Kronika

“Divjaka”, zbardhet trafiku i drogës nga ajri, gjashtë nën akuzë

Dëshmia e organizatorit Sajmir Bajrami zbuloi linjën Shqipëri – Itali, fundosi pilotin italian

Plani fillestar për të kryer trafik të drogës nga Shqipëria drejt Italisë ka qenë baza në Gjadër

Të dhëna

Sekuestrimet – Policia gjeti sasinë prej 305 kg hashash, si dhe Bajramit iu gjetën një sasi prej 27 mijë eurosh, që mendohet se ishte kësti i parë i pagesës për pilotin që do të kryente transportin

Dosja nr. 2 – Sipas dosjes së dorëzuar në gjykatë, mësohet se hetimet për bashkëpunëtorë të tjerë janë veçuar, pasi është dërguar letërporosia edhe në shtetin fqinj

Nga Sokol Çobo

Sajmir-Bajrami-ne-gjykate
Sajmir Bajrami

Hetimet 22-mujore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda kanë zbardhur trafikun e drogës nga ajri Shqipëri – Itali, ku gjashtë persona janë vënë nën akuzë, katër të arrestuar dhe dy në gjendje të lirë. Mes të akuzuarve është edhe një ish-drejtues policie i shpallur në kërkim, i cili kujdesej për moskryerjen e operacioneve policore në Divjakë, ku dhe do të ulej avioni për të marrë lëndën narkotike. Nga hetimet u zbulua se organizator ka qenë pikërisht Sajmir Bajrami, një emigrant në Itali, i cili ka kryer të gjithë koordinimin e personave që kanë marrë pjesë në këtë trafik, gjetjen e hashashit, transportimin e saj në avion. Më pas, lënda do të hidhej në brigjet e qytetit të Leçes në Itali, për t’u marrë nga disa bashkëpunëtorë të Bajramit. Ky i fundit, sipas dosjes që ka shkuar në gjykatë, ka pranuar akuzën, teksa ka shpjeguar edhe të gjithë linjën e trafikut. Megjithatë, hetimet zgjatën për shkak të disa letërporosive që prokuroria dërgoi në Itali, ku kërkonte të mësonte më shumë mbi të kaluarën kriminale të pilotit Giorgio Riformato.

Gjashtë nën akuzë

Sipas dosjes që ka shkuar në gjykatë, gjashtë persona janë vënë nën akuzë. Organizator ka qenë shtetasi shqiptar Sajmir Bajrami, piloti i avionit, italiani Giorgio Riformato. Këta persona janë arrestuar në flagrancë. Ndërkohë, më vonë u arrestuan paketuesit e lëndës narkotike, Kleviol Ahmetaj dhe Aurel Pupa. Gjurmët e tyre janë gjetur në pakot me natriban, të cilat janë sekuestruar në afërsi të avionit “Piper” në Divjakë, në vitin 2013. Ndërkohë, në kërkim janë shpallur ish-agjenti i antidrogës në Policinë e Fierit, Mariglen Ymeraj. Në kërkim është edhe Gerti Lamçe, personi që ka siguruar lëndën narkotike. Mësohet se hashashi ka pasur si vend prodhimi fshatin e Lazaratit.

Prokuroria ka zbardhur këtë linjë të trafikut të drogës Shqipëri – Itali në bazë të provave, por edhe dëshmisë së Sajmir Bajramit, i cili është edhe organizator. Madje, me prokurorinë ka dëshmuar edhe i arrestuari tjetër, Kleviol Ahmetaj, i cili ka një rol dytësor, pasi është vetëm paketues i lëndës narkotike. Sipas dëshmive, piloti italian ka pranuar të bënte transportin e lëndës narkotike në rrugë ajrore nga Shqipëria drejt Italisë kundrejt çmimit prej 400 eurosh për 1 kg drogë. Krahas Demçes, policia thotë se ish-agjenti i policisë, Mariglen Ymeraj, që është edhe baxhanaku i Sajmir Bajramit, kanë arritur të gjejnë lëndën narkotike, ndërsa organizatori kishte marrë kontakte me pilotin italian.

Dëshmitë në prokurori

Dy të arrestuarit që tentuan të trafikonin lëndë narkotike nga ajri nga Shqipëria në Itali, kanë dhënë dëshmi të ndryshme. 40-vjeçari Sajmir Bajrami ka thënë se ai ka ideuar, me ndihmën e disa të njohurve, këtë trafik, ndërsa për 48 orë, organizoi edhe trafikun, duke gjetur fillimisht vendin e uljes së avionit, më pas siguroi lëndën narkotike. Madje, shpjegoi se e kishte takuar pilotin italian në një lokal dhe hotel në Tiranë, takime të cilat janë filmuar nga kamerat e sigurisë dhe filmimet ndodhen në duart e hetuesve. Këto prova, pra dëshmia e Bajramit dhe filmimet, janë prova të akuzës që janë dërguar në gjykatë nga prokurorja Doloresa Musabelliu.

Ndërkohë, piloti italian, Giorgio Riformato, ka mohuar akuzat, duke u shprehur se kishte ardhur për biznes në Shqipëri dhe për turizëm. “Giorgio Riformato ka mohuar akuzat, duke deklaruar se në Shqipëri kishte ardhur për biznes. Zbritja e avionit ishte për defekt teknik”, kanë pretenduar avokatët e tij. Por, akuza thotë se ka prova të pakundërshtueshme për implikimin e tij, si pasojë edhe të disa pamjeve filmike, ku duket qartë se Bajrami dhe Riformato kanë qenë bashkë në një lokal dhe hotel.

“Piper”

Ulja dhe avaria në rërën e plazhit

Bajrami dhe Riformato janë nisur drejt Divjakës, në datën 9 maj, ku pas këqyrjes së bregdetit, piloti ka vendosur të bëjë uljen dhe të marrë në dorëzim mallin në Divjakë. Ai e ka pritur Riformaton në datën 8 maj në Rinas. Gjatë udhëtimit të kthimit për në Itali, Riformato ka kërkuar edhe 30 minuta leje për të shëtitur vijën bregdetare të vendit tonë. Ka qenë pikërisht kjo periudha ku ai ka fikur motorët dhe ka humbur lidhjen me pikën e kontrolli të Rinasit. Por piloti nuk ka mundur të bëjë një ulje të suksesshme në rërë dhe ka dëmtuar rrotën e avionit, duke bërë që ai të mos ketë mundësi ngritjeje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button