Opinion

Greqi-Eurozonë, kriza vazhdon

Prof. Dr. Anastas Angjeli
Prof. Dr. Anastas Angjeli

Ju ktheva kësaj çështjeje në këtë shkrim jo vetëm se sot kjo është “çështja e ditës” dhe implikimet e saj janë shumë dimensionale, por edhe për faktin se gati dy vjet e gjysmë më parë, kur përfundova librin “Në Ethet e Krizës”, edhe pse tonet optimiste të drejtuesve të Eurozonës në fund të vitit 2012 na i dhanë këtë shpresë, (kujtoj këtu kreun e Eurogrupit Zhan-Klod Junker, i cili duke iu referuar faktit se Greqia do të merrte këstin e ardhshëm të parave të gatshme në 13 dhjetor 2012 theksoi se: “Marrëveshja nuk ka të bëjë vetëm me paratë. Është premtimi për një të ardhme më të mirë për popullin grek dhe për zonën Euro si një e tërë”. Edhe presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, duke përshëndetur atë marrëveshje, tha se kjo do të forconte besimin në Europë dhe në Greqi. Komisioneri i Bashkimit Europian për çështjet ekonomike dhe monetare, Olli Rehn, deklaroi se: “Për Eurozonën ky ishte një test i vërtetë i kredibilitetit tonë, për aftësinë tonë për të marrë vendime për çështjet më sfiduese . Dhe kjo ishte një provë që ne nuk mund të dështojmë”). E pra u duk se po futeshim në rrugën e zgjidhjes përfundimtare të kësaj krize të madhe, (unë padyshim u bashkova me këtë shpresë), prandaj në fund të këtij botimi theksova; “….Le të shpresojmë dhe të shohim çfarë do të ndodhë në ditët, muajt dhe vitet që do të pasojnë…..”. Dhe koha kaloi.

ÇFARE NDODHI DHE ÇFARE PO NDODH DY VJET E GJYSEM ME PAS?

Të gjithë jemi të njohur me ndryshimet politike dhe ardhjen në pushtet të partisë SYRIZA dhe Qeverisë të drejtuar nga Kryeministri Tsipras. Por përpjekjet e tij për të zbatuar programin ekonomik të bazuar në një filozofi të majtë sociale dhe premtimet e bëra elektoratit ndeshën në përballje shumë të vështirë me kreditoret dhe Eurogrupin për çështjen e borxhit. Gjatë gjithë këtyre muajve Greqia vuri në lëvizje diplomacinë politike dhe ekonomike, negociata pafund. Takime dypalëshe dhe samite, takime të Eurogrupit, diskutime dhe analiza, qëndrime të ashpra të FMN, etj, etj.

Por a është e gjithë kjo një “Lojë nervash” apo një qëndrim konsekuent i Eurogrupit dhe kreditorëve për ta “kanalizuar” qeverinë e zotit Tsipras në rrugën e masave shtrënguese dhe të një sërë reformash drejt qendrës?

Duket se diferencat më të mëdha të qëndrimeve të qeverisë greke dhe të kreditorëve rrjedhin kryesisht nga diferencat e ideologjisë politike. FMN, Banka Qendrore Evropiane dhe BE padyshim që në këtë rast (pas një krize të stërgjatur) mëshojnë më shumë për zbatimin e politikave shtrënguese neoliberale dhe realizimin e disa reformave të rëndësishme ekonomike e financiare. Ndërkohë që qeveria e majtë e SYRIZA-s në qendër të politikave të saj përpiqet t’i qëndrojë konsekuente politikave të majta, sociale dhe progresiste, që me situatën e financave publike dhe të borxhit që ka, nuk është e lehtë të plotësohen. Me gjithë negociatat e zhvilluara dhe lëshimet e bëra (edhe në këto takime të fundit të Eurogrupit që u zhvilluan deri dje që u pezullua takimi) duket se çfarëdo lëshimesh të mëtejshme që mund të bëjë qeveria greke, nuk po jepen ende garanci se kreditorët do të “kënaqen”..

Nga pikëpamja e taktikave që përdorin, të dyja palët, gjatë negociatave që po zhvillohen 4 muajt e fundit, ngjan si ajo që në teorinë e negociatave quhet “The game of chicken”, pra kush do të tërhiqet i pari nga përplasja ndërmjet të dy lojtarëve. Kreditorët kërcënojnë me falimentim nëse nuk ndërmerren masat që kërkojnë, ndërsa qeveria greke kërcënon po me falimentim nëse nuk arrin të ndërmarrë politikat e saj me karakter social.

Në këndvështrimin e implikimeve gjeopolitike duket disi më komplekse dhe intriguese. Në lojë, sigurisht kanë hyrë edhe lojtarët e mëdhenj (dhe nuk ka se si të ndodhte ndryshe ) si SHBA dhe Rusia apo edhe Kina. SHBA, një mike dhe aleate tradicionale e Greqisë, nga ana e saj nuk ka dashur dhe nuk do një Greqi të destabilizuar (destabilizim ekonomik dhe politik që do të vinte në rast se Greqia do të ndalonte të paguante kreditorët). Greqia pra është dhe duhet të mbetet një aleat strategjik dhe tradicional i SHBA në një rajon shumë të trazuar. Europa nuk mund të bëjë hap prapa. Nga ana tjetër Rusia kërkon rritje të ndikimit të saj në rajon dhe të ringjallë më shumë lidhjet e saj tradicionale me Greqinë duke shfrytëzuar situatën e rëndë ekonomike të Greqisë. Kjo për të rivitalizuar marrëdhëniet politiko-ekonomike ndërmjet dy vendeve.?! Vetëm përpara pak ditësh u nënshkrua një memorandum në lidhje me gazsjellësin e ri “Turk stream” që do të sjellë gaz në Evropë dhe që konkurron TAP-in. Një gjë e tillë s’ka si të jetë e mirëpritur nga SHBA dhe BE dhe vende të tjera të angazhuara në projektin TAP. Njëherësh dhe për investimet kineze në Portet e Greqisë, megjithëse kjo është çështje e brendshme e Greqisë. Tendencat e influencave ekonomike të Rusisë dhe Kinës po rishfaqen dhe në vendet e tjera të Ballkanit?! A nuk janë këto një arsye më shumë të arritjes së një kompromisi Eurogrup-Greqi ? Unë besoj qe po.

Pikat më të mprehta të mosmarrëveshjes (përveç atyre ideologjike që qëndrojnë në thelb) ndërmjet qeverisë greke dhe kreditorëve kanë të bëjnë kryesisht me uljen e shpenzimeve qeveritare. Këto, në një një kohë kur papunësia ka tre vite që mbetet e pandryshuar në afërsisht 28% ulje e mëtejshme e tyre do të thotë zhytje më e madhe në varfëri.

PO CILAT JANE KONKRETISHT MASAT E PROPOZUARA NGA KREDITORET?

Pikat kryesore të planit të kreditorëve ofruar Qeverise Greke janë:

Suficit primar: Objektivi është prej 1% për vitin 2015, 2 % për vitin 2016, 3% për vitin 2017 dhe 3,5 për vitin 2018.

Ndryshime në TVSH që nga data 1 korrik 2015 me qëllim rritjen e të ardhurave me 1% të GDP-së (1,8 miliardë në vit). Do të ketë tre nivele 23%, 13% dhe 6%.

Rrija e taksës për bizneset nga 26 në 28%.

Heqja e kompensimit të naftës për fermerët.

Ulje me 50% e shpenzimeve për kompensimin e ngrohjes.

Të ardhura 2,65 miliardë Euro nga Taksa e Pasurisë së Patundshme (ENFIA) për vitin 2015 dhe 2016.

Për pensionet rritje graduale e kufirit të moshës së daljes në pension në 67 ose në 62 vjeç me 40 vite punë deri në vitin 2022.

Heqje graduale e Asistencës së Solidaritetit Social për Pensionistët (EKAS) për të gjithë pensionistët deri në fund të vitit 2019.

Rritje e kontributeve të pensionistëve nga 4% në 6% për sigurimin shëndetësor.

Reformë në sistemin e sigurimeve shoqërore.

PO PLANI I QEVERISE GREKE?

Plani i qeverisë greke për të zvogëluar hendekun që ekziston ndërmjet saj dhe kreditorëve përmban masa kursim prej rreth 8 miliardë Eurosh për dy vitet e ardhshme. Në dukje dhe në thelb masat janë të rënda, por sidoqoftë është bërë disi kujdes në mënyrë që barra më e madhe të mos bjerë mbi shtresat në nevojë.

Më konkretisht qeveria greke u propozon kreditoreve:

Nga 1 Korriku do të hyjë në fuqi TVSH-ja e re e cila do të ketë 3 nivele, 23%, 13% dhe 6%. Energjia elektrike, uji dhe qiratë do vendosen në nivelin e mesëm, ilaçet librat dhe disa produkte të tjera në nivelin e ulët. Me këto masa parashikohen të mblidhen 1,36 miliardë Euro (0.74% e GDP-së) për 2016 dhe 680 milionë Euro (0,38% e GDP-së) për vitin 2015.

Masa kursimi 1,8 miliardë Euro nga sistemi i pensioneve 1,05 e GDP-së për vitin 2016 dhe 0,37% e GDP-së për vitin 2015. Kufizim i pensioneve të parakohshme, 300 milionë për vitin 2016 dhe 60 milionë për vitin 2015. Rritje e kontributeve për pensionet IKA me 3,9% (kursehen 800 milionë Euro për vitin 2016 dhe 350 milionë Euro për vitin 2015). Rritje e kontributeve për sigurimet shëndetësore nga 4% që është sot në 5% (kursehen 270 milionë Euro për vitin 2016 dhe 135 milionë Euro për vitin 2015). Rritje e kontributeve të pensionistëve për sigurimet shëndetësore të pensioneve suplementare nga 0 që është sot në 5%.

Taksa për bizneset dhe taksa për rrogat (Do të mblidhen të ardhura që janë baras me 0,58 të GDP-së për vitin 2016 dhe 0,66 për vitin 2015. Taksë e veçantë 12% mbi fitimin për bizneset me të ardhura mbi 500.000 Euro. Rritje e taksimit mbi bizneset nga 26% që është sot në 29%,.

Ulje e shpenzimeve ushtarake me 200 milionë Euro për vitin 2016.

Taksë mbi reklamat televizive (Do të mblidhen 100 milionë Euro për dy vitet e ardhshme).

Rritje e taksës së luksit mbi jahtet private. (Do të mblidhen 47 milionë Euro për dy vitet e ardhshme).

Rritje e taksës mbi lojërat e fatit. (Do të mblidhen 225 milionë Euro për vitin 2016 dhe 35 milionë Euro për vitin 2015).

Dhënie e licencave për rrjetet celulare 4g dhe 5g. (Do të mblidhen 350 milionë Euro për vitin 2016).

Sipas qeverisë megjithëse këto masa nuk përmbaheshin në programin qeverisës, ato erdhën pas negociatave të shumta dhe të ashpra me kreditorët. Ndërkaq, masat po vazhdojnë të diskutohen në Eurogrup (ndonëse Qeveria greke nuk ka rënë dakord). Megjithëse diferencat nuk janë të mëdha ndërmjet të dyja palëve, ende nuk ka një vendim për t’ju paraqitur samitit të këtij fund muaji. Në funksion të vendimit që do të merret (pozitiv) Komisioni Evropian ka parashikuar një paketë prej 35 miliardë Eurosh (e ashtuquajtura Paketë Junker) të destinuar për Greqinë në mënyrë që të përdoren për rimëkëmbjen e ekonomisë greke.

Natyrisht historia nuk përfundon me kaq. Analizat, procedurat, supozimet dhe hamendësitë vazhdojnë. Nëse do të ketë dakortësim, pritet që këto masa te votohen në Parlamentin grek dhe më pas në parlamentet e Eurozonës. Natyrisht jo e lehtë të bindet pjesa më radikale e grupit parlamentar të SYRIZA-s. A do ti mbështesin partitë e tjera e sidomos Nea Demokracia dhe Potami, që kanë deklaruar se do të votojnë pro për çfarëdo paketë që qeveria do të sillte?.. Do të krijonte idenë e “një lëshimi” në mohimin disi të identitetit të saj! Pse jo? Për një gjë kaq madhore , për të shpëtuar vendin, mbase është e nevojshme.

Nga ana tjetër skenarët për një referendum popullor për masat që do merren, një qeveri me bazë të gjerë apo sidomos nëse do të ketë qëndrim “ekstrem?!”, të tipit të shumëpërfolur “Grexit”, pra dalja nga euro dhe kalimi në një monedhë kombëtare (Dhrahmi apo Geuro siç propozonte tre vjet më parë Thomas Majer-krye ekonomist i Deutsche Bank) në samitin e fundmuajit, duhen konsideruar. Në këtë rast, implikimet, siç paralajmëron edhe Standard & Poor’s, do të jenë përtej Greqisë edhe më gjerë. Natyrisht te padëshirueshme për askënd. Prandaj konsensusi duhet arritur. Greqia është dhe ka nevojë për Europën. Europes i duhet Greqia. Çelësi i zgjidhjes mesa duket është kompromisi, i cili nuk mund të jetë jashtë duarve të SHBA dhe Gjermanisë. Le të presim samitin..

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button