Ekonomia

Gjiknuri: Për herë të parë pas 20 vitesh po bëhen investime serioze në Fier

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri dhe administratori i OSHEE-së Adrian Çela inspektuan sot punimet që po kryhen për shtrirjen e rrjetit 20 kV në qytetin e Fierit.

Investimi shtrihet në më shumë se gjysmën e qytetit dhe ndikon në cilësinë e furnizimit me energji të mbi 9800 abonentëve.

Ministri i Energjisë Gjiknuri sqaroi se pagesat e shtuara të energjisë elektrike përkthehen në shërbim më të mirë dhe investime për qytetarët.

“Për herë të parë pas 20 vitesh po bëhen investime serioze në qytetin e Fierit. Do mund të kemi furnizim më të mirë, më pak humbje teknike. Pagesat e shtuara dhe ligjshmëria në sektorin e energjisë elektrike po japin mundësinë për të kryer investimet aq të nevojshme për përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve”, u shpreh Gjiknuri.

Sipas tij, në Fier do të bëhen edhe investime nga OST, duke e bërë qytetin një nyje të rëndësishme të këmbimit të energjisë. “Do të përmirësojmë edhe shërbimin ndaj klientit, në mënyrë që çdo ankesë e qytetarit të gjejë përgjigjen në kohë. Ky do të jetë synimi ynë për vitin e ardhshëm, vit në të cilin do të përfundojmë edhe pajisjen e plotë të konsumatorëve me matësa duke hequr faturimin aforfe”, deklaroi Gjiknuri.

Ndërkaq, Administratori i OSHEE-së Adrian Çela deklaroi se investimi përfshin rreth 39 kabina që do të rikonstruktohen dhe 9 të reja. “Do të transferohet e gjithë linja nga 6 në 20 kilovolt. Në total në Fier do investohen 412 milionë lekë të reja përfshirë rajonet Fier, Ballsh dhe Patoz. Ideja është që brenda vitit 2016 të kemi gjithë linjën në 20 kilovolt duke garantuar furnizimin më të mirë, ulje të defekteve dhe zbritje me 10% të nivelit të humbjeve teknike”, nënvizoi Çela.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button