Politika

Bushati takon Kotzias në Bruksel: Greqia do ta mbështesë Shqipërinë në çeljen e negociatave

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i pranishëm në Bruksel në takimin me përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së, shprehu besim se Greqia do ta mbështesë Shqipërinë në dhjetor në procesin e çeljes së negociatave për anëtarësim.

“Kam pasur një diskutim të gjatë sot me kolegun Kotzias dhe nuk besoj se është në interesin e Greqisë apo të Shqipërisë që të ketë një ngërç në procesin e integrimit europian. Gjithmonë kam besuar se duke i thënë gjërat troç njëri-tjetrit dhe duke i ballafaquar pikëpamjet, qofshin këto dhe të ndryshme, do ta përmirësojmë në një plan afatmesëm marrëdhënien shqiptaro-greke”, u shpreh Bushati nga Brukseli.

Besoj, vijoi ai, se Greqia do ta mbështesë Shqipërinë se është në interesin strategjik edhe të Greqisë për ta mbështetur. Sikurse kam shpresë që procesi i reformave, ku është përfshirë qeveria, duke u mbështetur dhe nga vendet anëtare, përfshi edhe Greqinë, do të na japë mundësinë që në dhjetor të hedhim një hap tjetër në procesin e vështirë të anëtarësimit në BE.
Në takimin me ministrin grek Kotzias, Bushati tha se u rakordua nevoja për ta rienergjizuar marrëdhënien me Greqinë”, për të ecur përpara me projekte konkrete, si dhe çështjeve që mund t’i japim zgjidhje.

Menuja e çështjeve mes dy vendeve dihet, nënvizoi ai, por duhet të themi se jemi në njëjtën gjatësi vale, pasi ka dhe çështje që kanë një interes të prekshëm për qytetarët e të dy vendeve, dhe nuk duhet t t’i fokusojmë të gjitha energjitë në çështjet e mbartuara nga e kaluara.
Sa i takon takimeve me përfaqësues të vendeve anëtare, të rajonit por dhe më gjerë Bushati tha se ato u fokusuan tek perspektiva europiane e Shqipërisë, pas rekomandimit të KE-së për fillimin bisedimeve për anëtarësim, me mirëkuptimin se Shqipëria do të zbatojë ligjin e Vettingut.
Takimet ishin me përfaqësues të rajonit, me të cilët na lidhin disa procese, si Bullgaria, Kroacia, Greqia, Rumania, Italia, apo edhe me vende të tjera, si Mbretëria e Bashkuar, me të cilën jemi një një front për të luftuar terrorizmin dhe krimin e organizuar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button