Opinion

Strasburgu rihapi 21 janarin

Skender Minxhozi

Natën e 21 janarit 2011, teksa prokuroria vinte rrotull Kryeministrisë me ndrojtje për të marrë provat e para materiale të krimit shtetëror që sapo kishte ndodhur në bulevard, vetë shteti po fillonte të kujdesej për të humbur gjurmët dhe kthyer rrotën e historisë. Serverat u pastruan, fletë-ndalimet e prokurores Ina Rama për gardistët u kthyen mbrapsht ndërkohë që Berisha, Basha dhe juristët-skuthë të partisë (sa shumë të tillë ka në atë godinë) përgatiteshin të fabrikonin “kujen” sa komike, aq edhe kriminale të grushtit të shtetit. Në 72 orët që do pasonin, togëfjalëshat “zinxhir komandues”, “puçist opozitar”, terrorist i kuq, perimetër godine, çadër pistoletë, thika me helm etj, do të dëgjoheshin deri në mërzi nga propoganda zyrtare.

Asgjë nga këto nuk është e panjohur sot. Por asgjë nga këto s’i ka shpëtuar pas 12 vjetësh syrit të ftohtë të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, e cila shqyrtoi edhe një herë nga e para krimin shtetëror të 21 janarit, pas padisë së familjarëve të Aleks Nikës. Dhe verdikti është sa i akullt aq edhe tragjik: shteti vrau duke tejkaluar kompetencat, qeveria prishi provat shkresore e filmike, mori nën sqetull të dyshuarit si ekzekutorë dhe sulmoi e pengoi me sa mundi hetimin e prokurorëve. Asgjë nuk mbetet praktikisht në këmbë nga sentencat anemike që drejtësia shqiptare ka prodhuar deri më sot për 21 janarin, pas këtij vendimi të Strasburgut.

De facto para nesh shfaqet një ngjarje e hetuar në mënyrë hipokrite dhe duke fshehur fajësinë e autorëve kryesorë, një tragjedi e shkaktuar me dorën e shtetit, e cila është tentuar rregullisht të kamuflohet nga vetë shteti. “Gjykata nuk mund të pranojë argumentin se mbrojtja e një ndërtese në vetvete përbënte bazë legjitime për përdorimin e forcës vdekjeprurëse,” thotë përmbledhja e vendimit të shpërndarë për mediat. Një frazë asgjesuese për gjithkënd ndër ata që sot ankohen se nuk i lenë të hyjnë në sallën e mbledhjeve në Kuvend, e të cilët asokohe i janë futur me zell mbulimit të një krimi. Deputetë, ministra, partiakë, shumica prej tyre juristë e shtetarë me CV të gjatë. Të gjithë të vënë nën urdhër nga Berisha për të mbuluar me hi gjurmët e gishtave mbi krimin makabër të 21 janarit.

Vendimi i Gjykatës së Strasburgut na thotë hapur dhe qartë se procesi i 21 janarit është ende i pahetuar dhe gjykuar. “Dhoma gjeti se çështja e përgjegjësisë së mundshme të zinxhirit komandues nuk ishte zbardhur nga hetimi përkatës, i cili ishte përqendruar në përgjegjësinë individuale të oficerëve të Gardës,” thuhet në njoftimin e gjykatës.

Dhe gjyqtarët e Strasburgut e dinë përsenë e moszbardhjes së përgjëgjësive, kur deklarojnë se “së pari, zyrtarë të lartë kishin bërë disa deklarata publike të nxituara menjëherë pas incidentit, duke thënë se viktimat ishin qëlluar në distancë të afërt dhe me lloje armësh të ndryshme nga ato në përdorim nga Garda dhe policia. Prokurorja e Përgjithshme i ishte nënshtruar kritikave të ashpra nga Kryeministri i atëhershëm dhe nga një komision hetimor parlamentar i cili kishte nisur punën paralelisht me hetimin penal. Një qasje e tillë pati një ndikim negativ në efektivitetin e hetimit, në veçanti për shkak të potencialit për t’i dekurajuar dëshmitarët për të bashkëpunuar me hetimin”.

Një ngjarje e konsumuar në sytë e opinionit publik shqiptar, e mbuluar duke prishur provat dhe duke kërcënuar prokurorinë e gjykatat – ja çfarë del nga vendimi i Gjykatës së Strasburgut në lidhje me 21 janarin. Një arsye mëse e mjaftueshme për t’i rikthyer borxhin historik viktimave dhe familjeve të tyre, duke rihapur 21 janarin.

Sot Shqipëria është përfshirë në një retorikë kombëtare që kërkon luftën ndaj korrupsionit e keqqeverisjes. Jetojmë në epokën e SPAK-ut siç thuhet. Gjithçka e nevojshme, edhe pse e vonuar. Por edhe hetimi e dënimi i krimeve penale ka një radhë: vrasjet në fillim, vjedhjet menjëherë pas tyre. Të gjithë duhen dënuar, por është e padurueshme që protagonistët e 21 janarit sot kërkojnë komisione hetimore, ndërkohë që 12 vjet më parë ngritën një të tillë për vete, për të mbuluar një vrasje kolektive në mes të Tiranës. Strasburgu na vjen në ndihmë ta shërojmë këtë lloj cinizmi, duke gjetur vendin e secilit në obeliskun kombëtar të fajeve e përgjegjësive. Rihapni 21 janarin!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button