Politika

Rama: Do krijojmë “PS+”. Meta, jo rol bllokues

Ndryshe nga Asambleja e PS dy ditë më parë, kur prezantoi piketat kyçe të qeverisjes 4-vjeçare, nga Llogaraja ku vazhdon takimin informal me kabinetin e ri qeverisës, Edi Rama foli për herë të parë gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët për projektin e ri, që e quajti “PS+”. 
“Ajo që është kryesorja sot për ne është që ky proces i ri të fillojë dhe si një projekt i ri politik. Ne duhet të dalim nga ky mandat me një forcë të re politike, ‘PS+’”, deklaroi Rama.
I pyetur nëse i druhet mosdekretimit të qeverisë së tij nga presidenti Meta, ashtu siç kreu i shtetit kishte paralajmëruar gjatë fushatës, Edi Rama kujtoi intervistën e parë të kreut të ri të shtetit dhënë për “Top Story”, fill pas marrjes së detyrës.
“Presidenti tha në një moment në mos gabohem, se nuk e kam parë vetë por e kam lexuar, se gjithçka kam thënë deri në orën 18 fshihet. Jam i bindur se nuk do të ketë probleme të tilla. Gjithkush gabon, sepse jemi njerëz e nuk jemi robotë, ndaj nga pikëpamja e mënyrës sesi do zhvillohet kjo marrdhënie nuk shoh shqetësime”, theksoi Rama.
Ndonëse opozitën në Parlament e sheh dyngjyrëshe, për kryeministrin kryesorja është Partia Demokratike.
“Do bëjmë gjatë gjithë kohës çdo përpjekje për t’u marrë vesh në kuptimin më të mirë të fjalës me opozitën. Opozita sot është dyngjyrëshe, por sigurisht që PD është partia kryesore dhe partia opozitare në kuptimin e një kufiri të qartë alternativash nga pikëpamja e programit dhe qasjeve për shumë gjëra. Ndërsa partia tjetër është opozitë nga halli, le të themi, por natyrisht është opozitë”, tha Rama.
I pyetur nëse takimet e përvajshme që bënte me Ilir Metën do t’i bëjë me Lulzim Bashën, Rama është përgjigjur:
“Jo të përjavshme, sepse besoj se nuk do jetë nevoja. Nuk është diskutuar deri tani për një takim të përjavshëm. Është diskutuar për një takim që mund të jetë i përdymuajshëm, ose i përtremuajshëm. S’ka nevojë për të përjavshëm”, tha Rama.
Në përbërje të kabinetit të ri qeveritar, Edi Rama la jashtë figura të rëndësishme të mandatit të parë, si ish-ministrat Tahiri, Beqja apo Kodheli, për të cilët ashtu si gjatë Asamblesë, tha se do të kenë një rol të rëndësishëm, tashmë në parti.
“Qeveria nuk është si një skuadër kombëtare futbolli, nuk është seleksionim i atyre që do hyjnë në fushë dhe atyre që do qëndrojnë në stol. Ne kemi nevojë të madhe që të kemi njësoj të fortë të tre komponentët. Nëse një komponent na dobësohet dhe një pjesë e ministrave që nuk janë më, dmth. se nuk do të investoheshin për grupin, atëherë do të kishim probleme”, theksoi Rama.
Rama foli edhe për mënyrën se si do të funksionojë shkrirja e ministrive apo institucioneve në varësi, kur tha se riorganizimi do të sjellë një administratë edhe më të vogël.
“Mos mendoni se shkrirja e Ministrisë së Financave me Ekonominë dhe Punën do sjellë një bashkim të tre ministrive. Do shkrihen të gjitha. Ne bëmë shkurtime në administratë në 2013, por tani do kemi një administratë edhe më të vogël. Sa i përket Ministrisë së Integrimit, ajo i është bashkuar Ministrisë së Jashtme dhe do ketë vetëm një kryenogociator (për negociatat e anëtarësimit në BE)”, shtoi Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button