Te ndryshme

Lufta e meksikanëve të braktisur ndaj karteleve të drogës

Ka një vit që stacioni i policisë në qytetin meksikan të Tlapehuala-s është mbyllur dhe në të nuk ka këmbë punonjësi të forcave të rendit. Banorët, në rast emergjence, nuk kanë kë të telefonojë apo t’i kërkojnë ndihmë. Tani ligjin e bën shefi lokal i familjes mafioze të “Familia Michoacana”. Nga të gjithë njihet si Komandanti X dhe përveç biznesit fitimprurës, angazhohet edhe për qetësinë brenda vendit. “Ky qytet është pikë kalimi për anijet e drogës. Asgjë më e keqe sesa kjo nuk ndodh këtu”, sqaron shefi 49-vjeçar. “Përpara se unë të merrja kontrollin, qyteti kontrollohej nga banda ‘Tequileros’, që çdo ditë rrëmbente dy a tre persona dhe kjo çoi në largimin e tre mijë banorëve. Por tani që ne jemi këtu, komuniteti është shumë paqësor.”

Realisht, Tlapehuala ka një qetësi të çuditshme dhe të frikshme. Biznesi ka ngecur, ndërkohë që përgjatë rrugës janë rreshtuar shtëpi dhe biznese gjysmë të ndërtuara. Kjo, sepse pronarët kanë braktisur projektet, pasi nuk kanë mundur të paguajnë këstet e parave të kërkuara nga “La Familia”. “Ne kemi nevojë për pagesat e tyre. Sicariot (vrasësit) që ruajnë qytetin duan të hanë, kanë rroga për të marrë. Nuk punon njeri falas sot”, thotë Komandanti X.

Qyteti Tlapehuala është në pjesën jugore të shtetit meksikan Guerrero, që statistikat e tregojnë si hapësira me më shumë vrasje në Meksikë. Por ky vend është i njohur më shumë si kryeqyteti i heroinës. Kjo zonë është epiqendra e luftës së drogës mes karteleve meksikane. Policia i konsideron si disa nga grupimet më brutale, e secila prej tyre ka qytetet e saj që i survejon. E gjithë krahina quhet Tierra Caliente. Bandat rivale aplikojnë metoda terrori, tortura dhe vrasjeje të denja për të qenë pjesë e IS-it. Viktimat më të shumta janë civilët, të cilët ruhen nga bandat rivale. Kjo bëhet që kundërshtarët të marrin një mesazh të qartë dhe brutal. Vetëm muajin e kaluar u rrëmbyen 22 persona në territorin e “Familia Michoacana”. Një prej pengjeve, me profesion mësues, u torturua dhe u vra për t’i treguar “La Familia”-s se autoriteti i tyre tani po sfidohej. Në janar 9 veta, përfshirë një infermiere në muajin e saj të mjaltit, u masakruan kur persona të armatosur hapën zjarr gjatë një feste ditëlindjeje.

Kjo sjellje brutale për bandat ka logjikë. Duke mbjellë terror ato luftojnë për territore që janë burime të ardhurash, si dhe në vazhdim rekrutojnë elementë të rinj, të cilët detyrohen që të ruajnë veten apo familjen.

“Kur njerëzit kanë ndonjë hall, p.sh. kanë një konflikt me komshiun apo dikush u ka vjedhur kamionin, ata nuk shkojnë te policia, por i drejtohen ‘La Familia’-s. E dinë të gjithë këtu kush e drejton këtë qytet.”

Ndërkohë, ushtria meksikane, e cila është nxjerrë në terren që prej 2006-s për të luftuar kartelet e drogës, ka marrë një lumë kritikash. Dhe kjo, sepse ata akuzohen për shkelje të të drejtave të njeriut. Për më tepër që si policia ashtu edhe institucionet shtetërore kanë nam si totalisht të korruptuara. Shpesh ato bashkëveprojnë me kartelet. Rasti më i trishtë është ai i 43 studentëve të vrarë në 2014-n, ku njerëzit gishtin ia vënë policisë, e cila mori pjesë në këtë masakër bashkë me kartelet. Ngjarja ndodhi në Iguala, afër zonës së Tierra Caliente—s.

“Në Guerrero, si policia ashtu edhe shteti kanë pak fuqi ndaj karteleve. Lufta bëhet mes bandave, të cilat kërkojnë territore të reja”, sqaron Adam Isacson, zyrtar në Uashington për Amerikën Latine. Të punosh si polic në këtë shtet ke përfitime të mëdha financiare. Me disa muaj trajnim, e më pas duke u lidhur me kartelet e drogës, ata arrijnë që të përfitojnë deri në dy mijë dollarë në muaj. Nisur nga ky bashkëpunim, presidenti i Meksikës, Enrique Peña Nieto, propozoi projektin “Vetëm një komandë” në vitin 2014. Si pasojë, 2000 komisariate u mbyllën gjatë gjithë vendit. Ato do të zëvendësohen nga një forcë e centralizuar me 320 zyra përgjatë të gjithë vendit.

Aktualisht, shumë zona në vend janë pa mbrojtje. Ushtarët dhe policia federale qëndrojnë të izoluar në vende të ruajtura dhe kanë pak kontakt me njerëzit. Madje ata kanë frikë të dalin natën, se mos eliminohen nga banditët. Për më tepër që e kanë të pamundur të dallojnë anëtarët e bandave.

“Narkotrafikantët kanë kudo spiunë. Ata kontrollojnë çdo gjë përfshirë edhe forcat e sigurimit. Ne nuk u zëmë besë as njerëzve tanë”, thotë një pjesëtar i forcave të armatosura që lufton prej 12 vitesh kartelet. Sipas tij, edhe brenda ushtrisë ushtarët nuk i zënë besë njëri-tjetrit. “Ne nuk shkëmbejmë raporte sekrete me ushtrinë. Ata kanë informacionet e tyre, kurse ne tonat. Por transparenca mungon.”

Në qytetin tjetër brenda Qarkut Altamirano, ku u vranë nëntë veta gjatë një feste ditëlindjeje, kryebashkiaku Abel Montúfar ankohet për mungesë bashkëpunimi mes institucioneve. “Do të më pëlqente që të vizitoja Cundán Grande, fshatin ku ndodhi tragjedia, por ligji i ri na i hoqi policët. Tani s’kemi si të kryejmë investigime. Kur dua të iki diku, u lutem federalëve”. Të paktën 40 kryebashkiakë janë vrarë në Meksikë në tetë vitet e fundit.

Për të ruajtur veten apo familjen, ai paguan nga xhepi truproja. “Dhe unë njeri jam, kam frikë. Kartelet më kanë kërkuar para, nuk u kam dhënë. Unë dua vetëm qetësi për vendin tim. Para karteleve nuk u jap për këtë gjë.”

Komandanti X tregon taktikat që banda e tij përdor të ndalë forcat ushtarake dhe hierarkinë brenda “La Familia”-s.

“Policia federale afrohet vetë që të bashkëpunojë me ne. E kemi të lehtë që t’i korruptojmë. Oficerët ushtarakë janë më të vështirë të blihen. Po ata rrallë i lënë bazat, kështu që i shmangim. Ushtria është e ndershme, por asnjë këtu si zë besë policisë.”

Më pas ai tregon sesi funksionon karteli. “Rekrutët e nisin si informatorë (halcone, fajkonj) karrierën. Ata marrin rreth 4000 pesos (215 dollarë) çdo 15 ditë. Me telefona na lajmërojnë për çdo lëvizje.” Një roje i armatosur (sicario) merr 6000 pesos (320 dollarë) dy herë në muaj. Shefi i tyre që komandon 15-20 vrasës paguhet 9000 pesos (480 dollarë) çdo dy javë. Që të kalosh në rang më të lartë, duhet të kalosh sfida të mëdha. Ti rrihesh, torturohesh e lihesh në shkretëtirë pa ujë e ushqim për ditë me radhë. Nëse ia del, ngrihesh edhe më shumë në status brenda kartelit.

Në total, kjo organizatë përbëhet nga 3500 persona. Kush thyen rregullat ndëshkohet rëndë. Ai lihet të vdesë nga uria. “Në krye të kartelit janë komandantët e mëdhenj, si unë. Por edhe unë jap llogari tek dikush.” Kreu i “Familia Michoacana” në Guerrero është bosi i madh Johnny Hurtado, i cili njihet me nofkën “Zoti Peshk”. Asnjë nuk ka informacion se ku ai shihet, veçse në kampe të ndërtuara në zonat e shkreta të shtetit. “Paratë që mbledhim ia japim bosit. Ai më pas na i shpërndan.”

Në qytetin e Teloloapan-it është formuar një grup i ri vullnetarësh, detyra e të cilëve është të ruajnë vendin dhe familjet. Deri tani ata janë 250 vetë.

“Policia nuk bën asgjë. Ata as i njohin kriminelët. Më shumë kemi bërë ne në një muaj për të pastruar qytetin sesa policia më parë”, tha Raul Baena, pronar i një biznesi taksish dhe anëtar i kësaj force.

Bashkë me familjen e tij, 51-vjeçari u rrëmbye nga “La Familia” dhe për katër ditë duroi tortura të mëdha. Pasi pagoi haraçin u lirua. Kjo eksperiencë i la brinjë të thyera, vraga në krahë dhe dëmtim të shtyllës kurrizore.

Nipi i tij nuk e pati atë fat. I rrëmbyer një javë më vonë, ai u vra, edhe pse familja e tij ishte gati të paguante për lirimin.

Për t’u mbrojtur kanë çifte, hanxharë, pistoleta dhe pushkë. “Nuk kemi arsenalin e ushtrisë apo të karteleve. Por jemi gati të vdesim. Më mirë të vdesësh në këmbë, sesa në gjunjë.”

Kushtetuta meksikane lejon krijimin e njësive vullnetare si kjo në Teloloapan. Në shtetin e Michoacan-it ata kanë pasur sukses të madh.

Por kartelet dinë se si të infiltrohen edhe brenda vetë banorëve. Ata arrijnë që të bëhen bashkëpunëtorë të këtyre grupeve të vendosura për t’u vetëmbrojtur, duke u dhënë armatime. Më pas i përdorin për të sulmuar bandat rivale.

Prapë specialistët e ushtrisë mendojnë se manovra e Presidentit meksikan më shumë do të bëjë dëm sesa mirë. Mungon profesionalizmi dhe kjo bën që taktika e “Vetëm një komandë” të mos funksionojë.

Komandanti X tregon filozofinë e kartelit, edhe pse luftërat brenda llojit sjellin dëme të mëdha. “Rivalët tentojnë që të na mposhtin, por ne nuk lëvizim që këtu. Lufta ka humbje. Kur një makinë vidhet, ti blen një tjetër. Dhe kur një komandant vdes, atëherë është dikush tjetër që ia zë vendin”.

Burimi: The Daily Beast

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button