Ekonomia

AMF: Po monitorojmë situatën; Bonus – Malus, gati sapo të miratohet ligji

Zgjidhja e të ashtuquajturit “problem i TPL”, sipas ekspertëve është relativisht e thjeshtë. Kërkohet vullnet politik në zbatimin e ligjeve, konkurrencë e lirë, dëmshpërblim në kohën dhe vlerën e duhur, kontroll nga AMF, si organ i caktuar nga ligji. Pjesa tjetër, sipas ekspertëve, janë çështjet teknike (si llogaritja e primit apo Bonus-Malus). Ata thonë se rasti i fundit, kur shoqëritë e sigurimit nuk e pyesin AMF-në dhe nuk zbatojnë një urdhër të saj përbën një kulm në një marrëdhënie, ku shteti është i “pafuqishëm” ndaj “biznesit”‎. Sipas tyre, argumentimi se një nga shkaqet e rritjes së tarifave erdhi për shkak të rritjes së taksës nuk qëndron, pasi ajo u vendos kur u hoq TVSH-ja

Nga Elona Bedalli

Në datë 24 gusht, tarifat e sigurimit të detyrueshëm TPL u rritën me rreth 25% në krahasim me ato të zbatuara deri në muajin korrik të këtij viti. Një lëvizje e pritshme? Ndoshta. Shoqëritë e sigurimit kishin qëndruar ‘urtë’ dhe nuk kishin reaguar pas rritjes së taksës kombëtare për sigurimet që në janar të këtij viti u rrit me 7% (nga 3% u bë 10%). Në një intervistë për “Monitor”, drejtoresha e përgjithshme ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare pati argumentuar se: “Për sa i takon ndikimit, që taksa e rritur në 10% mund të ketë në çmimet e sigurimit, kjo do të varet tërësisht nga politika që ndjek secila shoqëri sigurimi nëse taksa e re pasqyrohet në çmimin e sigurimit. Përgjithësisht, në ekonominë shqiptare, ndryshimet në rritje të ngarkesës fiskale kanë tentuar të përfshihen të plota në çmimet e produkteve dhe të shërbimeve, pra t’i ngarkohen konsumatorit. Përjashtim nga ky rregull i përgjithshëm veprimi nuk bëjnë as produktet financiare, dhe konkretisht të sigurimeve”.
E në fakt, rritja e taksës ishte një nga argumentet që shoqëritë e sigurimeve përdorën për të paraqitur si të domosdoshme ndryshimet e tarifave. Argumente të tjera kishin të bënin me rritjen e shpenzimeve, shtimin e numrit të aksidenteve etj.
Por, shoqëritë nuk e kishin njoftuar mbikëqyrësin për këtë lëvizje të beftë, sikundër është detyrimi.
Në njoftimin për shtyp, AMF u shpreh se: “Tarifat e sigurimit të detyrueshëm janë të liberalizuara, duke i dhënë të drejtën shoqërive të sigurimit t’i përcaktojnë vetë ato, sipas kushteve të tregut. Bazuar në kuadrin ligjor e rregullativ, AMF nuk miraton çmimet e sigurimit, por miraton rregullat për përcaktimin e kushteve të përgjithshme të sigurimit të detyrueshëm, si dhe nivelin e provigjoneve teknike, që përfaqësojnë përgjegjësitë aktuale dhe të pritshme që rrjedhin nga kontratat e sigurimit”.
Madje mbikëqyrësi bëri edhe një përllogaritje sipas së cilës rritja mesatare e primit të sigurimit për kategoritë e automjeteve (duke konsideruar edhe taksën mbi primin e shkruar ishte në vlerën 20%).
Megjithatë nuk kaloi shumë dhe AMF i nisi një letër secilës prej shoqërive që operon në tregun e Jo-Jetës duke i kërkuar që të riktheheshin te tarifat e vjetra, duke qenë se nuk kishin depozituar përllogaritjet aktuariale që do të justifikonin motivet e ndryshimit të çmimeve.
Ligjërisht kompanitë duhet t’i ishin bindur menjëherë urdhrit të AMF-së, por kjo nuk ndodhi dhe policat e sigurimit të detyrueshëm u shitën në bazë të tarifave të reja.
Nga ana tjetër, edhe Autoriteti i Konkurrencës është duke monitoruar tregun dhe në bazë të informacionit që do të mbledhë Komisioni do të vendosë nëse do të fillojë apo jo procesi i hetimit.
Për të gjithë aktorët, kjo nuk është gjë tjetër veçse një “deja vu” që përsëritet shpesh, të paktën që nga viti 2011, kur ndodhi liberalizimi i tregut. Problematika është po ajo, sjellja e aktorëve gati–gati e njëjtë, tarifa që vendosen ‘on block’, ndarje tregu, vendime gjykatash që hedhin poshtë penalitetet etj.
Zbatimi i sistemit Bonus–Malus (vendosja e vlerës së sigurimit të lidhur me cilësinë e shoferin dhe aksidentet e ndodhura) do të ishte zgjidhja e vetme që tregu më në fund të ishte efikas, konkurrues dhe në shërbim të konsumatorit, i cili, duke qenë në fund të zinxhirit, duhet të mbartë gjithmonë kostot.

Reagimi i AMF
Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), ndër faktorët përcaktues të çmimit të sigurimit të detyrueshëm motorik janë: ndryshimi i primit të rrezikut, shpenzimet e ndërmarra për pagesën e dëmeve, shpenzimet e tjera operative të shoqërisë, fitimi i shoqërisë dhe aspektet fiskale.
Primet e rrezikut të përcaktuara nga AMF janë orientuese për tregun e sigurimit dhe tarifat e primit të sigurimit të aplikuara për shitje mund të ndryshojnë ndjeshëm nga këto. Për AMF si autoritet mbikëqyrës e rregullator, situatë e rrezikshme do të konsiderohej nëse çmimi do të binte nën nivelin e primeve të rrezikut si rezultat i konkurrencës duke rritur ndjeshëm ekspozimin e tyre ndaj rreziqeve, shoqëruar kjo me humbje teknike.
Sipas AMF-së, ky mekanizëm i tarifimit në sigurime është thelbësor për shëndetin financiar të tregut, pasi çmimet e ulëta për një kohë të gjatë ndikojnë në: çekuilibrimin e parametrave të shoqërive të sigurimit; subvencionimin e produktit MTPL nga produktet e tjera të sigurimeve; vonesat në pagesën e dëmeve në favor të të siguruarve, duke dëmtuar interesat e konsumatorëve. Çdo shmangie nga ky mekanizëm në përcaktimin e tarifave do të çonte në deformime të tregut dhe në paaftësi paguese. Në periudhë afatgjatë, individualizimi i tarifave, sipas profilit të riskut, është e vetmja mënyrë për të ulur kostot e sigurimit.
Ndërsa me zbatimin e sistemit Bonus-Malus, AMF-ja sqaron se aktualisht ka përfunduar zbatimin teknik të sistemit Bonus-Malus, d.m.th. sistemi është plotësisht funksional dhe parametrat e rrezikut, që janë numri i dëmeve dhe numri i viteve të plota TPL dërgohen drejt sistemeve të shoqërive të sigurimit, duke bërë të mundur tarifimin me bazë rreziku.
Është përgatitur draft-rregullorja përkatëse për zbatimin e sistemit Bonus-Malus, e cila pritet të miratohet në kuadrin e ndryshimeve të Ligjit nr. 10076, datë 12.02.2009 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, i ndryshuar, ku parashikohet edhe përfshirja në ligj i aplikimit të këtij sistemi, në mënyrë të detyruar nga shoqëritë e sigurimeve në përllogaritjen e tarifave të primeve. Gjithashtu AMF, në bashkëpunim me palët e interesuara, kanë përcaktuar algoritmin si dhe numrin e klasave të sistemit Bonus-Malus.

Në lidhje me situatën e fundit do të donim që të kishim një argumentim nga ana e AMF-së se cilat janë shkaqet; Po kështu në lidhje edhe me një shkresë që ajo u ka dërguar shoqërive të sigurimit në lidhje me tarifat MTPL. Përse shoqëritë nuk kanë reflektuar ende urdhrin e AMF-së në lidhje me rikthimin e tarifave të vjetra?
Ky problem po ndiqet me prioritet nga ana e Autoritetit dhe jemi në pritje të të dhënave që shoqëritë e sigurimit do të sjellin, për të bërë përllogaritjet tona aktuariale përfundimtare.

Vetëm pak ditë më parë, drafti me ndryshimet në ligjin “Për sigurimin e detyrueshëm në sistemin e transportit” pësoi rifreskim. Do të donim të dinim se ku konsistojnë këto ndryshime? Çfarë do të sjellin dhe si do të ndikojnë në rregullimin e tregut?
Ky projektligj synon t’u japë zgjidhje problemeve të hasura gjatë zbatimit të tij, përafrimin e mëtejshëm me direktivat europiane, përshtatjen me zhvillimet dhe kërkesat e tregut të sigurimeve, si dhe zbatimin e sistemit Bonus-Malus. Nevoja për ndryshime në këtë ligj erdhi edhe si angazhim i AMF-së për përmbushjen e rekomandimeve të Komisionit Europian të dhëna, si nëpërmjet progres-raporteve, ashtu edhe nëpërmjet takimeve vjetore të nënkomitetit BE-Shqipëri “Tregu i brendshëm dhe konkurrenca”.
Në fokus të këtij projektligji është përcaktimi i saktë i disa koncepteve jo të qarta, të cilat kanë krijuar probleme gjatë zbatimit të ligjit ekzistues duke krijuar shpesh hapësira interpretuese lidhur me zbatimin e kufijve të përgjegjësisë së figurave të dëmit jopasuror, duke sjellë zbatim të gabuar të ligjit nga ana e gjykatave. Kjo situatë ka sjellë efekte negative në tregun e sigurimeve, duke dëmtuar interesat e të siguruarve apo dhe aktorëve të tjerë që operojnë në këtë fushë.
Ky projektligj do të:
• Ndikojë në uljen e numrit të drejtuesve të mjeteve të transportit që qarkullojnë të papajisur me kontratën e sigurimit të detyrueshëm sipas këtij ligji;
• Përmirësojë zbatimin e ligjit aktual të sigurimit të detyrueshëm nga ana e autoriteteve përgjegjëse;
• Harmonizojë më tej legjislacionin me direktivat europiane;
• Përmirësojë procedurat dhe afatet e trajtimit të kërkesave për dëmshpërblim nga ana e shoqërive të sigurimit;
• Përmirësojë mbrojtjen e konsumatorit në lidhje me përcaktimin e shkallës së humbjes së aftësisë për punë nga një ent i specializuar (Instituti i Mjekësisë Ligjore), i cili do të përcaktojë koeficientin e humbjes së aftësisë për punë të personave të dëmtuar të punësuar apo të papunë;
• Ndikojë në edukimin, ndërgjegjësimin dhe disiplinimin e konsumatorit;
• Synojë të shmangë konfliktet eventuale të ardhura nga zbatimi i gabuar i ligjit.
Nga kjo paketë ndryshimesh, ata që do të përfitojnë të parët janë konsumatorët, si në drejtim të mbrojtjes së interesave të tyre në rastet e dëmshpërblimit, ashtu edhe në drejtim të mbrojtjes së tyre në përgjithësi përkundrejt shërbimeve që do t’u ofrohen dhe garancive që ata do të kenë nga shoqëritë e sigurimit.

Çfarë parashikon në lidhje me sistemin Bonus-Malus? A do të zbatohet me detyrim nga ana e shoqërive?
Kjo dispozitë e bën të detyrueshme tarifimin me baza risku për kontratat e sigurimit të detyrueshëm motorik, nga ana e shoqërive të sigurimit.
Sistemi Bonus-Malus përfaqëson një sistem eficient tarifimi, i cili pasqyron profilin e riskut, duke individualizuar tarifat e primeve. Kjo nënkupton, nëse i siguruari, përfshihet në një nga klasat e Bonusit, primi do të zvogëlohet dhe e kundërta do të ndodhë nëse përfshihet në klasat e Malusit, në varësi të historikut të dëmeve që i siguruari do të ketë për një periudhë të caktuar.
Në periudhë afatgjatë, individualizimi i tarifave sipas profilit të riskut është e vetmja mënyrë për të ulur kostot e sigurimit. Tarifimi me bazë risku nënkupton: (i) rritjen e përgjegjësisë së drejtuesve të automjeteve – ata që shkaktojnë aksidente duhet të paguajnë një prim më të lartë, (ii) çmime të ndryshme për rreziqe të ndryshme; (iii) drejtuesit e automjeteve që kanë makina me motorë të një shkalle më të vogël duhet të paguajnë prime më të ulëta krahasuar me ata që kanë makina me motorë të fuqishëm, etj.
Ky sistem do të jetë efektiv menjëherë pas miratimit të ligjit në Kuvend dhe hyrjen në fuqi.

Në draftin final të amendimeve të ligjit për sigurimin e detyrueshëm në transport parashikohet edhe ngritja e një Enti të Fondit të Kompensimit, cili do të jetë roli i tij? Çfarë do të ndodhë me Byronë Shqiptare të Sigurimit?
Byroja mbetet organi kompetent për administrimin e Fondit të Garancisë të Kartonit Jeshil, ndërkohë që krijohet Enti i Fondit të Kompensimit, i cili do të administrojë Fondin e Kompensimit, i cili kompenson dëmet e pasagjerit të pasiguruar, dëmet e shkaktuara nga përdorimi i një mjeti motorik të pasiguruar, dëmet e shkaktuara nga përdorimi i mjeteve të paidentifikuara, si dhe dëmet në rast të mbylljes apo falimentimit të shoqërisë së sigurimit.
Ndarja e kompetencave të Byrosë është një rekomandim i Bankës Botërore, nga e cila u kërkua rishqyrtimi dhe përfshirja e dispozitave të reja në lidhje me strukturimin, funksionimin dhe organizimin e Byrosë Shqiptare të Sigurimeve dhe Fondit të Kompensimit. Kjo është bërë me qëllim për një qeverisje më të mirë të Fondit të Kompensimit, për shkak të problematikës së krijuar në dhjetë vitet e fundit.
Për ndarjen e BSHS-së është marrë modeli i ligjit serb dhe kjo lloj ndarje do të sjellë efektivitet dhe ndarje përgjegjësish për këto dy struktura. Në këtë mënyrë kemi një decentralizim të kompetencave të Byrosë, duke e fokusuar veprimtarinë e saj vetëm në administrimin sa më të përshtatshëm dhe mbarëvajtjen e Fondit të Garancisë për dëmet e Kartonit Jeshil, ashtu siç ka qenë edhe misioni i saj që nga krijimi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button