Ekonomia

Projektet kryesore që janë në fazë investimi në sektorin elektroenergjitik

Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka nisur dhe po zbaton një sërë projektesh të rëndësishme në fushën energjitike.

Sipas informacionit nga MEI, projekti për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kV Shqipëri – Kosovë (Tiranë – Prishtinë) është financuar prej KFW Frankfurt Am Main në formën e huasë. Qëllimi i projektit të kësaj linje interkonjeksioni është të përmirësojë sigurinë në kosto më efikase dhe me humbje sa më të vogla në transmetim dhe furnizim me energji elektrike në Shqipëri, të përmbushë kushtet për një treg të integruar të energjisë elektrike në Evropën Juglindore dhe të krijojë kapacitete importuese dhe eksportuese me tregun e Kosovës dhe atë rajonal.

Duke konsideruar që prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri predominohet nga hidroenergjia dhe në Kosovë nga termoenergjia, kjo linjë interkonjeksioni do të ndihmojë në balancimin e tregut të energjisë të dy vendeve dhe do të reduktojë riskun hidrologjik në Shqipëri. Tregu i energjisë elektrike midis dy vendeve dhe me rajonin do të mund të zhvillohet pa kufizime nga rrjeti transmetues.

Projekti, përveç rritjes së kapacitetit të shkëmbimit të energjisë dhe besueshmërisë së rrjetit në rajon, do të mundësojë shfrytëzim optimal të burimeve të përbashkëta të prodhimit të energjisë elektrike të Kosovës dhe të Shqipërisë duke patur parasysh natyrën komplementare të tyre. Gjithashtu zbatimi i këtij projekti do të sigurojë furnizimin me energji dhe do të rrisë qëndrueshmërinë e sistemit elektroenergjetik shqiptar.

Projekti “Linja Unazore 110 kV e Shqipërisë së Jugut”

cmimi-i-energjise-c1200x600-350x175Projekti për ndërtimin e linjës unazore 110 kV së Shqipërisë së Jugut është financuar prej KFW Frankfurt Am Main në formën e huasë. Qëllimi i projektit për ndërtimin e “Linjës Unazore 110 kV së Shqipërisë së Jugut” është mbyllja e unazës për furnizim te dyanshëm të zonës Ersekë – Përmet dhe zonës Vlorë e Sarandë duke përmirësuar dukshëm parametrat e energjisë elektrike në zonat me përparësi turizmi. Ky projekt është në përputhje të plotë me politikën zhvilluese të qeverisë shqiptare për sektorin energjetik, veçanërisht në drejtim të rritjes së kapaciteteve transmetuese të vendit, duke rritur edhe sigurinë e furnizimit me energji si dhe qëndrueshmërinë dhe fuqizimin e Sistemit Elektroenergjetik Shqiptar.

Projekti i Bankës Botërore “Rimëkëmbja e Sektorit Elektroenergjetik”

Nëpërmjet mbështetjes financiare (kredisë së butë) prej 150 milionë $ të akorduar prej Bankës Botërore për të tre shoqëritë me kapital shtetëror të këtij sektori është mundësuar zbatimi i projektit “Rimëkëmbja e Sektorit Elektroenergjetik“, i cili synon uljen e humbjeve dhe rritjen e arkëtimeve të OSHEE-së nëpërmjet investimeve në sistemin e matjes se energjisë elektrike në nënstacione dhe garanci për financimin e blerjes së energjisë elektrike, realizimin e investimeve në sektorët publik të energjisë elektrike në rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike, si dhe rritjen e likuiditetit financiar midis operatorëve të sistemit elektroenergjetik.

Projekti “Rritja e Sigurisë së Digave”

Gjatë vitit 2014 kanë filluar punimet për rehabilitimin në pjesën e poshtme të digës së Komanit dhe në kanalin e daljes. Këto punime rrisin sigurinë e digës në anën e poshtme si dhe do të garantojnë godinën e centralit nga mosavancimi i gryerjeve në drejtim të saj. Këto punime parashikohet të përfundojnë në muajin mars të vitit 2016.

Gjithashtu, ky projekt parashikon ndërhyrjen në pjesën elektromekanike të HEC-it Koman dhe në veprat e shkarkimit të HEC-eve Vau i Dejës, Koman dhe Fierzë. Duhet thënë se nga ana e KESH ka një ngritje niveli në këto vitet e fundit, si në aparatura dhe në trajtimin e problemeve që lidhen me sigurinë e digave. Kjo falë bashkëpunimit dhe financimit të siguruar me Bankën Botërore dhe me institucione të tjera ndërkombëtare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button