ParlamentarePolitika

Shpifja, Pollo: Pr/ligji nuk është konsultuar. Felaj: Është propozuar nga kryeministri

Rikthimi i dënimit me burgim për shpifjen është bërë pjesë debati në nisje të seancës kuvendore mes deputetit demokrat Genc Pollo dhe minsitres së Shtetit, Ermonela Felaj.

Deputeti demokrat Genc Pollo tha se janë shkelur procedurat për projektligjin, i cili është sjellë nga ministri i Shtetit dhe jo ministri përkatës i Drejtësisë.

“Në projektligjet që janë përfshirë në programin, siç mësuam nga faqja e Kuvendit është dhe ndryshimi i kodit penal i propozuar nga kryeminsitri, sipas të cilit dikush, politikan, gazetar apo thjesht qytetar, nëse pretendon se janë abuzuar me tendera mund të përfundojë me tre vjet burg. Këtë Kuvendi mund ta shqyrtojë po unë mendoj se janë shkelur procedurat, pasi nuk ka ardhur nga ministria e Drejtësisë, siç vjen gjithmonë kur ndryshon kodi penal, por nga ministri i Shtetit dhe nuk ka respektuar kërkesat e ligjit për konsultimin publik. Çdo akt zyrtar duhet t’i nënshtrohet një shqyrtimi të qartë me grupet e interesit. Ky projektligj është fshehur, dhe asnjë konsultim nuk është bërë as me shoqatë gazetarësh, as me të drejtat e njeriut e as me grupime të tjera”, tha Pollo.

Në përgjigje të tij, ministrja e Shtetit Ermonela Felaj tha se ndryshimet në Kodin Penal janë propozuar nga vetë kryeministri Edi Rama. Ajo tha se shpifja dhe fyerja ekzistojnë aktualisht si vepër penale në kodin penal, por që nuk e përmban dënimin me burgim.

“Si shpifja, si fyerja janë vepra që parashikohen në kodin tonë penal sot që po flasim. Në diskutimet e 2012 u propozua që këto vepra të hiqeshin, po debati që u zhvillua çoi vetëm në këtë lloj konsensusi, që nuk do ketë dënime me burgim si dënim kryesor, por vetëm dënimi me gjobë. Ju kujtoj që dënimi me gjobë në kodin penal nuk është dënim civil, por penal. Që do të thotë nëse gjoba nuk paguhet konvertohet në dënim me burgim. Sa i përket përmbajtjes së nenit të propozuar nga qeveria nuk ka qëllim të penalizojë njerëzit e zakonshëm dhe median, por ka për qëllim të sigurojë që ne të zgjedhurit në Kuvend të vendosim një marrëdhënie të re me të vërtetën, një standard të rregullt komunikimi me publikun”, tha Felaj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button