Ekonomia

Ahmetaj: Fluksi i turistëve u rrit me 17% në 3-mujorin e dytë 2015, më shumë se një vit më parë

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, tha të martën, në komisionin parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese se këtë vit numri i turistëve në Shqipëri është rritur me 17% më shumë, në krahasim me vitin e kaluar.

“Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e dytë të këtij viti fluksi i turistëve në vendin tonë shënoi rritje të konsiderueshme krahasur me një vit më parë dhe ne jemi optimist për shifra akoma më pozitive që do të bëhen prezent për muajt korrik dhe gusht, që konsiderohen si muajt e pikut të sezonit turistik veror”, tha ministri Ahmetaj.

Ai shtoi se kjo rritje ka sjellë edhe rritje me 6% të të ardhurave nga ky sektor, në ekonominë e vendit, gjithnjë sipas të dhënave zyrtare,.

Duke vlerësuar turizmin si një nga sektorët e rëndësishëm të ekonomisë së vendit, kreu i Ekonomisë dhe Turizmit, u shpreh se, Qeveria po sheh mundësinë e zbatimit të paketave mbështetëse për sektorin e turizmit duke bërë të mundur uljen e TVSH-së për këtë sektor, si një kërkesë e përsëritur e operatorëve turistikë.

“Paketa lehtësuese për sektorin e turizimit po diskutohet me institucionet e linjës dhe aktorët e tregut, dhe besoj se në muajt në vijim do të arrijmë të gjejmë konsensusin për uljen e TVSH-së për turizmin, si një mundësi që do të nxisë konkurueshmërinë në tregun shqiptar”, tha ministri Ahmetaj.

Ministri Ahmetaj duke folur në Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregëtinë dhe Mjedisin, që shqyrtoi dekretin e Presidentit “Për kthimin për rishqyrtim të Ligjit nr.93/2015 “Për turizmin”, tha se, projektligji për turizmin, synon ta trasformojë këtë sektor në avangardë të rritjes së të ardhurave dhe Shqipërinë në destinacion gjithë vjetor turistik rritjen e numrit të turistëve dhe investimeve në këtë sektor.

“Qëllimi i këtij ligji është të promovojë Shqipërinë si destinacion turistik tërheqës për vizitorë vendas e të huaj, duke mbështetur zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm, duke siguruar që ofruesit e shërbimeve turistike të përmbushin kërkesat e turistëve, në një mjedis të shëndetshëm dhe të sigurt, dhe duke respektuar nevojat e komuniteteve pritëse të sotme dhe të brezave të ardhshëm. Ligji është fillim i mirë për turizmin. Do të japë më shumë mundësi për sipërmarrje për shfrytëzimin e territoreve të plazheve. Ne synojmë uljen e informalitetit dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve. Ky ligj vendos baza për standardizimin e hoteleve në bazë të yjeve duke rritur cilësinë e shërbimeve”, tha Ahmetaj.

Përsa i përket çështjes së prokurimeve për promovimin e këtij sektori, kreu i Ekonomisë tha se “ligji i ri i jep hapësirë prokurimit për aktivitetet promovuese të këtij sektori jashtë vendi”.

Në përfundim, anëtarët e Komisionit e rrëzuan dekretin e Presidentit Nishani për ligjin e turizmit me shumicë votash. Ky ligj do të shkojë në Parlament për miratimin e tij.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button