Kronika

Media, “FH”: Shqipëria, pjesërisht e lirë dhe në përkeqësim

“Freedom House” vlerëson se, Shqipëria është në mesin e vendeve me shtyp pjesërisht të lirë. Në raportin e organizatës me seli në Nju Jork, vendi ynë rezulton i 106-ti me 51 pikë, në një kohë kur një vit më parë radhitej i 98-ti.

Në listën e “Freedom House”, Shqipëria vjen pas Malit të Zi, Serbisë, Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës. Nga vendet e rajonit, pas nesh mbetet vetëm Maqedonia. Klasifikimi bëhet sipas një shkalle nga 0 në 100, ku zero është rezultati më pozitiv, ndërsa 100-a rezultati më i keq.

Në raport thuhet se, dhuna dhe kriza e emigrantëve kanë mbizotëruar lajmet në Europë gjatë vitit që lamë pas, ashtu siç kanë peshë dhe në mbulimin e tyre. Ndonëse jo në mënyrë dramatike, sikurse vrasjet në redaksinë e revistës “Charlie Hebdo”, sulmet kundër gazetarëve në Ballkanin Perëndimor kanë ndikuar në rënien e lirisë së shtypit.

Organizata vlerëson se, liria botërore e medias gjatë 2015-s ka rënë në pikën më të ulët në 12 vitet e fundit, ndërsa forcat politike, organizatat kriminale e ato terroriste kërkojnë të kontrollojnë, ose t’i mbyllin gojën shtypit, në përpjekjet e tyre për më shumë pushtet.

Sipas “Freedom House”, vetëm 14 për qind e njerëzve jetojnë në një shoqëri me shtyp të lirë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button