Ekonomia

Nga janari 2017 sigurohen edhe depozitat e bizneseve në banka

Në janar të vitit që vjen do të hyjë në fuqi zgjerimi i skemës së sigurimit të depozitave nëpërmjet përfshirjes së depozitave të tregtarëve dhe shoqërive tregtare.

Burimet zyrtare të Agjencisë së sigurimit të depozitave bëjnë me dije se projektligji që rrit sigurinë për depozitat bankare të bizneseve synon të kontribuojë në forcimin e stabilitetit financiar nëpërmjet rritjes së bazës së depozituesve të mbrojtur nga skema si dhe rritjes së besimit të tyre në skemën e sigurimit të depozitave.  Në fund të vitit 2015 depozitat e shoqërive tregtare në sistemin bankar arritën në rreth 190 miliardë lekë.

Pjesë e rëndësishme e projektit për ndryshime ligjore të hartuar nga Agjencia janë edhe dispozitat që synojnë garantimin e qasjes së shpejtë të Agjencisë në likuiditet nëpërmjet rishikimit të së drejtës së saj për të shitur dhe riblerë tituj edhe tek Banka e Shqipërisë, si dhe koordinimin e ristrukturimit të shoqërive të kursim-kreditit dhe unioneve të tyre me afatin e përfshirjes së tyre në skemë nëpërmjet rishikimit të dispozitave kalimtare të ligjit në fuqi për sigurimin e depozitave.

Gjatë vitit 2015, sektori financiar i SHKK-ve ka pësuar ndryshime rrënjësore strukturore dhe rregullative, të cilat janë iniciuar nga Banka Botërore me qëllim konsolidimin dhe fuqizimin e këtij sektori. Për propozimin e kësaj nisme ligjore, Agjencia ka bashkëpunuar ngushtë me Autoritetin Mbikëqyrës si edhe me Bankën Botërore dhe shoqëritë e kursim-kreditit për ti përfshirë edhe ato në skemën e sigurimit.

Bazuar në Ligjin “Për sigurimin e depozitave”, Agjencia siguron deri në 2.500.000 Lekë depozitat e individëve në çdo institucion bankar i cili është anëtar i skemës së sigurimit. Agjencia, gjithashtu, siguron deri në 2.000.000 Lekë depozitat e individëve në çdo shoqëri kursim-krediti që është anëtare e skemës së sigurimit.

Tani projekti i ndryshimeve ligjore përfundoi fazën e konsultimit me institucionet shtetërore dhe është në fazën e shqyrtimit për miratim në instancat përkatëse ligjvënëse.

Gjatë vitit 2015, totali i depozitave të sistemit si edhe ato të individëve patën luhatje rritëse dhe zbritëse me norma të ndryshimit mujor relativisht të ulëta. Totali i depozitave në sistemin bankar arriti 1,061 mld lekë në fund të vitit 2015, krahasuar me 1,038.6 mld lekë që ishte një vit më parë, duke shënuar një rritje prej 22.6 mld lekë, ose 2.2%. Norma mesatare e ndryshimeve vjetore për shtatë vitet e fundit ishte 7.6%.

Në fund të vitit 2015, depozitat e siguruara në sistemin bankar ishin 591.1 miliard lekë ose 3.6% më të larta se një vit më parë. Në fund të vitit 2014, depozitat e siguruara në sistemin bankar ishin 570.5 miliard lekë ose 2.4% më të larta se vitin e mëparshëm.

Në fund të vitit 2015, raporti i mbulimit, i llogaritur si përqindje e fondit të sigurimit të depozitave në banka në krahasim me depozitat e siguruara, ishte 4.68%.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button