Ekonomia

Po ndërtohen 73 hidrocentrale….

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore raporton se aktualisht janë 73 hidrocentrale në proces ndërtimi. Për përfundimin e tyre janë angazhuar 127 miliardë lekë, ndërsa kapaciteti i shtuar i energjisë do të jetë 2384 GW/h.

Vlerën më të lartë në këto investime e zë kontrata koncensionare me Statcraft për HEC-et në lumin Devoll që aktualisht është në proces ndërtimi.

Duke filluar prej vitit 2002 deri më sot janë firmosur 173 kontrata koncesionare për ndërtimin e 502  hidrocentraleve me kapacitet 2117 MW.

Aktualisht 102 hidrocentrale kanë përfunduar së ndërtuari dhe janë duke prodhuar energji prej 1201 Gigavatorësh. Për ndërtimin e këtyre objekteve AKBN sqaron se janë investuar 24.4 miliardë lekë.

Por duhet marrë në konsideratë që nga lejet e dhëna nuk kanë filluar ende punimet për 327 hidrocentrale, për të cilat duhet të angazhohen 161 miliardë lekë për prodhimin e 5.573 Gigavatorë energji.

Territori hidrografik i Shqipërisë ka një sipërfaqe prej 44.000 km2 ose 57% më shumë se territori i saj. Shqipëria ka 8 lumenj kryesorë: Drini, Buna, Vjosa, Semani, Mati, Shkumbini, Ishmi dhe Erzeni. Lartësia mesatare e territorit hidrografik të Shqipërisë është rreth 700 m mbi nivelin e detit.

Prurja mesatare shumëvjeçare e rrjedhjes së përgjithshme të lumenjve është rreth 1.245 m3/sek. Për shkak të veçorive morfologjike, Shqipëria është shumë e pasur në lumenj. Më shumë se 152 lumenj dhe përrenj, formojnë përfundimisht 8 lumenj të mëdhenj, që rrjedhin nga juglindja drejt veriperëndimit, kryesisht, drejt bregdetit Adriatik.

AKBN thotë se Shqipëria po punon që të kombinojë politikat e eficencës së energjisë dhe energjive të rinovueshme, duke i bërë ato pjesë të një strategjie të tërë për energjinë, bazuar në direktivat e Bashkimit Europian .

Aktualisht, Strategjia Kombëtare e Energjisë (2007-2020), ka të përfshirë jo vetëm strategjinë e zhvillimit të burimeve klasike (fosile), por edhe strategjitë për energjinë e rinovueshme dhe të eficencës së energjisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button