Kosova

Arkeologët zbulojnë themelet e një pallati rezidencial në Dersnik

Themelet e një pallati rezidencial, i cili daton në shekullin e I para erës sonë janë zbuluar ditët e funbdit nga arkeologët në fshatin Dersnik të Komunës së Klinës, në Kosovë.

Zbulimi i kësaj vendndodhje arkeologjike është bërë në vitin 2012, ndërsa punimet po vazhdojnë sot edhe më tej, me qëllim që kjo vendndodhje të shndërrohet në pikë turistike për vizitorë vendorë e të huaj.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, i cili ka ndjekur nga afër zbulimet e reja nga gërmimet arkeologjike në Dersnik, tha se “është e rëndësishme që puna të jetë sistematike, në mënyrë që të zbulohet e tërë sipërfaqja e kësaj vendndodhje arkeologjike”.

Sipas tij, qeveria e Kosovës e ka prioritet trashëgiminë, përmes së cilës mund të arrihet edhe deri tek shtresa e parë e identitetit të Kosovës.

Interesimi më i madh i qeverisë për këtë pjesë, sipas Shalës, duhet të dëshmohet me një ndihmë më të madhe financiare, në mënyrë që të krijohen mundësi më të mira për punë.

Zbulimi i kësaj vendndodhje është bërë në vitin 2012, kur edhe kishin filluar gërmimet për gjetjet arkeologjike.

Drejtori i Instituti Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha tha për KosovaPress se “fillimisht kanë punuar me shumë pak mjete, për të hartuar pastaj një projekt, i cili në vitin 2016 ka arritur vlerën 100 mijë euro”.mkrs-140716

Ai bëri të ditur se për gërmimet e kësaj pjese janë angazhuar edhe ekspertë nga vendet evropiane, për t’i bërë reprezentative hulumtimet, siç është rasti me rezidencën, mozaikët dhe stelat.

Gjetjet nga gërmimet, sipas Rexhës, datojnë që nga shekulli I para erës sonë deri në shekullin V-VI.

Arkeologu Masar Valla thotë për KosovaPress se “Dersniku është një ndër lokalitet më të rëndësishme në Dardaninë antike. Gërmimet kanë filluar në vitin 2012 po vazhdojnë edhe më tej. Zbulimet janë të jashtëzakonshme, kemi gjetur themelet e një pallati rezidencial, i cili në vete në përbërje ka gjashtë hapësira, të gjitha hapësirat janë me mozaikë, me motive gjeometrike dhe shumëngjyrëshe”.

Sipas tij, këto zbulime arkeologjike japin mundësinë që ky vend të kthehet në pikë turistike.

Së shpejti pritet që të krijohet një guidë të cilën do të mund ta shfrytëzojnë vizitorët, ku do të ilustrohen me fotografi të gjitha zbulimet e kësaj vendndodhje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button