Politika

Gjosha: Roli i Gjermanisë deçiziv në uljen drastike të numrit të azilkërkuesve nga Shqipëria

Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha zhvilloi një vizitë zyrtare në Landin e Bavarisë në Gjermani.

Gjatë kësaj vizite Ministrja u takua me Ministren e Shtetit për Çështjet Europiane të Landit të Bavarisë, së Republikës Federale Gjermane, Beate Merk. Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, çështja e azilkërkuesve, forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ishin çështjet kryesore që u diskutuan gjatë këtij takimi.

Ministrja Gjosha vlerësoi qasjen e Ministres Merk dhe deklaratat e saj publike në lidhje me trajtimin e fenomenit të azilkërkuesve vitin e kaluar. Ministrja Gjosha vlerësoi gjithashtu vizitën e Ministres Merk tetorin e vitit 2015 në Shqipëri, ku në fokus kanë qenë përpjekjet për adresimin e fenomenit të azil kërkuesve shqiptarë në Gjermani.

Ministrja Gjosha u shpreh se kontributi i Merk, ambasadës gjermane në Tiranë ka qenë tepër pozitiv me impakt tek qytetarët shqiptarë.

Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, vizitë zyrtare në Landin e Bavarisë në GjermaniDuke u ndalur tek çështja e azilkërkuesve, Ministrja Gjosha theksoi se, roli i Gjermanisë, por edhe personal i Ministres Merk, ka qenë shumë deçiziv në sensibilizimin e qytetarëve shqiptarë. “Këtë e tregon edhe numri në rënie i azilkërkuesve nga Shqipëria, me të paktën 4 herë që nga muaji gusht, veçanërisht në Gjermani”, tha Ministrja Gjosha.

Ministrja Merk, u shpreh se pozicionimi i Shqipërisë në çështjen e refugjatëve ka qenë i qartë. “Ky qëndrim është i rëndësishëm në avancimin e mëtejshëm me axhendën tuaj europiane”, tha Ministrja Merk.

Bashkëbisedueset diskutuan edhe për reformën në drejtësi, duke e cilësuar përfundimin e saj, si çelësin e hapjes së negociatave me Bashkimin Europian.

Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, vizitë zyrtare në Landin e Bavarisë në GjermaniMinistrja Gjosha, u shpreh se kjo reformë do ti shërbejë të ardhmes së vendit dhe rikthimit të besimit të qytetarëve te drejtësia.

“Për ne kjo reformë është thelbësore, pasi do të garantojë konsolidimin e shtetit të së drejtës, do të mundësojë më shumë besim tek investitorët e huaj dhe do të krijojë frymëmarrje për zhvillimin e gjithë sektorëve. Me miratimin e saj, ne jemi të bindur se Shqipëria do të jetë gati për hapin e radhës që është hapja e negociatave. Kjo fazë është shumë e rëndësishme për avancimin e Shqipërisë me procesin e integrimit, ndaj mbështetja e partnerëve tanë europianë ka një vlerë të madhe”, tha Ministrja Gjosha.
Ministrja Merk, u shpreh se për çdo vend që aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Europian, reforma në drejtësi është elementare. Bashkëbisedueset u ndalën edhe tek thellimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Landit të Bavarisë.

Fusha me mjaft interes janë arsimi profesional, bujqësia, menaxhimi i ujërave, turizmi. Të dyja palët shprehën gatishmërinë për të konkretizuar sa më shpejt bashkëpunimin në secilën prej këtyre fushave.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button