Ekonomia

Të përdoret leku, GKSF: Ul rreziqet për stabilitetin financiar

Grupi Këshillimor i Stabilitetit Financiar zhvilloi të martën mbledhjen e radhës, kur theksoi rëndësinë për të forcuar përdorimin e monedhës vendase në ekonominë shqiptare dhe në sistemin financiar.

Në mbledhje morën pjesë Ministri i Financave, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Kryetari i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe përfaqësues të tjerë të këtyre institucioneve.

Sipas njoftimit zyrtar, përdorimi më i madh i lekut është një instrument që përmirëson efektivitetin e mekanizmit të transmetimit të politikës monetare dhe ul rreziqet për stabilitetin e sistemit financiar.

Mbështetur edhe në rekomandimet e institucioneve financiare ndërkombëtare dhe të atyre evropiane, grupi sugjeroi shqyrtimin e përvojës së vendeve të tjera në këtë drejtim dhe vlerësimin mbi veprimet që mund të ndërmerren në afat të mesëm, në kushtet e ekonomisë shqiptare.

Gjatë viteve të fundit, kreditimi në lekë është rritur ndjeshëm dhe në fund të prillit të këtij viti përbënte mbi 44% të totalit, nga 40% që zinte në fillim të vitit të kaluar. Një çështje tjetër, e diskutuar edhe në mbledhjen e mëparshme të muajit janar, ishte rëndësia e monitorimit të platformave të tregtimit online, në mënyrë që publiku të njohë rreziqet e investimit në këto platforma dhe të orientohet vetëm drejt subjekteve të licencuara dhe të mbikëqyrura.

Për sa i takon sektorit bankar, të pranishmit vlerësuan se situata financiare është e qëndrueshme, ndërkohë që kreditimi në monedhën kombëtare dhe ecuria në tërësi e depozitave është në nivele të mira.

Nga analiza, rezultoi që nivelet e mira të kapitalizimit dhe të likuiditetit të sektorit bankar ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme ndaj rreziqeve të veprimtarisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button