Opinion

Kur gënjejnë popullin dy ish presidentë

Petro Dhimitri, Gazetar

Ka kohë që NON GRATA me emrin Sali Ram Berisha në çdo intervistë televizive si dhe në

 takimet me ndjekësit e tij shprehet hapur duke thënë se Shqipëria është në diktaturë dhe bën thirrje për  mosbindje civile të përgjithshme, nga Veriu në Jug të Shqipërisë. Arsyeja: Rama nuk largohet me votë., po me MOSBINDJE CIVILE…Ditët e fundit me mburrje u ka thënë atyre se ne si deputetë po e bëjmë tonën në Parlament. Po bllokojmë punimet e tij.. Rast i rrallë që ai thotë të vërtetën. Po, kanë hedhur flakadanë, kanë bllokuar foltoren me karriket përmbys. Këtë javë i vunë flakën karrikeve që të digjnin Parlamentin e diktaturës. Si për të mos mbetur i vetëm në thirrjet e tij patetike kundër diktaturës, edhe ish Presidenti Bamir Topi,( edhe pse i anatemuar nga doktori) ngërçin për ngritjen e komisioneve parlamentare  e quan veprim si në diktaturë ku vendos vetëm një njeri…
                 Dy ish Presidentë që ose nuk kanë aq ngritje teorike sa të dallojnë ndryshimet midis diktaturës dhe demokracisë ose e dinë mirë, po u leverids që të bardhën ta bëjnë të zezë ose anasjelltas. Nuk ka gjë se ata gabojnë. Populli e di se në Botë ka patur dhe ka DIKTATURA USHTARAKE, DIKTATURA TË NJË PARTIE TË VETME, DIKTATURË TË NJË PERSONI TË VETËM dhe MONARKI ABSOLUTE.
                  Të dy kanë jetuar diktaturën e një partie të vetme. Ishte diktatura e PPSH-së dhe Enver Hoxhës. Madje Berisha ka qenë komunist më se i zellshëm dhe jo pa rëndësi. Në atë diktaturë nuk bëhej fjalë për parti të tjera. Kush guxonte të shprehej për pluralizmin prangosej menjëherë. U ndalua besimi fetar. Fshatarëve ia dhanë në fillim, pastaj ia morën tokën për kolektivizimin e bujqësisë. Asnjë njeri normal nuk mund as të ëndërronte të dilte jashtë shtetit. Nuk mund të lëvizje nga fshati në qytet ose nga njëri qytet në tjetrin, pa lejen nga zyrat e shtetit. Do të punoje atje ku donte partia. Do të regjistroheshe në atë fakultet që donte partia. Çdo gjë ashtu si donte partia. Po të flisje një fjalë
 kundër të kapte ligji i Agjitacion Propagandës deri në 13 vite burgim…
                   Këtë diktaturë e dinë mirë shqiptarët e moshës mbi 40 vjeç. Edhe këta dy ish Presidentë e kanë të qartë që ajo kohë perëndoi në vitet 90 kur nga halli Ramiz Alia pranoi të sanksiononte ligjërisht sistemin pluralist në Shqipëri. Pra, njëshi nuk do të ishte më i gjithëpushtetshëm dhe i pa kritikueshëm. Opozita kishte për ta pikturuar atë më së miri. Dhe e pikturoi, duke hedhur PPSH-në në koshin e historisë. Ndryshimi qe i dukshëm se ishte i madh. Edhe në tetë vitet që Sali Berisha ishte kryeministër, edhe pse ai i kishte të gjitha pushtetet, madje dhe drejtësinë, asnjeri nuk mendonte se ishim në një diktaturë ose neodiktaturë. Ishim mbi 100 parti të njohura nga gjykata. Prona private nisi të lulëzonte. Shtypi ishte relativisht i lirë. Njerëzit mund të lëviznin lirisht si brenda dhe jashtë vendit. Ligji ogurzi i agjitacion propagandës u harrua. Mund të studioje në secilën degë dëshiroje. Në qytete ish pronarët morën banesat e konfiskuara nga komunistët. Për fshatin puna ishte edhe më e vështirë. Edhe pse ky proces pati shumë gabime e zvarritje, asnjërit nuk i shkoi në mendje se po ktheheshim në diktaturë, me që vetëm Sali Berisha vendoste për çdo gjë.
                  Këtë Shqipëri gjetën socialistët  që kur populli i votoi për herë të parë. Nuk erdhën në pushtet ( ose erdhën përsëri në pushtet, me që janë bijë e mëmës parti) përmes dhunës ose me mosbindje civile. Ishte populli i pakënaqur nga bëmat e PD-së me Sali Berishën të parë, që nuk u besoi më. Dhe është po populli që tre herë me radhë ka votuar po socialistët dhe Edi Ramën. Jo se ata janë të jashtëzakonshëm, jo se ata nuk kanë bërë dhe nuk bëjnë gabime, jo se ata janë etalon i demokracisë së kulluar, po vetëm se janë më të mirë nga PD-ja e Berishës dhe partitë satelite të saja.
                  Pyes veten: çfarë deformimesh i bënë  të majtët me Ramën demokracisë që trashëguan nga PD-ja?  Janë po ato parti në mos më shumë. Duan të thonë se numri i tyre është 126. Ashtu si PD-ja kishte dhe Presidencën, edhe të majtët e kanë atë institucion. Ashtu si PD-ja kishte shumicën në Parlament, se ia kishte besuar populli, ashtu dhe PS-ja ka po shumicën. PD-ja nuk e pyeste opozitën për ligjet që hartonte dhe veprimet e tjera të saja, sepse populli asaj i kishte besuar të qeveriste. Këtë gjë po bëjnë dhe të majtët: zbatojnë programin e tyre dhe nuk duan të dëgjojnë për ankesat e opozitës së përçarë dhe sidomos të pjesës së NON GRATËS. Me të drejtë, me këtë fraksion nuk duan të kenë as dhe një lidhje ashtu siç kanë vendosur edhe SHBA-ja me Anglinë. Po, u kujtova: Socialistët dhe Edi Rama nuk kanë më nën hyqëm drejtësinë. SPAKU është krejt i pavarur dhe drejtohet nga SHBA-ja. Pse Rama nuk ka në dorë SPAK-un ( të paktën zyrtarisht) është ndryshimi i madh me kohën kur qeveriste PD-ja me Berishën. Pra, të majtët janë më pak autoritarë nga të djathtët. Këtë e vërteton dhe fakti që SPAK-u ka vënë në pranga thuajse vetëm funksionarë të lartë  të stafit drejtues të Ramës. Tani që për së pari do të gjykohet dosja e shpronësimit të Klubit ”Partizani”, ku në gjendje arresti  në shtëpi është dhëndërri i Berishës, filloi edhe revolta e Berishës. Edhe ai është nën akuzë për shpërdorim pasiv të detyrës. Kjo është e vërteta pse tani na doli që Shqipëria qenka në DIKTATURË?! Për këtë arsye populli duhet të pasojë grupin e Berishës që po bllokon dhe orvatet të djegë Parlamentin, që tërë Shqipëria të përflaket. Të  shpëtojmë një herë e mirë nga diktatura e Edi Ramës!
                    Po të ishim në diktaturë a nuk do t’u ishin vënë prangat Berishës dhe grupit tymues e zjarrvënës të Parlamentit? Edhe në demokracitë funksionale ata nuk kishin për të mbetur pa u ndëshkuar. Në demokracinë tonë të brishtë drejtësia po nguron të zbatojë ligjin. Është e trembur, e politizuar ose e paguar. Nuk ka si të shpjegohet ndryshe heshtja e saj.
                   Edhe pse Shqipëria është shtet demokratik, dhe për këtë arsye është në NATO, në proces edhe për t’iu bashkuar Unionit Evropian, kjo nuk do të thotë se çdo gjë shkëlqen dhe nuk ka nevojë për përmirësime të dukshme e të ndjeshme. Nuk do të thotë  që Rama nuk ka bërë dhe nuk bën gabime. Tjetër gjë janë të metat e gabimet brenda sistemit të demokracisë dhe krejt e papranueshme është që për ato të meta ta quash demokracinë DIKTATURË?!
                   Shkurt hesapi, siç shprehet populli, që demokracia në Shqipëri të konsolidohet më tej, KËRKOHET:
                   1. PRESIDENTI TË ZGJIDHET NGA POPULLI.
                   2. DEPUTETËT JO NGA LISTAT PARTIAKE; PO ME ZGJEDHJE DIREKT NGA POPULLI.
                   3. KRYEMINISTRI JO MË SHUMË SE 2 MANDATE.
                   4. KRYETARËT E PARTIVE  JO MË SHUMË SE 2 MANDATE.
                   Këto kërkesa mendoj ( mbase dhe gabohem) bien si në vesh të shurdhët për Ramën. Ka të ngjarë ta ketë të vështirë  ta imagjinoj veten të mos jetë më kryeministër dhe as kryetar i partisë.    Ama, në rast se nga qielli i vjen frymëzimi, si piktor që është, në rast se i do me të vërtetë të mirën e Shqipërisë, ai njeri e ka  në dorë që këtyre kërkesave të domosdoshme t’u hapi rrugën për t’u zgjidhur ligjërisht.
                    Të shpresojmë për më mirë. Kurrsesi me të gjitha format e mosbindjes civile. Vetëm  protesta paqësore është rruga e domosdoshme që qeveria të dëgjojë zërin e opozitës dhe mbarë popullit, doemos  kur kanë të drejtë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button