Kronika

Gjykata e dënoi me 3 vite burg, vetëdorëzohet në polici ish kryebashkiaku Fran Frrokaj

Ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj, është dorëzuar në Polici, pasi Gjykata e Apelit të Shkodrës e dënoi atë me vendim të formës së prerë me 3 vite burg, i shpallur fajtor për “shpërdorim detyre” në lidhje me tjetërsim e pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin.

Pavarësisht dënimit me burg, Frrokaj u largua nga salla e gjyqit pa u arrestuar, ndërsa Policia ishte në kërkim të tij për ekzekutimin e vendimit të Apelit. Sipas avokatit të ish-kryebashkiakut, Frrokaj nuk ishte arratisur dhe se i ka lajmëruar vetë ai autoritetet që të kryejnë proceduart për dorëzimin e tij.

Hetimet për tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin kanë nisur në vitin 2017-të, kur në prokurori u denoncua tjetërsimi i 234 mijë e 548 metër katrore tokë shtetërore ranishte. Fillimisht në këtë çështje sëbashku me kryebashkiakun u arrestuan edhe 22 persona të tjerë, por në gjykatë dosja u dërgua për 18 persona, nga të cilët vetëm një u shpall i pafajshëm.

Gjykata gjeti fajtorë dhe 16 zyrtarë e qytetarë të përfshirë në tjetërsimin e 234 mijë metrave tokë në bregdetin e Ranës së Hedhun në Shëngjin, por duke bërë disa ndryshime nga vendimi i dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë. Për ish-nënkryetarin e Bashkisë Enver Hafizi dhe ish-juristin e bashkisë Ardenis Haxhia dënimi me burg u konvertua me shërbim prove, ndërsa ish-futbollisti Renato Malotaj i cili u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Lezhës u dënua nga apeli me 1 vit shërbim prove. Ndërsa për 13 personat e tjerë, Apeli la në fuqi vendimet e Gjykatës së Shkallës së parë Lezhë e cila i kishte dënuar nga 1 deri në 3 vite burg.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button