Ekonomia

Përjashtohen nga tenderët publikë personat e dënuar nga gjykata

Komisioni i Ekonomisë miratoi sot ndryshimet ligjore që synojnë të pengojnë aksesin në fonde publike të operatorëve ekonomikë të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Referuar nismave ligjore të amenduara, nga tenderat publikë do të përjashtohen jo vetëm shoqëritë tregtare apo kompanitë që janë të përfshira në vepra të renda penale, por edhe ne rast se aksionerët e tyre janë të përfshirë në krime apo korrupsion.

Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë Elton Haxhi, i pranishëm gjatë diskutimit në Komision të projektligjit “Për disa shtesa në ligjin “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, tha se, kjo është nismë ligjore e ndërmarrë nga Këshilli Ministrave kryeministria, duke pasur në konsideratë ndjeshmërinë e qeverisë për të luftuar kriminalitetin në vend, duke shmangur në çdo rast dhe me çdo mjet dhënien e mbështetjes dhe krijimin e lehtësirave për subjekte përfituese të dënuar penalisht, kur ka të dhëna dhe provohet se subjekti përfitues i ndihmës apo mbështetjes ka qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Ky rregullim i posaçëm do ta bëjë më konkret luftën kundër krimit në Shqipëri, theksoi ai.

Deputetja e maxhorancës Blerina Gjylameti, relatorja e projektligjit, tha se ky projektligj së bashku me ndryshimet e propozuara në ligjin për prokurimin publik dhe ligjin për turizmin, janë pjesë e paketës së ndryshimeve ligjore që kanë si qëllim ndalimin e përfitimit të të mirave publike nga subjektet e dënuara për një sërë veprash të rënda penale që lidhen me krimin e organizuar.

Sipas saj, me hyrjen në fuqi të ndryshimeve, do u ndalohet çdo lloj mundësie që kjo kategori subjektesh, shoqërish tregtare dhe përfaqësues të tyre të përfitojnë para nga taksapaguesit shqiptarë.

“Ndryshimet e propozuara janë në përputhje të plotë me direktivat e Bashkimit Europian, për këtë arsye i propozoj anëtarëve të Komisionit miratimin e këtyre dy projektligjeve, me dy ndryshime në dispozitat përbërëse të tyre që lidhen me teknikën legjislative si më poshtë: “Për investimet strategjike”, të ndryshuar” shkronja b) duhet të renditet para shkronjës a)”, sqaroi Gjylameti.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button