Opinion

Zvarritjet e hetimeve, mangësi e madhe e SPAK-ut

Nga PETRO DHIMITRI

Për reformën në drejtësi janë thënë shumë fjalë lavdëruese dhe jo më kot. Për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar drejtësia guxoi të vërë nën hetim ish presidentë, ish kryeministra, ish  zëvendëskryeministrin si dhe disa ministra. Me këtë veprim ajo i tregoi popullit se KOHA E PANDËSHKUESHMËRISË  KA PERËNDUAR. Ky hop i madh është përkrahur nga i gjithë populli, përveç atyre politikanëve që kanë frikë se do të bëhen objekt i hetimeve të drejtësisë së re. Po tjetër gjë është nisja e proceseve hetimore dhe tjetër janë përfundimet e atyre hetimeve dhe nxjerrja e të akuzuarve para drejtësisë. Vetëm para trupit gjykues të akuzuarit kanë për të mbrojtur pafajësinë e tyre, po qenë të tillë ose kanë për të marrë dënimin e merituar. Pra, drejtësia vepron me dy faza: e para hetimi, e dyta gjykimi. Respektimi i afateve kohore për secilën fazë ka rëndësi të jashtëzakonshme për cilindo proces. Edhe për popullin që me durim po pret.

            Për fillimin e hetimeve ndaj të paprekshmëve, SPAK  meriton lavdërime sepse  nuk u tut  ndaj kujtdo të korruptuari. Është një kthesë historike për Shqipërinë. Ama përfundimin e hetimeve brenda afateve kohore normale, sipas normave të drejtësisë, ka zvarritje të pajustifikuara. 13 vjet zvarritje e pafalshme nga drejtësia e ”vjetër” për 21 janarin! Kur tani populli po pret që drejtësia e re ta thotë me guxim dhe pa vonesë fjalën e saj, ajo nuk po pipëtin. Po marr si shembull procesin e dosjes së 21 Janarit. Populli e di mirë se  gjykatësit e Berishës e kthyen atë proces në një farsë tragji-komike. Populli nuk mund të pranojë që, edhe pas disa muajsh që Gjykata e të Drejtave të Njeriut e Strasburgut 21 janarin e cilësoi si VRASJE NGA SHTETI, SPAKU ende hesht 100 përqint, thua  sikur ai vendim i gjykatës eprore evropiane ka rënë në vesh të shurdhët?! Në vendimin e saj ajo gjykatë tregonte se  ishte po shteti shqiptar që kishte prishur provat dhe denigruar atë proces. Ç’ndihmë tjetër konkrete kërkon SPAK-u për të rihapur hetimin veç ekspertizës më se të kualifikuar të juristëve të Strasburgut?  Nuk është  puna se kush qëlloi, cila pistoletë u dëmtua ose cila gëzhojë u deformua, sepse ato dihen. ”Enigma” që duhet zgjidhur është : KUSH DHA URDHËR PËR TË QËLLUAR MBI POPULLIN E PAARMATOSUR? Dihet që kush e ka atë kompetencë. 1. Presidenti i Republikës,2. Kryeminmistri,3. Ministri i Punëve të Brëndshme,4. Komandati i Gardës së Republikës dhe 5. Shefi i policisë së Tiranës ( në rast se do të kishte qëlluar policia). E domosdoshme është për t’u pyetur dhe ish Prokurorja e Përgjithshme për veprimet ose mosveprimet e saja. Ku qëndron vështirësia në këtë mes? Kaq të pamundur e paskan prokurorët e SPAK-ut për të pyetur 4-5 njerëz për të gjetur më në fund, pas 13 vitesh pa shpresë, se kush dha urdhër për të qëlluar?!   Ka ardhur koha që ai kriminel, kushdo qoftë, duhet dënuar. Pa hetuar dhe gjykuar vrasjet shtetërore të 21 Janarit të kobshëm, nuk mund t’i thurim lavde SPAK-ut për këtë ose atë proces që fund e krye lidhet me vjedhjet e mashtrimet e njerëzve të majës së piramidës. Jo se ato janë të parëndësishme. Jo. Ama rëndësia e një vjedhjeve, qoftë e përmasave të mëdha, nuk mund të krahasohet me marrjen e jetës së 4 njerëzve të pafajshëm në mes të ditës dhe ne mes të bulevardit ”Dëshmorët e Kombit”.
        MEGJITHATË SPAK VAZHDON TË HESHTË. PO DERI KUR DO TË PRESIN  FAMILJET E TË VRARËVE  PËR T’U GJYKUAR VRASËSIT E DJEMVE TË TYRE?!
         Edhe për dosjet e tjera të nxehta, siç quhen, SPAK po vepron tejet ngadalë thua se  kanë mungesë faktesh e provash. Përse duhet mbi 3 vjet të hetohet afera e privatizimit të Kompleksit ”Partizani”, kur faktet janë kokëforte si e zeza mbi të bardhë? Të gjithë e dinë se ish pronarët, përmes mashtrimit dhe dokumenteve të falsifikuara, i vodhën shtetit 26000 m2. truall. Ishte një truall që italianët ua kishin paguar një herë pronarëve. Po edhe sikur të marrim variantin që italianët ua kishin vjedhur ato toka tiranasve, si ka mundësi që me 133 m2 që i takonin Jamarbër Malltezit, ai u bë pronar 30-40 përqind i 17 pallateve shumëkatëshe?! Pse shteti nga blerje me para e ktheu në blerje me bono thesari objektin që do të privatizohej? Sa u rehatua mirë dhëndëri i Berishës, Kryeministria e anuloi vendimin e mëparshëm. Blerjet do të bëheshin jo me bono, po me para. Sa kohë u dashka për të përfunduar ky hetim që nuk është me hamendësime po me fakte e prova konkrete dhe me dëshmitarë që kanë folur hapur?  Është e padrejtë të mbash njerëzit kaq gjatë në arrest, qoftë shtëpiak, po qe se nuk ke pasur provat e duhura për t’u vënë prangat.
            Edhe për dosjen  CEZ-DIA  që është hetuar një herë,( është dënuar dhe përfundoi dënimin Kastriot Ismailaj, i akuzuari kryesor,) përsëri zvarritje për në Shën Ndre, siç thotë populli. Po kështu për lobimin e Metës në Washington faktet janë po ato. Nuk e kuptoj ç’pret tjetër të zbulojë SPAK-u?! Të sakta janë dhe shpenzimet e padeklaruara për shërbimet estetike të zonjës Kryemadhi. E plotëson malin e fakteve, që nuk janë si ekuacionet me shumë të panjohura, vila madhështore me 11 banja në Lalëz. Në jetë të jetëve ajo nuk mund të ndërtohej  me të ardhurat nga rroga që kishin çifti Meta. Kur drejtësia , (sipas opinionit të popullit dhe mediave) ka tërë këto prova dhe fakte uluritëse ,pse duhet këta njerëz të mos gjykohen? Pse nuk po u jepet e drejta kushtetuese të ballafaqojnë provat e tyre para trupit gjykues? Pse po lihen kaq gjatë të fyhen e poshtërohen në shtyp e portale si çifti më i korruptuar i Shqipërisë? Në qoftë se janë fajtorë, nuk ka arsye  të marrin poza patriotike në mbrojtje të idealeve të demokracisë?! Po nëse dalin të pafajshëm, si do të mund t’u kërkojmë të falur atyre?!
              Vetëm hetimi për ish zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj, kam bindjen se u krye me korrektësi dhe brenda afateve kohore normale. Edhe për atë hetim, kur po mendohej që ta arrestonin, hyri në lojë dekonspirimi brenda SPAK-ut. U njoftua për vendimin ose mendimin se mund t’i viheshin prangat, dhe ai u arratis. Doli sheshit se në radhët e SPAK-ut ka elementë që minojnë punën e institucionit, duke dekonspiruar ose edhe mbase duke i tejzvarritur hetimet. Pra, SPAK vuan po nga sëmundja e pjesës tjetër të drejtësisë sonë, që ka mbajtur në sirtar për vite të tëra dosje ulëritëse. Po më kujtohet maratona e çështjes  së vulës së PD-së. E kishte me gjykatë Basha. Gjyqtari Agron Zhukri më 25 mars 1922 ia kaloi Rithemelimit të Berishës, i nisur nga mendimi se përfaqësojnë grupimin më të madh, edhe pse të gjitha veprimet i kishin bërë sipas rregullave të statutit të PD-së?! Ky vendim nga PD-ja zyrtare u çua në Gjykatën e  Apelit. Në vend që ajo gjykatë të vendoste, se ishte në kompetencën e saj, e ktheu për gjykim në shkallën e parë?! Nisi kështu për turp të drejtësisë Odisea e vulës nga e para?! I bukur vendim?!  Alibeaj  u ankua në Gjykatën e Lartë. Çështja do të shqyrtohet në atë Gjykatë në 27 dhjetor 2024. I thonë  33 muaj për t’u zgjidhur nga drejtësia jonë ”KOMPETENTE” një çështje që nuk kërkon  hetime shteruese, po vetëm interpretim të ligjit?! Edhe breshkat mendoj e kanë hapin pak më të shpejtë nga gjykatat tona. Edhe ato, do ta kishin  zgjidhur këtë rebus enigmatik, brenda një muaji… Do ta ndanin shapin nga sheqeri duke ia dhënë palës që meriton vulën dhe logon.
                 Ambasadorja Juri Kim, disa muaj para largimit, edhe pse fuqimisht e inkurajonte dhe mbështeste SPAK-un, pati thënë se  juristët e SPAK-t janë të trembur ose të blerë. Për të trembur duhet të themi se ata tani janë nën mbrojtje. Nuk besohet se mund të vazhdojnë të jenë të trembur. Sa për të blerë, edhe mund të mos jenë. Ata paguhen shumë mirë. Ngurrimi  dhe zvarritjet e tyre lidhen direkt jo aq me paaftësinë profesionale sa me simpatitë  e prokurorëve për këtë ose atë parti, për këtë ose atë politikan. Në Shqipëri është shumë vështirë, për të mos thënë  e pamundur, të gjesh njerëz, qofshin juristë, filozofë, gazetarë, mjekë, profesorë, mësues, specialistë, etj. të mos anojnë djathtas ose majtas .Ata pak shqiptarë që janë të paanshëm  duken si qiellorë…
                    Kjo është arsyeja që populli ka për të duruar kushedi edhe sa kohë  të përfundojnë hetimet  disavjeçare për të pandëshkueshmit që kanë rënë në rrjetën e drejtësisë, po që akoma nuk po i nxjerrin jashtë saj për t’ia numëruar të gjitha luspat një e nga një.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button