Te ndryshme

“Made in China” – ose forca e pandalshme inovative kineze

Fakt

Kina akuzohet nga vendet perëndimore se po kopjon pronën e tyre krijuese. Sikurse edhe më parë, sipërmarrjet kineze imitojnë prodhimet perëndimore, por ata tashmë po shfaqen shumë më të vëmendshëm e të suksesshëm në zhvillimin e prodhimeve të reja komplekse e inovative

american-flag-made-in-china-SSForca inovative është njëri ndër faktorët vendimtarë të suksesit për të ardhmen e një ndërmarrjeje. Zhvillimi i pavarur i prodhimeve dhe proceseve, si dhe përparimi teknologjik që rrjedh prej tyre, vendos nëse një sipërmarrje është konkurrente dhe nëse mund të çajë përpara në tregjet globale. Sidomos Kina është e njohur në vendet e tjera se po kopjon pronën e tyre krijuese. Sikurse edhe më parë, sipërmarrjet kineze imitojnë prodhimet perëndimore, por ata po shfaqen shumë më të suksesshëm në zhvillimin e prodhimeve të reja komplekse e inovative.

Sukseset kineze në inovacion

Gjatë udhëtimit të fundit në Kinë, pata rastin të takoj Wáng Xiǎo Zhang, një e sapodiplomuar në shkencat inxhinierike në Universitetin “Fudan” në Shanghai. Pyetjes sime se në cilën ndërmarrje të madhe ajo do të donte tashmë të punonte me diplomën që posedonte, ajo iu përgjigj se do të kishte më shumë qejf e dëshirë të aplikonte idetë e veta në një firmë, ku ajo do të ishte vetë pronare, e hapur më tha se donte të hapte një biznes që merrej me shitjet online. I habitur nga përgjigjja, unë pyeta veten nëse ajo nuk e shihte ca me rrezik këtë zgjedhje – ndërsa ajo m’u përgjigj e sigurt se “të provosh, do të thotë të studiosh”. Me kërkesën për të provuar ide të reja inovative, Wáng Xiǎo Zhang, megjithatë nuk është e vetme. Prej disa vitesh Kina, domethënë ndërmarrjet kineze, po zhvillohen nga një fabrikë e lirë globale, në një makinë të vërtetë të kërkimit shkencor e zhvillimit. Numri i madh i licencimeve e patentimeve në Kinë dhe rritja e madhe e institucioneve të kërkimit shkencor dhe zhvillimor në ndërmarrjet dhe institucionet shtetërore kineze, e dëshmojnë më së miri këtë zhvendosje pozitive të Kinës. Shembuj të famshëm janë zhvillimi ndër të tjera i ndërmarrjeve me famë tashmë si Lenovo, ZTE dhe Huawei.

Fuqia inovative e dyanshme e ndërmarrjeve kineze 

Forca inovative e ndërmarrjeve kineze sidoqoftë, duhet parë shumë e diferencuar. Kështu, ka shumë lloje inovacionesh në ndërmarrjet kineze. Një pjesë e madhe e inovacioneve gjendet në sektorin e kostove dhe të proceseve e procedurave. Për ta kuptuar më qartë, ndërmarrjet kineze nëpërmjet kostove të krahut të punës, që për kohën janë akoma të ulëta, po gjenerojnë një lloj inovacioni kostosh për prodhimet e tyre.

Ato janë në gjendje që të prodhojnë produkte më të shtrenjta e më eficente sesa ndërmarrjet e tjera. Si pasojë e rrogave në rritje në Kinë, ky lloj inovacioni kostosh, shumë shpejt do të humbasë kuptimin. Ndër më të rëndësishmet për ndërmarrjet kineze si pasojë tashmë shihen të ashtuquajturat “Product Innovations” dhe “Technological Innovations”.

Me këtë term kuptohet njëkohësisht inovacioni në produkte dhe ai teknologjik, të cilat janë vërtet të reja për tregun global dhe kanë një vlerë ndërkombëtare. Ndërkaq, ndërmarrjet kineze janë bërë qartazi më inovative, por për të ashtuquajturat “Major Breakthroughs” (d.m.th kthesat e mëdha) ka akoma kohë.

Njëra ndër arsyet kryesore këtu, gjendet në strukturën dhe lidershipin e ndërmarrjeve kineze. Sidomos përshkallëzimi i lartë në hierarkinë e ndërmarrjeve kineze dhe pjesërisht edhe në proceset vendimmarrëse në realizimin e projekteve e pengojnë lindjen e ideve dhe produkteve të vërteta inovative.

Para së gjithash të rinj, njerëz të mirarsimuar, shpesh i tmerron kjo kulturë e re e sipërmarrjes. Edhe pse ndërmarrjet kineze po investojnë gjithnjë e më shumë në departamentet e tyre kërkimore, idetë e atjeshme zhvillimore po dështojnë shpesh si pasojë e strukturës problematike e të dobët të ndërmarrjeve.

Qeveria kineze dëshiron të vihet përballë kësaj gjendjeje, duke kërkuar partneritet me vende e ndërmarrje të huaja, për të forcuar fuqinë kreative dhe thyer zinxhirët hierarkikë.

Imazhi keq i prodhimeve kineze mund të ndryshojë 

Megjithatë, opinioni i gjerë ndërkombëtar pretendon se pas produkteve kineze, gjithnjë fshihen mallra që pak të kujtojnë inovacionin, e të cilave shpesh u mungon cilësia. Në kuadër të politikave reformatore të nisura nga qeveria në Pekin dhe rritjes ekonomike që rezulton prej tyre, Kina është bërë tashmë një vend ku prodhohet me çmimin më të lirë.

Kjo përshtypje vlen edhe sot e kësaj dite dhe korrektimi i kësaj përshtypjeje do të marrë ca kohë derisa të realizohet. Në botën tonë të globalizuar dhe që lëviz shumë shpejt, rruga nga perceptimi negativ tek ai pozitiv i produkteve, bëhet sidoqoftë më shpejt, sesa dikur.

Kështu, dikur shumë produkte me logon “Made in Japan” lidheshin me prodhime masive e të lira dhe pas reformave të suksesshme në Japoni, sot në treg gjenden marka të respektuara si “Sony”, apo “Toyota”, që e mbajnë me nder tashmë nënshkrimin “Made in Japan”, një simbol i vërtetë i teknologjisë së lartë.

Kështu edhe produktet “Made in China”, shumë shpejt do të mund të bëheshin “Designed in China”. Ndërmarrjet kineze edhe në vitet e ardhshme do të fokusohen gjithnjë e më shumë tek inovacioni, në vend të imitimeve.

David Wertime shkruante së fundmi në një koment në “Journal of Foreign Policy”, se tregjet kineze ndikojnë pikëpamjet dhe vlerat për botën në mbarë globin, dhe parashikonte se Kina është rrugës, për t’u shndërruar në një “Innovation Powerhouse”, d.m.th në një qendër të fuqisë inovative botërore. Njerëzit si Wáng Xiǎo Zhang, janë pikërisht ata që e dëshmojnë këtë.

-Prej disa vitesh Kina, domethënë ndërmarrjet kineze, po zhvillohen nga një fabrikë e lirë globale, në një makinë të vërtetë të kërkimit shkencor e zhvillimit. Numri i madh i licencimeve e patentimeve në Kinë dhe rritja e madhe e institucioneve të kërkimit shkencor dhe zhvillimor në ndërmarrjet dhe institucionet shtetërore kineze, e dëshmojnë më së miri këtë zhvendosje pozitive të Kinës. Shembuj të famshëm janë zhvillimi ndër të tjera i ndërmarrjeve me famë tashmë si Lenovo, ZTE dhe Huawei

-Dikur shumë produkte me logon “Made in Japan” lidheshin me prodhime masive e të lira dhe pas reformave të suksesshme në Japoni, sot në treg gjenden marka të respektuara si “Sony”, apo “Toyota”, që e mbajnë me nder tashmë nënshkrimin “Made in Japan”, një simbol i vërtetë i teknologjisë së lartë

-Kështu edhe produktet “Made in China”, shumë shpejt do të mund të bëheshin “Designed in China”

-Ka shumë lloje inovacionesh në ndërmarrjet kineze. Një pjesë e madhe e inovacioneve gjendet në sektorin e kostove dhe të proceseve e procedurave. Për ta kuptuar më qartë, ndërmarrjet kineze nëpërmjet kostove të krahut të punës, që për kohën janë akoma të ulëta, po gjenerojnë një lloj inovacioni kostosh për prodhimet e tyre

Marrë nga “Huffington Post”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button