Ekonomia

“Informaliteti në territor, sfida dhe zgjidhje”, konferencë rajonale në Tiranë

Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale organizon këtë javë në Tiranë takimin rajonal me temë “Informaliteti në territor, sfida dhe zgjidhje”.

aluizni2Kjo tryezë e rrumbullakët ka për qëllim të diskutojë nga institucionet përgjegjëse problematikën komplekse të informalitetit në ndërtim, duke patur përballë përfaqësues te institucioneve nga vendet fqinje në Ballkan, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë. Takimi zhvillohet në Tiranë më 27-28 shkurt 2015, ora 10.00, në Pallatin e Kongreseve.

Informaliteti, si dukuri e viteve ’90, me impakt të thellë demografik dhe urban, preku, në një rrafsh të tërthortë, të gjithë sektorët jetikë të rajonit Evropë Juglindore – Ballkan, duke spikatur pikërisht në ato vende me ndryshime të befta politike dhe ekonomike.

Sot e kësaj dite, dukuria e vendbanimeve informale, që vijon me ritme të ngadalta, me numrin e lartë të godinave dhe shtesave informale të kondensuara në kohë, pavarësisht masave të shumta të ndërmarra, është ende larg futjes brenda hullisë formale a qënies me status ligjor.

Shqipëria, si një nga vendet e para post- komuniste, të përfshira nga kjo dukuri, numëron sot rreth 350.000 ndërtime informale (vetëdeklarime), të shpërndara anembanë vendit dhe pavarësisht dhënies së amnistisë përmes ngritjes së ngrehinës ligjore në vitin 2004 dhe institucionit përgjegjës shtetëror, ALUIZNI, sot janë të legalizuara vetëm 33.820 ndërtime, nga të cilat 12.000 i përkasin vitit të fundit.

Mali i Zi, me individualitetin e vet turistiko-bregdetar dhe  trashëgiminë kulturore, shënon një numër të lartë vendbanimesh dhe ndërtimesh informale (rreth 100.000), dhe për këtë arësye ka përgatitur një projekt-ligj në korrik 2012 dhe ka miratuar një raport mbi censusin paraprak dhe plan-veprimin për legalizim të vendbanimeve informale.

Kosova, si shteti më i ri evropian, përveç konstituimit të aparatit shtetëror, me problemet e luftës e të paraluftës, ka miratuar Ligjin për Trajtimin e ndërtimeve pa leje dhe ka nisur tashmë fushatën e pranimit të deklarimeve, duke synuar bashkërendimin e procedurave ndërmjet pushtetit qendror e atij lokal.

Maqedonia, që e sheh veten pararojë në arritjen e rezultateve mëse të kënaqshme, me lejen e legalizimit të njëqindmijtë, kur numëron rreth 350.000 të tilla, e ka nisur procesin me ndryshimet në Ligjin e Kadastrës dhe të Ligjit Për legalizimin e Ndërtimeve pa leje dhe po përparon nëpërmjet pushtetit vendor dhe Agjensisë Shtetërore të Kadastrës për Pasurinë e Paluajtshme.

Legalizimi i informalitetit, si çështje akute që kërkon zgjidhje, konsiderohet tashmë si përkushtim politik në të gjitha vendet, të cilat e shikojnë veten të mobilizuara në plane konkrete veprimi, që bazohen në kuadrin ligjor përkatës, me aktorë dhe institucione përgjegjëse të zgjedhura.

Por rruga drejt formalizimit dhe integrimit urban është ende e gjatë.

Ndaj ndihet nevoja e bashkimit të të gjithë përfaqësuesve në një tryezë të rrumbullakët, për të shpalosur e shkëmbyer eksperiencën e akumuluar gjatë ecjes së vështirë në këto 10 vjet, por edhe për të vënë në dukje arritjet apo pengesat e hasura gjate procesit, e padyshim sfidat e shkruara, traguardet sasiore e kohore të premtuara e të synuara.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button