Ekonomia

Sejko: Bankat e nivelit të dytë, duhet të kreditojnë biznesin

Kredidhënia nga bankat e nivelit të dytë mbetet larg kërkesave që ka tregu. Nga ana tjetër biznesi po qëndron larg bankave për shkak të kushteve të ngurta të tyre, por dhe mos shtrirjen në investime të reja.

Ky fakt është evidentuar nga Banka Qëndrore prej kohësh, dhe dje ka qenë temë diskutimi mes bankave dhe sipërmarrësve. Në këtë takim Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka nënvizuar rolin e biznesit në nxitjen e zhvillimit të ekonomisë.

Sipas tij, biznesi është kontribuesi kryesor në punëzënie e për rrjedhim edhe në përmbushjen e qëllimit të rritjes së mirëqenies të popullatës. Guvernatori iu referua edhe situatës post krizë, e cila na përballi me një problematikë të pamenduar më parë.

“Shumë paqartësi dhe dobësi të natyrës strukturore dolën mbi sipërfaqe me gjithë agresivitetin e tyre. Një nga zhvillimet problematike ishte dhe përkeqësimi i cilësisë së portofolit të kredive, me një intensitet të lartë dhe me shtrirje uniforme në të gjitha produktet. Ky zhvillim i padëshiruar gjeneroi një stopim të menjëhershëm të kredisë për ekonominë, e cila nga ana e vet ndikoi në rritjen e mëtejshme të kredive me probleme.

Rrethi vicioz vazhdoi për një periudhë kohe të gjatë derisa kulmoi në momentin, kur kreditë me probleme arritën në nivelin 25% të totalit të kredive”, u shpreh dje guvernatori. Në vlerësimin e Guvernatorit, të gjitha ekonomitë në zhvillim dhe veçanërisht ato të rajonit tonë, pësuan goditje të forta. Sistemet financiare, monedhat, konsumi dhe investimet ishin ndër më të prekurat.

“Shumë prej planeve të biznesit, të hartuara dhe të vëna në zbatim në periudhën para krizë dështuan, duke rritur paaftësinë likuiduese të shumë prej kredimarrësve të mëdhenj. Situata vazhdoi e tillë për një periudhë 5-7 vjeçare, deri në vitin 2015, të cilin personalisht do ta cilësoj si vitin e kthesës së shumëpritur”, tha Sejko.

Por, Guvernatori theksoi se zhvillimet e viteve të fundit, të çojnë në konkluzionin se marrëdhënia apo ndërveprimi mes dy komuniteteve të përfaqësuara në këtë sallë është në nivele historikisht të ulëta.

Treguesi më kuptimplotë i kësaj që thashë është niveli i ulët i kreditimit, sipas Sejkos. “Nga kontaktet e shumta si me industrinë bankare ashtu dhe me përfaqësues biznesi kuptoj se palët e shikojnë problemin tek njëra-tjetra.

Më duket se në shumë raste bankat adoptojnë qëndrime shumë të ngurta dhe përjashtuese, ndërkohë që shumë përfaqësues të biznesit nuk kuptojnë se respektimi i marrëdhënieve kontraktuale është baza e suksesit të ekonomisë së tregut”, cilësoi ai.

Guvernatori nuk la pa përmendur edhe konkluzionet e FMN-së, e cila vlerëson edhe reformat strukturore të ndërmarra nga autoritetet shqiptare me qëllim forcimin e financave publike nëpërmjet konsolidimit të mëtejshëm fiskal, duke mos lënë pa përmendur si progresin e bërë deri tani, ashtu edhe nevojën për të vazhduar më tej me zbatimin e atyre që synojnë përmirësimin e klimës së biznesit dhe forcimin e rritjes ekonomike.

“Ambienti është më tërheqës dhe se stimujt për të rritur kreditimin janë shtuar ndjeshëm. Besoj se Banka e Shqipërisë i ka bërë detyrat e saj në këtë drejtim”, cilësoi Guvernatori i Bankës së Shqipërisë në takimin e djeshëm me biznesin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button