Kronika

Manjani me kancelarët: Eliminoni radhët, mos anashkaloni shortin

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani kërkoi punë intensive në shërbim të qytetarëve nga ana e kancelarëve të Gjykatave, për të eliminuar radhët e gjata e për të qenë korrekt me qytetarët.

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani zhvilloi mesditën e të martës një takim me kancelarët e Gjykatave në të gjithë vendin, duke bërë një analizë të punës së këtyre funksionarëve publik, që janë dhe përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë në Gjykata.
Gjatë takimit, ai kërkoi punë intensive me publikun. “Eliminimi i radhëve, kulturë më të lartë shërbimi, transparencë dhe më shumë higjenë në zonat ku shërbehet me civilët, këto janë kërkesa elementare”, tha Manjani.

Gjatë takimit, ai gjithashtu kërkoi një përgjegjësi më të lartë ndaj publikut. “Bota lufton për të drejtat e kafshëve, teksa në gjykatat tona vihen në diskutim dhe të drejtat e njerëzve. Kjo është turp. Nuk ka më tolerime për këtë gjë. Kjo është detyra ime, t’ju tërheq vëmendjen si përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë në gjykata. Detyra juaj është t’i shërbeni njerëzve. Nuk dua të kem më asnjë minutë për të humbur”, tha Ministri i Drejtësisë.

Duke i’u referuar punës së kancelarëve në Gjykatat e Apelit, Manjani tha se këtu qendrojnë dhe problematikat më të mëdha. Ai kërkoi njoftim në kohë të publikut për proceset gjyqësore, në të kundërt kancelarët do të rrezikojnë dhe vendin e punës. “Nga Gjykatat e Apelit kemi një shqetësim në rritje. Shumë qytetarë humbin proceset gjyqësore, pasi nuk njoftohen në mënyrë korrekte apo të sigurtë. Unë e kuptoj, që Apeli i Tiranës ka një ngarkesë të jashtëzakonshme. Kuptoj që Apeli në tërësi është një funksion gjyqësor mjaft delikat. Ju lutem shumë merrni masat, njoftoni në kohë në çdo mënyrë qytetarët. Nëse konstatoj, që Gjykata e Apelit, nuk njofton për datën e gjyqit, kancelarja/ri do të largohet direkt“, vijoi Manjani, por kjo e fundit nuk vlen vetëm për Apelin.

Po ashtu, Manjani vuri theksin tek shorti në gjykatat e Apelit. Sipas tij, asnjë çështje nuk duhet të anashkalojë shortin. “E treta, asnjë çështje nuk mund të kalojë apo anashkaloj procedurën e shortit. Nuk është shpikje shqiptare, por një instrument që ofron besim. Na është krijuar përshtypja që për çështje të caktuara, pavarësisht kush gjykon në shkallë të parë ka një siguri për shkallën e dytë. Askush nuk mund të “parandiejë”, por t’i nënshtrohet shortit. Keqpagimi, vijoi Manjani, nuk është arsye për të keqmenaxhuar situatën, por për të punuar më shumë e për të kërkuar më pas edhe më shumë”, tha Ministri i Drejtësisë.

Ministri Manjani gjithashtu nënvizoi faktin se nuk është çështje personale, por çështje e respektimit të publikut. Ai mbylli fjalën duke mos harruar të përmend problematikat në Gjykatën Administrative, ku vuri theksin tek respektimi i afateve, pasi kjo Gjykatë për këtë arsye është krijuar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button