Ekonomia

Gjermania mbështet Shqipërinë në sektorët e bujqësisë dhe energjetikës

Ministri gjerman i Bujqësisë Christian Schmidt u shpreh (18.11) në Tiranë për mbështetjen e studimeve në fushën e bioteknologjisë, ndërkohë që KfW ka zyrtarizuar finacimin për linjën energjetike shqiptaro- maqedonase.

Prej fillimit të viteve ’90-të qeveria gjermane ka pasur një sërë projektesh bashkëpunimi në sektorin e Bujqësisë në kuadër të programit të zhvilimit teknik dhe financiar GTZ, që tani quhet GIZ. Projektet kanë pasur në fokus dy aspekte të rëndësishme modernizimin e saj dhe forcimin e shoqërizimit në menaxhimin e aktivitetit bujqësor. Por ky bashkëpunim është parë dhe në një këndvështrim tjetër gjatë qëndrimit në Tiranë të enjten dhe të premten  (17 dhe 18.11.2016) të Ministrit Federal të Bujqësisë, Christian Schmidt. Në vijim vizitës që zhvilloi në Prishtinë, Schmidt veç takimeve të kortezisë, që ka pasur me homologun e tij Edmond Panariti dhe me kryeministrin Edi Rama, ka vizituar dhe ka kontaktuar me pedagogë dhe studentë të Universitetit Bujqësor në Kamëz, rreth 9 km larg qytetit të Tiranës.

Christian Schmidt: mbështesim studimet në bioteknologji

Drejtuesit e Universiteit Bujqësor, qendra kryesore kërkimore dhe edukative e këtij sektori, e kanë vlerësuar vizitën e parë të një zyrtari të lartë nga qeveria gjermane. Rektori, Bari Musabelliu, ishte i drejtëpërdrejtë kur e evidentoi këtë fakt, duke u shprehur se për universitete të tjera shqiptare ka pasur gjatë viteve të tranzicionit mbështetje nga Gjermania. Ai e orientoi kërkesën për ministrin federal Schmidt në fushën e kërkimit shkencor.

Ministri Schmidt tha, se Gjermania është e gatshme të kontribuojë dhe konkretisht në bashkëpunim dhe me Ministinë e Bujqësisë së Shqipërisë “duhet të bëhen projekte, ku Gjermania do të jetë e gatshme t’i mbështesë ato për të përfituar fonde nga Bashkimi Evropian”. Ai u kërkoi drejtuesve të universitetit, që të orientojnë studentët, studimet dhe kërkimet shkencore në sfera më të gjera, “pasi siç dihet, edhe tokës i shterrojnë në një moment resurset e veta dhe në këtë rast, bioteknologjia është puna më e mirë që mund të bëhet”.

Gjermania mbështet sektorin energjetik shqiptaro-­maqedonas

E premtja (18.11.2016) ka shënuar dhe një ngjarje tjetër në bashkëpunimin mes dy vendeve, pasi në Tiranë është finalizuar akordi për mbështetjen e linjës së interkonjuksionit 400 kilovolt në sistemin energjetik shqiptaro-maqedonas.

Për ta jetësuar këtë investim Operatori i Sistemit të Transmetimit të  Shqipërisë, OST, dhe Banka Gjermane për Zhvillim, KfW zyrtarizuan marrëveshjen e huasë dhe financimit në një vlerë totale prej 64 milionë eurosh që do të nevojiten  për ndërtimin e kësaj linje. Sipas termave të kontratës huaja me interesa të buta prej 50 milionë eurosh e KfW-së akordohet në kuadër të bashkëpunimit për zhvillim gjermano-shqiptar, kurse pjesa tjetër që është falas prej 14 milionë eurosh jepet nga ana e BE-së, si pjesë e Instrumentit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF). Pjesë e investimit është dhe një fond prej OST 6 milionë eurosh që do të akordohet nga vetë OST-ja.

Nga aplikimi i këtij projekti mbështetës strategjik për energjetikën do të arrihet ndërlidhja e parë mes dy shteteve fqinje, duke mundësuar dhe shkëmbimin direkt të energjisë elektrike midis dy sistemeve të tyre elektrike.

Sipas ekspertëve ky projekt do të përmirësojë integrimin e Shqipërisë në sistemin rajonal të energjisë elektrike dhe do të forcojë lidhjet e voltazhit të lartë midis lindjes dhe perëndimit duke mbyllur unazën 400 kV me Greqinë.

Sektori energjetik është një nga prioritetet e kooperimit financiar mes dy vendeve, ku qeveria gjermane ka angazhuar më shumë se 270 milionë euro që nga viti 1998. Banka Gjermane për Zhvillim siguron financime për një gamë të gjërë projektesh, duke perfshirë këtu linjën e transmetimit 400 KV midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, linjën e transmetimit 400 KV midis Shqipërisë dhe Kosovës, linjën unazore 110 kV në jug të Shqipërisë, masa të lidhura me eficencën e energjisë në ndërtesat publike, rehabilitim efiçent nga ana e energjisë të konvikteve studentore të Qytetit Studenti I dhe II.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button