Kosova

Nis gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë/ Akuzohen për krime lufte, Thaçi: Jam i pafajshëm!

Më shumë se dy vjet nga arrestimi i Hashim Thaçit dhe dërgimit të tij në Hagë, atje nis sot procesi gjyqësor ndaj ish presidentit të Kosovës dhe ish zyrtarëve të tjerë të lartë nën akuzat e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.
Ish-krerëve të UÇK-së paraprakisht u janë lexuar paragrafët e aktakuzës së ndryshuar dhe të njëjtit janë pyetur nëse e kuptojnë aktakuzën e ndryshuar. “E kuptoj, jam plotësisht i pafajshëm”,- deklaroi Thaçi.

Katër komandantët e lartë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi akuzohen për veprat e përndjekjes dhe burgosjes, ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë, vrasje, dhe zhdukje me forcë të personave. 312 dëshmitarë do të nxjerrë në këtë proces Prokuroria sipas të cilës krimet e pretenduara, janë kryer përafërsisht dikur mes marsit të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999 në një numër vendndodhjesh në Kosovë dhe Shqipëri.

Procesi i nisur sot, pritet të jetë i gjatë. Prokuroria e Posaçme synon të përmbyllë pjesën e saj deri më 1 prill të vitit 2025. Ajo pretendon se viktimat, rreth 100 të tilla, janë serbë, shqiptarë dhe romë të Kosovës. Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar.

Ngritja e saj si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999 qe la pas mbi 10 mijë të vrarë e me mijëra të zhdukur, shumë dërrmuese shqiptarë. Megjithatë kjo gjykatë nuk trajton asnjë rast të krimeve të luftës të kryera nga forcat serbe dhe kritikët e cilësojnë atë si gjykatë njëetnike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button