Te ndryshme

Katër miliardë njerëz vuajnë nga mungesa e ujit

Ekspertët paralajmërojnë se njerëzimi po përdor dyfish më shumë nga rezervat e ujit që ka në dispozicion, ndërsa dy e treta e popullatës nuk ka ujë të mjaftueshëm të paktën një muaj të vitit

Të paktën dy e treta e popullatës së planetit, mbi 4 miliardë njerëz, vuajtën mungesën e ujit për të paktën një muaj të vitit.

Sipas një studimi të kryer, mungesa e furnizimit me ujë, një nga sfidat më të rrezikshme me të cilat përballet bota sot, është një problem më i rëndë nga sa mendohej më parë.

Kërkimi i ri gjithashtu zbulon se rreth 500 milionë njerëz jetojnë në vende ku konsumi i ujit është sa dyfishi i sasisë së rikthyer nga shiu për të gjithë vitin, duke i lënë ata me rezerva ujore gjithnjë e më të pakta, teksa rrjedhat nënujore pakësohen.

Shumë nga personat që vuajnë nga thatësira ndodhen në Indi dhe Kinë, por edhe në rajone të tjera në qendër dhe në perëndim të SHBA-së, Australisë dhe madje edhe Londra.

Këto probleme me ujin do të përkeqësohen, sipas kërkuesve, teksa popullata rritet dhe po kështu, edhe harxhimi i ujit. Ndikim të madh ka edhe konsumi i mishit, i cili ka tendencë në rritje.

Në janar, krizat e ujit u vlerësuan si një nga tre rreziqet më të mëdha të dëmit ndaj njerëzve dhe ekonomisë në dekadën e ardhshme prej Forumit Ekonomik Botëror, bashkë me ndryshimin klimatik dhe migrimin në masë.

Në vende si Siria, tre rreziqet bashkohen në një. Një studim i fundit zbuloi se ndryshimi klimatik e bëri më të rëndë thatësirën e vitit 2007-2010 dhe se mungesa e ujit çoi në migrimin masiv të familjeve bujqësore nëpër qytete.

“Nëse shohim problemet mjedisore, pamjaftueshmëria e ujit me siguri që është problemi kryesor”, tha profesor Arjen Hoekstra nga Universiteti Tuente i Holandës dhe gjithashtu drejtues i kërkimit.

“Një vend ku situata është shumë akute është Jemeni”.

Jemeni mund të mbetet pa rezerva uji brenda pak vitesh, por shumë vende të tjera gjenden gjithashtu në buzë të greminës, pasi rezervat ujore vazhdimisht po zbrazen, përfshirë Pakistanin, Iranin, Meksikën dhe Arabinë Saudite.

Hoekstra gjithashtu nënvijëzon basenin Marray-Daling në Australi dhe perëndimin e mesëm në SHBA. “Kemi shembullin e rezervuarit Ogallala, i cili është zbrazur”. Ai tha se edhe qytetet e pasura si Londra në Mbretërinë e Bashkuar po jetojnë në pasiguri. “Nuk ekziston ujë në zonat përreth metropolit anglez për të furnizuar rrjedhat e ujit në Londër, nëse flasim për terma afatgjatë.

Studimi i ri, i publikuar në Revistën Shkencat e Përparuara të premten, është i pari që ekzaminon pamjaftueshmërinë e ujit në bazë mujore dhe në një rreze prej 50 kilometrash. Ai analizoi të dhëna nga viti 1996 deri në vitin 2005 dhe zbuloi pamjaftueshmëri të madhe uji. Gjithashtu përcaktoi se po shpenzohet dyfishi i ujit që kthehet në tokë, gjë që prek 4 miliardë njerëz të paktën në një muaj të vitit.

“Rezultatet tregojnë se situata globale e ujit është më e keqe nga sa sugjerohet në studime të tjera, ku flitej për shifra nga 1.7 deri në 3.1 miliardë njerëz të prekur prej pamjaftueshmërisë së ujit”, përfunduan kërkuesit. Kërkimet e fundit treguan se 1.8 miliardë njerëz vuajtën nga thatësira për të paktën gjysmën e vitit.

Bujqësia është harxhuesja më e madhe e ujit pasi popullata globale në rritje kërkon më shumë ushqim. Megjithatë, ndryshimi i dietave po sjell një ndikim më të madh, teksa njerëzit me të ardhura më të mira po konsumojnë më shumë mish.

“Kalimi i një kohe më të shkurtër në dush nuk është përgjigjja për problemin global”, tha Hoekstra, sepse vetëm 1-4 për qind e konsumit të ujit të një personi kryhet në shtëpi, ndërsa 25 për qind kryhet përmes konsumit të mishit. Duhen mbi 15,000 litra ujë për të bërë 1 kilogram biftek, ku shumica e saj përdoret për të ujitur bimët me të cilat ushqehen gjedhët.

Një tjetër aspekt unik i studimit në kërkimin e ri ishte se përfshiu nevojat mjedisore të ujit, si për shembull, ujin e nevojshëm për të siguruar se gjallesat në lumenj dhe liqene mbijetojnë. Peshqit mund të jenë një burim i rëndësishëm ushqimi për njerëzit, i cili përdor gjithashtu rrugët ujore për transport.

Edhe vetëm një muaj mungesë uji mund të ketë ndikim shkatërrimtar mbi stabilitetin e një lumi, tha Hoekstra: “një lum i zbrazët nuk është një lum”. Lumenjtë mund të thahen përpara se të arrijnë fundin e tyre ose mund t’u afrohen boshatisjes, përfshirë lumin e Kolorados në perëndim të SHBA-së dhe lumin e Verdhë në Kinë.

David Tickner, shef i këshillimit për rezervat e pastra të ujit në Britani, tha se ky studim tregon emergjencën e sfidës me të cilën përballemi. “Miliarda njerëz dhe shumë ekonomi po vuajnë gjithnjë e më shumë nga rreziqet që lidhen me mungesën e ujit, që mund të menaxhohen më mirë. Të njëjtat rreziqe po shkaktojnë një rënie në jetën e gjallesave detare kudo nëpër glob”.

Hoekstra tha se duhen vënë kufizime në përdorimin e ujit në të gjitha basenet e lumenjve, kompanitë duhet të jetë transparente për ujin që nevojitet për përgatitjen e produkteve të tyre dhe të kërkohen mënyra për ta pakësuar, ndërsa investitorët duhet t’i marrin vendimet e tyre, duke llogaritur qëndrueshmërinë e rezervave ujore.

*Burimi: The Guardian.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button