Ekonomia

Tatimorët nuk kanë zbatuar vendimin GJK për gjobat, Shehaj urdhëron anulimin e tyre

Pavarësisht pezullimit nga ana e Gjykatës Kushtetues, Drejtoritë Rajonale Tatimore kanë vendosur gjoba për mospagimin në afat të kësteve të tatimit mbi fitimin bazuar në dizpozitat të pezulluara.

Konstatimi është bërë nga vetë Drejtoresha e Përgjithshme  e Tatimeve,  Briseida Shehaj e cila ka kërkuar nga drejtoritë rajonale dhe inspektorët tatimore të zërojnë këto gjoba në mënyrë manuale.

Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar kërkesën e Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe të Tregut” për shfuqizimin e disa neneve të ligjit  nr.99/2015 të procedurave tatimore, kërkesë në të cilën Gjykata është shprehur  me vendim të nr 33 datë 8 qershor 2016 botuar edhe në Fletoren Zyrtare.

Paraprakisht me datën 23 dhjetor 2015 në kuadër të shqyrtimit të kësaj çështje, Gjykata Kushtetuese kishte vendosur edhe marrjen e masës së sigurisë, duke urdhëruar pezullimin  e zbatimit të dispozitave ligjore të kundërshtuara.

” Sqarojmë se nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve kjo marrëveshje është komunikuar elektronikisht të gjitha Drejtorive Rajonale Tatimore”, sqaron Shehaj ne shkresën drejtuar drejtorive rajonale .

Bazuar në këtë arsyetim Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve Briseida Shehaj u ka kërkuar Drejtorive Rajonale që për të mos sjellë shqetësime për tatimpaguesit që kanë lidhur marrëveshje të pagesës më këste të detyrimeve tatimore, nga ana e inspektorëve që administrojnë këto marrëveshje të llogariten manualisht këto gjoba të vendosura nga sistemi në të gjithë periudhën që mbulon marrëveshja dhe të anulohen nëpërmjet akteve të anulimit të gjobave, përmes modulit të planit të mbledhjes së borxhit.

Ajo sqaron se sistemi C@TS lejon dhe nuk sjell asnjë pengesë në këtë drejtim. Kjo mënyrë do të përdoret edhe në periudhat në vijim.

“Drejtoritë rajonale tatimore të marrin masa për të anuluar të gjitha gjobat e vendosura për mospagim në afat të kësteve të tatimit mbi fitimin bazuar në nenin 114/1 të ligjit 9920 të procedurave tatimore për periudhën 23 dhjetor 2015 deri më 16 qershor 2016, periudhë përgjatë së cilës dispozita referuese ka qenë e pezulluar sipas vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese.

Për sa më sipër Drejtuesit e Drejtorive Rajonale Tatimore dhe drejtoritë në DPT të marrin masa për shpërndarjen dhe njohjen e punonjësve të administratës tatimore me përmbajtjen e shkresës si për kontrollin e vazhdueshëm të saj për të mos sjellë shqetësim të asnjë tatimpagues” thuhet në shkresën e Shehajt dërguar Drejtorive Rajonale të tatimeve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button