Rajoni

Boshnjakët e çajnë Gjermaninë me diploma të falsifikuara

Boshnjakët që duan të emigrojnë në Gjermani – por që nuk e njohin mirë gjuhë – po falsifikojnë gjithnjë e më shumë diploma të gjuhës, tha Instituti Gëte në Sarajevë.

“Numri i diplomave false është rritur ndjeshëm nga viti 2014,” tha për BIRN Claudia Kindler, kreu i departamentit të gjuhës në Institutin Gëte të Bosnjës, një shoqatë që promovon gjuhën dhe kulturën gjermane.

“Ne kemi regjistruar 47 raste të falsifikimit të diplomave tona dhe i kemi paraqitur ato te ambasada gjermane në Bosnje,” tha Kindler, duke shtuar se shumë raste ndodhin për shkak se shtetasit boshnjakë nuk kanë kohën e mjaftueshme për të arritur nivelin e kërkuar të gjuhës për një vizë pune.

“Këto diploma falsifikohen nga njerëz që nuk kanë marrë kurrë pjesë në mësimet tona,” tha Kindler për BIRN.

“Përgjithësisht ata që përpiqen të falsifikojnë certifikatat e tyre gjuhësore kanë tashmë një punë që i pret në Gjermani dhe Austri, por nuk kanë kohë të presin gjashtë ose shtatë muaj për të marrë pjesë në leksione dhe për të arritur një nivel të mirë gjermanishteje,” shpjegoi Kindler.

Në një përpjekje për të ndaluar këtë falsifikim, ambasada gjermane në Sarajevë të enjten publikoi një paralajmërim kundër falsifikimit të diplomave gjuhësore kur aplikohet për viza pune në Gjermani.

“Përdorimi i dokumenteve false është kundër ligjit dhe do të hetohet penalisht,” paralajmëroi ambasada duke thënë se punonjësit e saj janë të trajnuar të njohin dokumentet false dhe të zbulojnë çdo mashtrim.

“Instituti Gëte do ta dërgojë çdo person me certifikatë false te autoritetet boshnjake,” shtoi ambasada.

Megjithëse një njohje e mirë e gjermanishtes nuk është gjithnjë e nevojshme për një vizë pune, autoritetet gjermane kanë vënë një barrierë niveli gjuhësor për disa vende pune.

Teksa ekonomia boshnjake është në stanjacion, me një papunësi të regjistruar prej 27 për qind dhe papunësi te të rinjtë rreth 60 për qind, sipas Bankës Botërore, shumë njerëz po kërkojnë mundësi punësimi jashtë.

Trendi është i përbashkët në Ballkan dhe ngre frikën se rajoni po e humbet kapacitetin njerëzor.

Sipas ministrisë boshnjake të sigurisë, në vitin 2014 shumica e migrantëve boshnjakë preferonin Gjermaninë, 153,470 dhe Austrinë 85,173 megjithëse shumë prej tyre kishin shkuar gjatë luftës 1992-95 në Bosnje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button