Opinion

Shqipëria mes dollisë dhe protestës

Nga Lutfi Dervishi

Ndërkohë që pensionistët, invalidët, policët, zjarrëfikësit po hartojnë listën e blerjeve falë shpërblimit që ka cakuar qeveria, vendi mund të përfshihet nga trazirat pikërisht për shkak se kategoria më e varfër e këtij vendi është privuar nga mundësia për të festuar..

Qeveria nuk ka pse të kufizohet me shpërblimet sepse gjithçka po ecën mirë. Ekonomia po ecën. Po arrijmë 10 milionë turistë këtë vit. Shqipëria po ndryshon. Shqipëria po bëhet Europa e Ballkanit. Leku shqiptar i ka thyer hundën euros dhe po i thyen kokën dollarit dhe kujtdo monedhe tjetër që do të guxojë të përballet me të.
Por festa mund të prishet dhe shqiptarët mund ta kalojnë ndërrimin e moteve në protesta nëse qeveria nuk reflekton. Shpërblimi bujar për 1000 personat që kontribuan në procesin e skanimit është pritur me hare e fishekzjarrë, por kjo nuk mjafton.
Pyetja madhe që ka irrituar shqiptarët është pse nuk janë shpërblyer ministrat dhe deputetët?
A nuk kanë të drejtë edhe ata të kenë një darkë për të qenë gjatë Vitit të Ri? A nuk është humane që edhe këta të vobektë të kenë mundësi të blejnë një gjel deti dhe 2-3 kilogram fruta?
Pa punën, mundin, djersën, sakrificën dhe rraskapitjen e ministrave (dhe deputëtëve) asgjë nuk do të ishte e mundur. Eshtë gjynah që djersa dhe lotët e tyre të shkojnë dëm.
Shpirtrat e palodhur të këtij kombi që u munduan ditë e natë duke marrë pjesë në mbledhje, në hartimin e strategjive, në realizimin e refromave e inspektimeve pa fund nuk do të gjejnë prehje nëse nuk marrin shpërblimin e merituar.
A nuk janë deputët që me vetmohim votuan kundër vetes duke kufizuar fuqinë e komisioneve parlamentare? Si mund të mos shpërblehet kjo sakrificë sublime e barabarët me flijimin? A nuk votuan deputetët për të dyfishuar rrogën e tyre? Si mund të kalojë ky akt trimërie i pa shoq e i pa precedent pa u shpërblyer?
Si mund të lihen ministrat pa shpërblim kur dihet që ata dhe vetëm ata janë arkitektët e përparimit të vendit?
A nuk është turp që viti i Ri t’i gjejë duar thatë dhe xhepa bosh ministrat e nderuar? A nuk është festa për këto të vobektë? A
A nuk meritojnë që edhe “shërbëtorët e popullit” të gëzojnë një natë të bardhë?
A nuk është turp që ministrat dhe deputët të mos kenë një gotë verë e një pjatë më tepër në tavolinën e festave?
Nëse qeveria nuk merr shpejt vendimin për shpërblimin e ministrave dhe deputetëve vendi rrezikon të përfshihet nga trazirat. Shqiptarët e kanë pranuar që ministrat të punojnë si “shërbëtorë të popullit”, 365 ditë, por në të njëjtën kohë nuk mund të tolerojnë që edhe këta “rob të Zotit” të mos munden të ngrenë një dolli për gjithë këto suksese dhe bollëk që ka mbuluar vendin.
Teksa atmosfera festive mbizotëron në rrugë, në sheshe dhe në televizionet e qeverisë, Shqipëria gjendet në një udhëkryq. Drejtimi që do të marrë vendi, varet nga reflektimi i qeverisë.

Tavolinat e varfëra të ministrave rrezikojnë të lënë në hije festën dhe t’i zënë bukën në grykë, pensionistëve, policëve dhe zjarrëfikësve.

Në të mirë të unitetit, imazhit të vendit, meritokracisë dhe mirënjohjes për përpjekjet e tyre të palodhura, është koha që qeveria të rishikojë qëndrimin e saj. Një vendim i shpejtë i qeverisë mund të kontribuojë shumë për të qetësuar shpirtrat e trazuar.
Në orët në vijim do të mësojmë nëse nëse qeveria do të zgjedhë rrugën e pajtimit apo të konfrontimit me votuesit dhe mbështetësit e vet. Qeveria bën mirë të mos injorojë zemërimin e një populli që është tejet e ndjeshëm ndaj padrejtësisë. Një shpërblim sado modest (qoftë edhe gjysma e shpërblimit të pensionistëve) mund të kontribuojë shumë për të qetësuar shpirtrat e trazuar. Eshtë koha që çështja e shpërblimit të ministrave dhe deputetëve (sidomos të shumicës) të zgjidhet me shpejtësi, si e vetmja rrugë që shqiptarët ta nisin vitin e Ri në paqe e harmoni me veten dhe me njëri-tjetrin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button