Ekonomia

Sipërmarrjet gjermane vlerësojnë klimën e biznesit në Shqipëri

Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë (DIHA) publikoi të martën rezultatet mbi klimën e biznesit në Shqipëri për vitin 2015, bazuar në anketimet e anëtarëve të kësaj shoqate.

Drejtoresha e DIHA-s, Annete Kasten tha se krahasuar me një vit më parë Shqipëria vlerësohet më mirë si vend për të bërë biznes, por aktualisht të anketuarit nuk janë të inkurajuar për investime të reja.

19 % e të anketuarve e vlerësojnë “më mirë” situatën ekonomike, ndërkohë që vitin e kaluar këtë vlerësim e kishin vetëm 13 % e biznesve. 34 % e kompanive vlerësojnë situatën ekonomike si “të kënaqshme”, ndërkohë që 47 % e të anektuarve e vlerësojnë atë “si negative”, vlerë kjo që në vitet 2013 e 2014 ishte mbi 60%.

Ambasadori gjerman Foto Agim Dobi (2)Gjithashtu, Kasten theksoi se përsa i përket së ardhmes së ekonomisë shqiptare në përgjithësi, kompanitë shpresojnë në përmirësimin e situatës.
Vlerësimet e faktorëve, të cilët ndikojnë në zgjedhjen e një destinacioni investimesh janë përmirësuar pothuajse të gjithë. Ashtu edhe si në vitet e mëparshme, bizneset vlerësojnë me notë maksimale motivimin dhe kualifikimin e fuqisë punëtore shqiptare. Për më tepër një ndryshim pozitiv dallohet edhe tek faktorët që më parë shiheshin në mënyrë shumë kritike, si “administrata shtetërore” dhe “barra tatimore”. Faktori “siguri ligjore” ka patur edhe kapërcimin më të madh në këtë shkallë vlerësimi.

Më pak pozitive duket të jetë situata e vetë bizneseve. Vetëm 23 % e bizneseve deklarojnë se situata e tyre është përmirësuar, ndërkohë që në vitin 2014 kjo shifër arrinte në 36 %. Për 48 % të të anketuarve situata ka qëndruar e pandryshuar, ndërsa 29 % e tyre e shohin si të përkeqësuar .

Ambasadori gjerman Foto Agim Dobi (1)Ky vlerësim, sipas DIHA-s, përbën edhe një kthesë në vlerësimin e situatës së kompanive, duke qenë se gjatë 5 viteve të fundit, të anketuarit kanë qenë më kritikë ndaj zhvilimit të vendit dhe më optimistë përsa i përket biznesve të tyre. Kjo shpjegon edhe një rënie të dëshirës për të riinvestuar apo për të rritur numrin e punonjësve. Për më tepër, vetëm 66 % e biznesve që operojnë tashmë në Shqipëri, do të investonin sërish në këtë vend, ndërkohë që më parë kjo shifër ka qënë mbi 80 %.

Ambasadori gjerman në Tiranë, Helmut Hoffman i pranishëm në aktivitet u shpreh se tendenca e zhvillimit ekonomik në vend është qartësisht pozitive. “Ne ndjekim me interes anketimin e DIHA-s”, tha ai.

Ky anketim vjetor, i cili u plotësua nga kompanitë anëtare të DIHA-s, në periudhën 2 shkurt deri më 2 mars paraqet një vlerësim të vitit të shkuar si dhe një parashikim për vitin në vazhdim. Element i rëndësishëm i këtij pyetësori është vlerësimi i faktorëve, të cilët janë vendimtarë në zgjedhjen e një vendi për të investuar.

Anketimi për Klimën e Biznesit është një realizim i përbashkët dhe me të njëjtën gamë pyetjesh, i 16-të Dhomave Gjermane të Tregtisë me Jashtë në Europën Qëndrore dhe Juglindore dhe plotësohet në të gjitha vendet e rajonit në të njëjtën kohë.

Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) është një shoqatë e pavarur, e krijuar nga kompani të ndryshme në përputhje me legjislacionin shqiptar, me seli në Tiranë.

DIHA përfaqëson interesat e biznesit gjerman në Shqipëri. Ajo nxit marrëdhëniet bilaterale të biznesit dhe jep konsulencë për kompanitë gjermane dhe shqiptare në lidhje me bashkëpunime të mundshme dhe zhvillime të tregut. DIHA është e lidhur me rrjetin e Dhomave Gjermane të Tregtisë me Jashtë (AHK). AHK është në të gjitha ato vende, të cilat janë me interes për ekonominë gjermane, pra në 90 shtete me rreth 130 zyra në të gjithë botën.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button