Kronika

Berisha non grata nga SHBA, ish-ministri i jashtëm tregon prapaskenat e vendimeve: Në DASH ka dosje për shumë drejtues të Shqipërisë!

Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo shprehet se Departamenti Amerikan i Shtetit ka materiale të bollshme për shumë politikanë shqiptarë që kanë drejtuar punët e vendit. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, zoti Milo është i mendimit se vendimi për të shpallur ishKryeministrin Berisha persona “non grata” në SHBA nuk është produkt i një njeriu të vetëm, qoftë ky edhe Sekretari i Shtetit, por një vendim institucional.

Zoti Milo, si e vlerësoni vendimin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, për shpalljen e ishPresidentit dhe ish-Kryeministrit Sali Berisha persona “non grata” për çështje të korrupsionit?

Vendimi i Sekretarit amerikan të Shtetit për shpalljen person “non grata” të zotit Sali Berisha është në traditën e politikës së jashtme të viteve të fundit dhe është zbatuar edhe për shumë e shumë persona të tjerë në botë, por edhe në Shqipëri. E veçanta është se bëhet fjalë për ish-Presidentin dhe ish-Kryeministrin e Shqipërisë, për njërin prej “top” listës së politikanëve shqiptarë të 30 viteve të tranzicionit shqiptar, për kryetarin e parë dhe themelues të Partisë Demokratike. Nuk mund të gjykoj thelbin e vendimit, sepse nuk di as se cilat janë argumentet, faktet e motivet që kanë përcaktuar marrjen e tij, përveç sa është dhënë në njoftimin e Sekretarit të Shtetit. Dhe me sa di, Departamenti i Shtetit nuk i bën ato të njohura për publikun. Është një vendim që për shkak të personit që i adresohet nuk ka qenë i lehtë për t’u marrë. Por jam i bindur që ky vendim duhet të jetë trajtuar me angazhimin e përgjegjësinë e madhe që kërkojnë raste të tilla. Mendoj që nuk është produkt i një njeriu të vetëm, qoftë ky edhe Sekretari i Shtetit, por një vendim institucional.

Si e shihni qëndrimin e zotit Berisha pas vendimit të DASH dhe ngritjen e një padie të tij ndaj Sekretarit amerikan të Shtetit?

Zoti Berisha është në të drejtën e tij që të mbrohet përballë një vendimi të tillë, sepse ai është i rëndë për një ishPresident dhe ish-Kryeministër jo vetëm në aspektin juridik, politik, por edhe moral. Ai më mirë se kushdo tjetër e di se çfarë ka bërë dhe si e ka bërë që të vihet para një vendimi të tillë. Mendoj se rruga që zgjodhi për të kundërshtuar këtë vendim është e ligjshme dhe qytetare. Është gjykata, nëse ajo ka kompetenca për të gjykuar raste të tilla, që do të vendosë për padinë e ngritur nga zoti Berisha në adresë të Sekretarit amerikan të Shtetit.

Si ish-ministër i Jashtëm, a keni dijeni nëse Departamenti Amerikan i Shtetit ka dosje edhe për politikanë të tjerë shqiptarë?

Nuk duhet krijuar keqkuptim me ekzistencën ose jo të dosjeve edhe për politikanët e tjerë shqiptarë. Po flas në fillim si studiues shumëvjeçar i historisë diplomatike të Shqipërisë që kam parë e grumbulluar shumë dokumente për mjaft liderë shqiptarë të së shkuarës në arkiva të huaja e sidomos në Arkivin Kombëtar Amerikan në Merilend. Është në praktikën normale të të gjitha misioneve diplomatike që të grumbullojnë të dhëna për udhëheqësit e vendeve në të cilat ato janë të akredituara, t’i përpunojnë ato, të bëjnë raporte e të japin rekomandime.

Këtë kanë bërë e bëjnë të gjitha misionet diplomatike amerikane në këto afro 100 vjet marrëdhënie diplomatike të SHBA-së me Shqipërinë. Përveç informacioneve, analizave e rekomandimeve të misioneve diplomatike në Shqipëri, si në çdo vend tjetër veprojnë edhe shërbime të inteligjencës, përfshirë edhe të CIA-s, të cilat merren edhe me grumbullimin e fakteve e të opinioneve që janë sekrete dhe që ndër të tjera, kanë objekt edhe udhëheqësit shtetërorë e politikë të vendit ku shërbejnë. Në Arkivin Kombëtar Amerikan ka dosje të shumta për Ahmet Zogun dhe për një numër veprimtarësh politikë të kohës së tij e të Luftës së Dytë Botërore. Disa nga këto dosje janë ende pjesërisht të klasifikuara dhe ka prej tyre që nuk hapen kurrë.

Aty ka dosje që kolegët e mi historianë i kanë parë edhe për Enver Hoxhën, për udhëheqësit e Ballit Kombëtar, për përfaqësuesit e emigracionit politik shqiptar në kohën e komunizmit etj. Pra është në traditën normale të diplomacisë e jo vetëm amerikane që të krijojë dosje, të hapura në bazë të ligjit, por edhe të mbyllura, që përdoren kur duhet për arsye të veçanta e interesa shtetërore. Prandaj, në përfundim të pyetjes suaj nisur nga përvoja si studiues e në logjikën e traditën e diplomacisë, mund të them pa mëdyshje se në arkivin e Departamentit të Shtetit e jo vetëm aty ka dosje edhe për politikanët shqiptarë në kuptimin e informacioneve nga takimet që janë bërë me ta në Tiranë e në Uashington apo Nju Jork, ka informacione nga burime të treta, ka analiza e rekomandime që ka bërë rregullisht Ambasada amerikane në Tiranë apo drejtoria përkatëse që mbulon Shqipërinë në Departamentin e Shtetit.

Ka gjithashtu edhe shumë dokumente që kanë të bëjnë me mendime e udhëzime të udhëheqjes së Departamentit apo edhe informacione e rekomandime që vijnë nga Shtëpia e Bardhë. Prandaj, askush nuk duhet të habitet që në Departamentin e Shtetit ka shumë lëndë për këdo që ka qenë në krye të punëve në Shqipëri, e cila mund të përdoret për qëllimet operative të politikës amerikane, por mund edhe “të flejë” për shumë kohë ose për gjithnjë.

Mendoni se momenti kur Sekretari amerikan i Shtetit bëri publik vendimin për ish-Kryeministrin Berisha ka një sfond politik apo lidhet me politikën e brendshme në Shqipëri, nëse nisemi dhe nga deklaratat e Kryeministrit Rama dy vjet më parë, i cili tha se Sali Berishës i është ndaluar të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës?

Patjetër që vendimi i Sekretarit të Shtetit bëhet në një kontekst politik. Mund ta kem gabim, por edhe për Departamentin e Shtetit nuk ka qenë e lehtë të shënjestrojë zotin Berisha jo thjesht për çfarë ka përfaqësuar e përfaqëson në politikën shqiptare, por edhe për Shqipërinë, që është ndër vendet më mike që kanë Shtetet e Bashkuara.

Por me sa duket, rezervat që janë grumbulluar ndër vite dhe që pjesërisht edhe janë bërë publike nga Departamenti i Shtetit në momente të caktuara për çështje të ndryshme, kanë kapërcyer cakun kritik dhe është gjykuar që të bëhen publike në mënyrë të sintetizuar. Hamendësime mund të ketë shumë për të gjetur arsye për përmbajtjen e vendimit apo kohën e përzgjedhur për ta bërë të njohur atë. Pa rënë në spekulim, mendoj se po bëhen përpjekje për ta ndihmuar Shqipërinë të mbyllë etapën e gjatë të një tranzicioni sfilitës për të dhe shoqërinë, për shkak se klasa politike shqiptare ka dështuar në mënyrë spektakolare për të ndërtuar një shtet ligjor e funksional.

Është momenti që të fillojë faza e shumëpërfolur e zbatimit të plotë të ligjit për të gjithë e për të treguar se Reforma në Drejtësi ka pasur e ka një qëllim që të sjellë rezultate të prekshme. Mendoj se është fillimi i një “katharsis” në politikë që nuk ka vetëm për synim luftën konkrete ndaj korrupsionit e krimit të organizuar, por edhe shumë më tepër: sigurinë strategjike të Shqipërisë si një vend pro-amerikan në një rajon që ka filluar të trazohet përsëri nga rivalitetet e aktorëve të mëdhenj ndërkombëtarë e rajonalë. Stabiliteti në Shqipëri ka prevaluar për fat të keq në kurriz të demokracisë në këto 30 vite. Tani është koha që ato të ecin bashkë me një ritëm e për një qëllim. Por do të ishte gabim të mendohej se këtë mund ta bëjë një grup njerëzish, të çfarëdo ngjyre qofshin. Duhet një “revolucion” në mendjen e shqiptarëve që të ngrenë ndërgjegjen e të kuptojnë se janë ata që duhet të marrin fatin e tyre në duart e tyre. Është koha që ata duhet të varrosin deficitet e mëdha të historisë në formimin e ndërgjegjes kombëtare në kulturën demokratike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button