Ekonomia

Rama-Veliaj: 1 mln dollarë nga Fondi i Nxitjes së Punësimit për Fierin dhe Vlorën

U shpall sot në Fier Fondi i Nxitjes së Punësimit. Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar edhe nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, morën pjesë në aktivitetin e prezantimit të fondit të nxitjes së punësimit në një nga kompanitë përfituese.

RamaaaaaKryeministri Rama theksoi se këtë vit fondi për nxitjen e punësimit është katërfishuar në raport me qeverisjen e shkuar.

“Ka një fond të posaçëm për nxitjen e punësimit që i vihet në dispozicion atyre që kërkojnë punë dhe kompanive. Kjo është qasja jonë që të shohim si t’ia dalim, jo vetëm kur moti tërbohet, por edhe kur lind dielli. 361 subjekte përfituan në 2014 që punësuan 4 mijë punëkërkues. Këtë vit fondi është dyfish më i madh. Madje programet e nxitjes së punësimit nëse ezaurojnë fondin e dhënë, do vëmë sërish fonde në dispozicion”, – u shpreh Rama.

Ndërkohë, ministri Veliaj duke marrë shkas edhe nga gjendja e krijuar si pasojë e përmbytjeve, bëri të ditur se vetëm për qarqet Fier dhe Vlorë fondi i punësimit shkon në mbi 1 milion dollarë. Ai ka ftuar bizneset që të marrin në konsideratë që të punësojnë më së shumti banorë nga zonat e përmbytura, pasi në këtë mënyrë do marrin bonus nga fondi i nxitjes së punësimit.

“Në të dyja rrethet që janë prekur nga përmbytjet, Fieri dhe Vlora, ky fond shkon në mbi 1 milion dollarë, pra është rreth 20 për qind e fondit për gjithë Shqipërinë. Kjo është mënyra se si ne i qasemi emergjencës së përmbytjeve. Faza e parë lidhej me shpëtimin nga përmbytjet të njerëzve dhe bagëtive, faza e dytë me sigurimin e jetesës dhe mbijetesës, pra që të sigurohemi që secili ka ushqimet dhe teshat e nevojshme dhe më vjen mirë që kjo fazë u përmbyll me afro 100 kg ushqime për çdo familje të prekur nga përmbytja. A mjafton kjo? Absolutisht jo! Ndaj po hyjmë në fazën tjetër, ku po themi se nëse ka kompani që duan të punësojnë nga komuna Levan, Frakull dhe Ndërmenas, atëherë do të marrë më shumë pikë se sa dikush që punëson në kushte normale”, – tha ministri Veliaj.

Nga fondi prej 4.5 milionë dollarësh për nxitjen e punësimit përfitojnë ato kompani që do të punësojnë punëtorë nga kategori të ndryshme, sidomos gra e vajza, të rinj, persona me aftësi të kufizuara ose nga komuniteti rom dhe egjiptian. Fondi për nxitjen e punësimit përbëhet nga gjashtë programe të ndryshme, që mbështesin krijimin e vendeve të reja të punës duke subvencionuar punëdhënësit me pagesën e sigurimeve shoqërore për një vit dhe katër paga për çdo punonjës të punësuar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button