Bota

“Ngrin” prodhimi i naftës; 4 eksportues të mëdhenj arrijnë marrëveshjen

Katër vende eksportuese të mëdha të naftës arritën një marrëveshje për të ngrirë prodhimin e naftës në nivelet e muajit janar. Ministrat e naftës të Rusisë, Arabisë Saudite, Katarit dhe Venezuelës u takuan në Doha në përpjekje për të ringritur kuotimin e naftës në bursa.

Ari i zi ka njohur rënie drastike përgjatë 18 muajve të fundit, duke zbritur deri në 29 dollarë për fuçi.

Marrëveshja mbetet e hapur edhe për vendet e tjera dhe ftesa për t’iu bashkuar asaj ka mbërritur edhe për Iranin. Por Teherani, i çliruar rishtazi nga dara e sanksioneve ndërkombëtare, vështirë se do t’i bashkohet kësaj nisme, e cila do të ngadalësonte ringritjen ekonomike të vendit.

Arabia Saudite tha përmes ministrit Ali al-Naimi se ngrirja e prodhimit në nivelet e muajit janar ishte një masë urgjente dhe se në muajt e ardhshëm duhen shqyrtuar dhe ndërmarrë të tjera hapa.

Sauditët shpresojnë që pjesë e marrëveshjes në vazhdim të bëhen edhe vendet e tjera prodhuese të mëdha të naftës dhe në frymën e kësaj, të mërkurën do të zhvillohen bisedime me Iranin dhe Irakun.

Zërat për gjetjen e një marrëveshjeje u pasqyruan menjëherë në bursa, ku çmimi i naftës kapi 35.55 dollarë për fuçi. Megjithatë, përfshirja e vetëm katër vendeve në këtë ujdi, zbehu pritshmëritë e tregjeve dhe nafta ra sërish në 34 dollarë për fuçi.

Venezuela dhe Rusia janë dy vendet, buxhetet e të cilave janë goditur më fort nga çmimi i ulët i naftës. Moska kërkon të balancojë buxhetin e vet në vigjilje të zgjedhjeve të përgjithshme paralmentare dhe disa herë Presidenti Putin është kujdesur të theksojë se përllogaritjet e buxhetit 2016 janë bërë me çmimin e naftës 50 dollarë për fuçi. Humbje kanë pësuar edhe sauditët. 98 miliardë dollarë ishte defiçiti buxhetor i Riadit për 2015-n.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button