Bota

Presidentja braziliane në telashe, votohet pro paditjes së saj

Dhoma e Ulët e Kongresit të Brazilit miratoi nisjen e procedurave për paditjen e Presidentes së vendit, Dilma Rusef me akuzën se ajo manipuloi llogaritë e qeverisë.

Kampi pro paditjes së Rusefit fitoi lehtësisht dy të tretat e votave në sallë pas një debati të gjatë. Tashmë, ky mocion do të dërgohet në Dhomën e Lartë të Kongresit, në Senat, i cili pritet që të pezullojë nga detyra presidenten Rusef ndërsa zhvillohet gjyqi.

Vetë Rusefi i ka mohuar akuzat dhe thotë se kundërshtarët e saj po organizojnë një grusht shteti. Partia e Punëtorëve, nga e cila Rusefi ka dalë, bëri me dije pas votës se tani beteja do të vazhdojë në Senat, i cili pritet që të konsiderojë këtë çështje në muajin maj. Kundërshtarët e Rusefit siguruan 367 vota në Dhomën e Ulët, duke kaluar limit prej 342 që duheshin. Votimi nisi pas deklaratave të forta të deputetëve dhe liderëve partiakë në një seancë të transmetuar drejtpërdrejtë në televizione dhe gjithashtu në ekrane të mëdhenj në qendrat e qyteteve.

Qindra e mijëra protestues ndoqën seancën në këto ekrane gjigande, me mbështetësit e Rusefit të veshur me të kuqe, ndërsa kundërshtarët e saj me të verdha dhe të gjelbra, ngjyrat e flamurit brazilian. Rreth 25 000 protestues nga të dyja palët ishin jashtë Kongresit, ndërsa aty zhvillohej seanca e ndarë nga një mur hekuri dy metra i lartë dhe 1 kilometër i gjatë. Tashmë, nëse Senati voton pro paditjes së Rusefit, ajo do të përballet me gjyqin në Dhomën e Lartë të Kongresit dhe do të shkarkohet nga detyra nëse shpallet fajtore.

Gjatë gjithë këtij procesi, Presidentja Rusef ka vetëm dy mundësi për apel. Analistët thonë se fati i saj duket i vendosur, pasi sondazhet tregojnë se ajo ka humbur shumë mbështetje popullore për shkak të krizës së rëndë ekonomike me të cilën po përballet vendi. Rusef akuzohet se manipuloi llogaritë e qeverisë për të mbuluar deficitin në rritje dhe për ta paraqitur performancën e qeverisë më mirë se sa ishte, para fushatës për zgjedhjen e saj në krye të vendit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button