdiaj për marrjen e detyrës së lartë duke shprehur vlerësimin dhe besimin e tij për kryerjen me sukses të kësaj detyre.

Në vijim, përgjatë takimit të zhvilluar, Kreu i Shtetit vlerësoi maksimalisht arritjet, por dhe sakrificat e gjithë pjesëtarëve të Forcave të Armatosura, duke u ndalur tek kontributet e forcave ajrore në funksion të arritjes së sigurisë në vend përgjatë dy dekadave të fundit. Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës vlerësoi në mënyrë të veçantë arritjen madhore të vendit, anëtarësimin në NATO, si një nga sukseset kulmore të Shqipërisë, duke theksuar se qenia vend anëtar i NATO-s sjell në vijimësi nevojën për rritjen e standardeve të Forcave të Armatosura për t’u përballur me sukses jo vetëm me sfidat e brendshme, por dhe me ato në nivel global.

Presidenti Nishani theksoi se në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, Shtabin e Përgjithshëm do të vijojë të ketë në qendër të vëmendjes vlerësimin dhe mbështetjen pa rezerva ndaj Forcave të Armatosura duke theksuar angazhimin e Tij për të adresuar sfidat me të cilat ballafaqohen sot ato. Njëkohësisht, në vlerësimin e Kreut të Shtetit mbetet e nevojshme që këto sfida të adresohen me buxhetin e nevojshëm në mënyrë që të arrihen dhe forcohen standardet e arritura, si dhe të ballafaqohen me sukses ato që shfaqen në vijimësi, qoftë në rrafshin civil apo dhe atë ushtarak duke nënvizuar faktin se siguria mbetet gjithnjë e kërcënuar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button