Bota

Hillary flet për humbjen: Nuk doja të dilja më nga shtëpia

“E pranoj që të vija këtu nuk ishte një gjë e lehtë për mua. Ka patur plot ditë këto javë që e vetmja gjë që doja ishte të qëndroja në shtëpi, të lexoja ndonjë libër, të merresha me qentë dhe të mos dilja fare jashtë dyerve të saj”.

Këto janë fjalët që ish-Sekretarja e Shtetit ka thënë gjatë një fjalimi që mbajti në një shtëpi bamirësie për fëmijë në Uashington, çka shënon daljen e parë të saj publike pas fjalimit kur pranoi humbjen.

Clinton fitoi votën popullore, por me sistemin zgjedhor amerikan kjo nuk mjafton për të fituar presidencën. Ajo më tej vazhdoi:

“Unë e di se shumë nga ju janë të zhgënjyer nga rezultati i zgjedhjeve. Edhe unë po ashtu, aq shumë saqë fjalët s’e përshkruajnë dot. E di që kjo nuk është e lehtë, e di që javët e fundit shumë njerëz kanë pyetur veten: A është Amerika vendi që ne mendonim se ishte?”, vijoi ish-Zonja e Parë.

Në fjalimin e saj të humbjes më herët, Clinton pranoi se Donald Trump duhet t’i jepet mundësia për të qeverisur. Që atëherë ajo ka ruajtur privatësinë dhe daljet e saj nga shtëpia kanë qenë të pakta, përveç shëtitjeve me Bill Clinton në pyllin e Chappaqua, në Nju Jork.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button