Bota

Ukraina në qendër të bisedimeve të ministrave të jashtëm të BE-së

Në prag të takimit të Bashkimit Evropian këtë javë, trysnia ndaj Hungarisë po shtohet për të mos bllokuar hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian të Ukrainës dhe ndihmën ekonomike për të. Kryeministri hungarez Viktor Orban po këmbëngul që kjo çështje të hiqet nga agjenda e ministrave të jashtëm.

Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe zyrtarët e tjerë të bllokut, po mblidhen këtë javë në Bruksel për takimin e nivelit të lartë ku do të shqyrtojnë zgjerimin e BE-së, buxhetin afatgjatë dhe paketën ekonomike të ndihmës për Ukrainën.

Sipas një projekt-deklarate së takimit, të siguruar nga agjencia e lajmeve The Associated Press, udhëheqësit e BE-së do vendosin që të hapin negociatat për anëtarësim me Ukrainën.

Por kryeministri hungarez Viktor Orban këmbënguli se duhet një “diskutim strategjik”, duke pasur parasysh ngecjen në fushën e betejës dhe pasigurinë rreth qendrimit amerikan pas zgjedhjeve vitin e ardhshëm.

“Është shumë e çuditshme sepse Hungaria për dekada me radhë ka pasur qëndrim konsistent si përkrahëse kryesore e anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian. Hungaria ishte ndër vendet e para që ratifikuan Marrëveshjen e Asociimit të BE-së me Ukrainën. Hungaria na ka ndihmuar në procesin e liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian. Prandaj e kemi të vështirë t’i kuptojmë këto deklarata të ashpra apo radikale të Hungarisë, cila është synimi i tyre,” tha Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba.

Homologia e tij finlandeze Elina Valtonen tha se ajo nuk është e shqetësuar nga qëndrimi i Hungarisë.

“Nuk shqetësohem, por qëndrimi i Hungarisë ka qenë me të vërtetë për të ardhur keq muajt e fundit. Është thelbësore që të vazhdojmë ta ndihmojmë Ukrainën për sa kohë të jetë e nevojshme. Dhe jo vetëm për të mirën e Ukrainës, por edhe për të mirën tonë,” tha Ministrja e Jashtme e Finlandës Elina Valtonen.

Vendimet për zgjerimin e BE-së, që gjithashtu përfshijnë Bosnjën, Gjeorgjinë dhe Moldovën, si dhe buxheti afatgjatë i bllokut që parashikon një ndihmë 50 miliardë eurosh për Kievin, mund të merren vetëm me konsensus mes 27 shteteve anëtare.

Hungaria varet nga Rusia për një pjesë të furnizimit të saj me energji elektrike dhe zoti Orban konsiderohet si aleati më i fuqishëm i Presidentit rus Putin në Evropë. Qeveria hungareze vazhdimisht ka bllokuar sanksionet ndaj Moskës që lidhen me luftën.

“E vetmja mënyrë për ta interpretuar qëndrimin hungarez, dhe jo vetëm ndaj Ukrainës por për shumë çështje, është se ata janë kundër Evropës dhe çdo qëndrimi të saj,” deklaroi Ministri i Jashtëm i Lituanisë Gabrielius Landsbergis.

Ndërkohë, ministri i jashtëm i Letonisë Krisjanis Karins e përshkroi situatën si “sfidë” dhe nënvizoi nevojën për dialog.

“Qëndrimi aktual i Hungarisë përbën një sfidë. Ka të bëjë me mënyrën se si marrim vendimet me unanimitet. Nganjëherë ky është model shumë i mirë dhe nganjëherë si në këtë rast, ka anët e veta negative. Mendoj se është çështje për të cilën duhet folur e negociuar,” tha ai.

Dhjetëra miliarda dollarë ndihmë ushtarake dhe ekonomike mbesin të bllokuara nga ligjvënësit republikanë në Senatin amerikan ndërkohë që Ukraina ka shumë nevojë për të siguruar ndihmë afatgjate financiare dhe ushtarake në luftën e saj kundër Rusisë.

“Siç e dini, Rusia i ka shtuar sulmet. Para pak ditësh Kievi u përball me sulmin më të madh ajror me drone që nga fillimi i luftës. Pra, sulmet kundër qyteteve ukrainase po vazhdojnë. Por në të njejtën kohë, dëmet ndaj ushtrisë ruse vazhdojnë. Ky është momenti kur duhet me gjithë kapacitetin ta mbështesim Ukrainën,” deklaroi Përfaqësuesi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri Josep Borrell.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button