Kronika

Format i ri për përzgjedhjen e prokurorëve të ardhshëm, zhvillohet testimi

Rreth 30 kandidatë për 4 vende vakante për prokurorë në disa rrethe gjyqësore ishin pjesë e testimit që po zhvillohet sot me procedurën e re me dy faza në Prokurorinë e Përgjithshme.

Faza e parë është testimi teorik para komisionit përkatës të testimit, i përbërë nga prokurorë me përvojë dhe pedagogë në Shkollën e Magjistraturës. Ndërsa faza e dytë është seancë dëgjimore para Këshillit të Prokurorisë për kandidatët që marrin pikët e mjaftueshme në testin teorik.

Kjo procedurë, njofton zyra e shtypit të Prokurorisë, e cila është miratuar me Udhëzimin nr. 3, dt. 11.02.2015, “synon që prokurorët e ardhshëm të jenë persona me aftësi të larta profesionale dhe personale, për të qenë në lartësinë e nevojshme për të zhvilluar hetime të plota, si edhe për të prezantuar denjësisht Prokurorinë para gjykatës dhe në raport me të tretët”, u shpreh Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, në fjalën e tij përshëndetëse para fillimit të testimit të sotëm për vende vakante në Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore Sarandë, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier.

Llalla theksoi se “kjo formë testimi për prokurorë, e cila po aplikohet për herë të parë, është më e vështirë se sa ka qenë deri më tani. Por, po aq të bindur jemi edhe për faktin se prokurorët që do të dalin nga procedura e sotme dhe në procedurat në vijim, do të kenë kapacitetet jo vetëm për të përfaqësuar akuzën në gjyq, por në një të ardhme jo shumë të largët mund të kenë edhe pozicione drejtuese brenda sistemit”.

Më tej, Llalla theksoi rëndësinë e përzgjedhjes së kandidatëve më të mirë për të qenë prokurorët e së ardhmes, duke rikujtuar se ky pozicion ka një rëndësi shumë të madhe në jetën publike të vendit. “Prokuroria shqiptare ka marrë tashmë rolin lider, më konkretisht atë që i takon, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Opinioni publik dhe partnerët ndërkombëtarë besojnë se institucioni i prokurorisë ka rol kyç në forcimin e shtetit ligjor dhe demokracisë në Shqipërisë. Për këto arsye, institucioni i prokurorisë synon të forcojë radhët e saj me persona që kanë kapacitete të larta profesionale dhe morale”, u shpreh Prokurori i Përgjithshëm.

Në bazë të Udhëzimit “Për procedurën e konkurimit për kandidatët për prokurorë që kanë punuar gjyqtarë, prokurorë ose oficerë të policisë gjyqësore”, konkurimi  kryhet në dy faza: Me shkrim, i cili administrohet nga Komisioni i Testimit dhe Seanca dëgjimore nën administrimin e Këshillit të Prokurorisë.

Sipas procedurave të reja, vlerësimi i testimit (me shkrim dhe seancë dëgjimore) është maksimumi 100 pikë. Vlerësimi për testimin me shkrim është maksimumi 75 pikë. Vlerësimi për seancën dëgjimore është maksimumi 25 pikë.

Kandidati kualifikohet për të vijuar procedurën konkuruese nëse, në përfundim të testimit me shkrim, ka marrë minimumi 45 pikë.  Pas testimit teorik, kandidatët e kualifikuar në fazën e parë zhvillojnë një seancë dëgjimore para Këshillit të Prokurorisë, ku kjo strukturë siguron informacion mbi përvojat e kandidatëve, përvojat e punës dhe objektivat e tyre.

Në procedurën e mëparshme, kandidatët për prokurorë paraqiteshin para Këshillit të Prokurorisë, i cili jepte vlerësimin e tij në bazë të dosjes personale dhe përvojës së punës.

Ndërsa formati i ri i rekrutimit të prokurorëve synon të forcojë rregullat dhe normat për afrimin e personave që përmbushin më së miri kërkesat ligjore dhe normat e nevojshme etike për këtë funksion.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button