Haradinaj flet për rusin e arrestuar-nuk e ndërlidh me agjendat ruse për destabilizim
Pas mbledhjes së sotme të Qeverisë, Kryeministri Ramush Haradinaj ka folur për aksionin e Policisë së Kosovës në disa lokacione të ndryshme ku janë arrestuar disa persona të përfshirë në korrupsion dhe krim. Haradinaj tha se ky aksion është i drejtuar kundër individëve që janë të përfshirë në kontrabandë, korrupsion e vepra tjera të jashtëligjshme.
Haradinaj shtoi se Prokurori ka dhënë urdhër për arrestimin e këtyre personave, në bazë të provave dhe bastisjes së disa lokacioneve.
“Policia e ka kry obligimin ligjor, në disa zona ka qenë aksion i qetë, në Zubin Potok ka pasur tentativa me armë zjarri me e pengu këtë operacion, por Policia e Kosovës është e aftë me e kry detyrën e vet. Shumica e dëshmitarëve dhe provave janë dhënë nga qytetarët serbë. Duhet të kuptohet se është rend dhe ligj dhe nuk ka logjikë me e pengu dikush”, tha Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se Kosova dhe Serbia po tentojnë të hyjnë në Bashkimin Europian, por kjo nuk mund të bëhet pa e luftuar krimin e organizuar.
Ndërkaq në aksionin e policisë është arrestuar edhe një shtetas rus i cili është munduar ta pengojë punën e Policisë së Kosovës, e për këtë Haradinaj tha se Ligji do të zbatohet ndaj çdo kujt që tenton ta rrezikojë sigurinë e vendit.
“Ne e respektojmë imunitetin e përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare, Kosova i respekton të drejtat e tyre, nëse njëri nga këta përfaqësues e rrezikon sigurinë e ligjit ne e respektoj zbatojmë ligjin në baze të konventave ndërkombëtare. Nuk dua ta lidh këtë rast me agjendën e Rusisë, dihet qe është agjendë e destabilizimit, ne punojmë me aleatët tanë kundër këtyre agjendave. S’ka vend që nuk zbatohet ligji në Kosovë, ka pengesa mirëpo është e pamundur sepse krimi nuk ka me fitu”, tha Haradinaj.
Haradinaj foli edhe për idenë e Presidentit Hashim Thaçi, për bashkim kombëtar të Kosovës me Shqipërinë.
“Për çështjen e bashkimit kombëtar mund të them se është projekt i shekujve por në etapën që ndodhemi mendoj se është e rëndësishme që Kosova dhe Shqipëria ta thellojnë bashkëpunimin e gjithanshme, t’i heqim pengesat burokratike, administrative e të tjera ose ta heqim taksën e rrugës që e kanë nxjerrë për qytetarët e Kosovës”, tha Haradinaj.
Ai shtoi se vetëm përmes veprime konkrete fuqizohen lidhjet Kosovë-Shqipëri.
“Ishte kon mirë me vepru kështu ma konkret dhe me ndihmu lidhjen më të fuqishme ekonomike e gjithanshme Kosovë-Shqipëri”, tha Haradinaj.