Rajoni

Serbia në zgjedhje parlamentare

Serbia po mban të dielën zgjedhjet e parakohshme parlamentare që shihen si një përpjekje e presidentit Aleksandar Vuçiç dhe Partisë Përparimtare të tij për të siguruar një mandat të ri, mes trysnisë nga opozita pas sulmeve masive në pranverën e këtij viti që lanë pas vetes 17 të vrarë, duke nxitur zemërimin e publikut dhe protesta masive kundër qeverisë.

Gjithsej 18 parti dhe koalicione janë vënë në përpjekje për të siguruar mbështetjen e rreth 6.5 milionë votuesve. Pragu për të hyrë në parlamentin prej 250 vendesh është 3 për qind. Vendvotimet u hapën në orën 7 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 20:00.

Dy sulme masive në muajin maj që lanë pas vetes 17 të vrarë, përfshirë nëntë nxënës të një shkolle fillore, çuan në protesta që tronditën pushtetin e presidentit serb Vuçiç dhe partisë së tij. Pakënaqësitë u thelluan nga rritja e inflacionit, i cili arriti ne 8 për qind në muajin nëntor.

Partitë opozitare dhe grupet e të drejtave të njeriut akuzojnë gjithashtu presidentin serb dhe partinë e tij për blerje votash, mbytje të lirisë së medias, dhunë ndaj kundërshtarëve, korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Presidenti Vuçiç dhe aleatët e tij i mohojnë këto akuza.

Pas votimit në një shkollë në qendër të Beogradit, Dragan Gjilas, një udhëheqës i aleancës opozitare të qendrës së majtë, Serbia kundër dhunës, tha se “ndryshimet në Serbi kanë filluar”.

“Njerëzit janë të vendosur të jetojnë … normalisht, pa krim dhe korrupsion, pa çmime të çmendura”, tha ai.

I sigurt për fitoren e partisë së tij u shpreh edhe presidenti serb Vuçiç, pasi hodhi votën e tij në komunën e Novi Beogradit, një periferi e kryeqytetit serb me blloqe banesash të epokës komuniste.

“Kjo (fitore) është një parakusht që Serbia të vazhdojë në rrugën e saj të përparimit dhe suksesit”, tha ai.

Zgjedhjet në Serbi përkuan me një periudhë përpjekjesh diplomatike perëndimore për normalizimin e marrëdhënieve të saj me Kosovën, mes tensioneve të larta që pasuan një sulm të një grupi serbësh të armatosur ndaj policisë së Kosovës me 24 shtator.

Sulmin e mori përsipër Milan Radoiçiç, ish nënkryetari i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve të Kosovës e cila është themeluar dhe mbështetur nga Beogradi.

Me 27 tetor, udhëheqësit e vendeve kryesore evropiane, Francës, Gjermanisë dhe Italisë i kërkuan Kosovës më shumë autonomi për pakicën serbe, ndërsa Serbisë njohjen “de fakto” të pavarësisë së Kosovës. Kërkesat janë pjesë e përpjekjeve të ripërtërira për të nxitur përmbushjen e një marrëveshjeje të arritur më herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër.

Por, gjatë kësaj jave Serbia ritheksoi qëndrimin e saj se nuk do të përmbushë pjesët e marrëveshjes që nënkuptojnë njohjen e Kosovës. Bashkimi Evropian tha se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët dhe kusht për përparimin e tyre drejt integrimeve evropiane.

Serbia e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës, e ka shpallur anëtarësimin në BE si synim të saj, por vazhdon të ruajë lidhje të ngushta me Rusinë dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Serbët e Kosovës – votojnë në Serbi

Grupe qytetarësh serbë nga Kosova udhëtuan të dielën në mënyrë të organizuar për në disa qytete në jug të Serbisë për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare, pasi autoritetet në Prishtinë nuk lejuan që ato të mbahen në Kosovë.

Në fillim të nëntorit, Beogradi i kërkoi misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë që të përfshihet në mbledhjen e votave të serbëve të Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë, për zgjedhjet në Serbi. OSBE-ja tha se e ka informuar qeverinë e Kosovës dhe mekanizmat e tjerë të rëndësishëm për këtë kërkesë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një përgjigje ndaj kërkesës së OSBE-së tha se “për votimin e qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë, me shtetësi të dyfishtë, në zgjedhjet serbe jashtë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, duhet të arrihet një marrëveshje e posaçme midis Kosovës dhe Serbisë. Kërkesa për një marrëveshje të tillë duhet të vijë nga Serbia, si palë e interesuar. Dhe çdo kërkesë duhet të marr për bazë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, si shtete të barabarta, në pajtim me nenin 2 të Marrëveshjes Bazë të arritur këtë vit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Në të kaluarën, zgjedhjet e Serbisë në Kosovë janë lehtësuar nga misioni i OSBE-së dhe deri në vitin 2020 Kosova, nuk e ka penguar organizimin e tyre. Votat janë grumbulluar nga OSBE-ja dhe janë dërguar për numërim në Serbi.

Por, në prill të vitit 2022, qeveria e Kryeministrit Kurti tha se Serbia duhet t’i bëjë kërkesë të drejtpërdrejtë Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e saj. Serbia refuzoi dhe si rrjedhojë votuesit serbë nga Kosova kanë votuar në Serbi.

Në janar të vitit 2022, qeveria e Kosovës nuk pranoi mbajtjen e një referendumi të Serbisë, duke ofruar mundësinë që kjo të ndodhë përmes postës apo zyrës ndërlidhëse serbe në Prishtinë, gjë që u refuzua nga Beogradi.

*Pjesë të mëtij materiali u morën nga agjencia e lajmeve Reuters

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button