Ekonomia

Zgjerimi infrastrukturës së pagesave, rrit sigurinë dhe ul koston e shërbimeve

Komiteti Kombëtar i Sistemit të Pagesave, zhvilloi këtë fund javë, mbledhjen e parë të saj në ambientet e Bankës së Shqipërisë, nën drejtimin e zëvendësguvernatores së Parë të BSH-së Elisabeta Gjoni, e cila është njëkohësisht dhe Kryetare e këtij Komiteti. Në mbledhjen ishin të pranishëm edhe të gjithë anëtarët e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave.

Në fjalën e hapjes, Zëvendësguvernatorja Gjoni theksoi rolin që pritet të luajë Komiteti Kombëtar i Sistemit të Pagesave si katalizator dhe koordinator për zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës financiare. “Bota e sotme e teknologjisë parashtron nevojën për gjetjen e ideve dhe mjeteve të reja në fushën e pagesave, por autoritetet rregullatore, në bashkëpunim të ngushtë dhe me aktorët e tregut, duhet të jenë edhe një hap më përpara përsa i përket garantimit të sigurisë dhe efikasitetit së tyre”-tha Gjoni.

Në këtë kuadër, vijoi ajo, Banka e Shqipërisë, në rolin e saj për nxitjen e një sistemi efikas pagesash, ka krijuar infrastrukturën e nevojshme, e cila ofron mundësinë të kryhen një numër i madh transaksionesh nga një sërë aktorësh të tregut financiar.

Megjithatë reformimi dhe zhvillimi i mëtejshëm i sistemeve të pagesave vlerësohen si mjaft të rëndësishëm nga Banka e Shqipërisë, jo vetëm për reduktimin e kostove sociale të qytetarëve, por edhe si një objektiv kryesor që ndihmon në përmirësimin e transmetimit të politikës monetare dhe ruajtjes së stabilitetit financiar të vendit.

Në diskutimin e saj, Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito përshëndeti këtë nismë, si një platformë institucionale e nevojshme për të bashkërenduar përpjekjet dhe për të rritur bashkëpunimin në këtë fushë me kaq interes për vendin tonë, e cila gëzon edhe mbështetjen e qeverisë shqiptare si një mjet i nevojshëm për modernizimin e mëtejshëm të shtetit.

Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave diskutoi mbi mundësinë e zgjerimit të infrastrukturës së pagesave, në drejtin të rritjes së sigurisë dhe uljes së kostove të shërbimeve të pagesave.

Nga ana e saj, Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, zj Elona Gjebrea shprehu angazhimin për të bashkërenduar veprimet për rritjen e sigurisë dhe efikasitetit të sistemit të pagesave, me synim nxitjen e përdorimit dhe pranimit të instrumenteve të pagesave, të reduktimit të përdorimit të parasë cash në ekonomi, si dhe ruajtjen e stabilitetit të tregjeve financiare.

Në përfundim, u diskutua edhe strategjia e zhvillimit të sistemit të pagesave, e cila synon modernizimin, përmirësimin dhe plotësimin e sistemeve dhe instrumenteve të pagesave me qëllim rritjen e sigurisë dhe efikasitetit të tyre në kuadër të reduktimit të parasë fizike në ekonomi dhe njëkohësisht integrimin në Zonën e Njësuar të Pagesave në Euro (Single Euro Payments Area – SEPA).

Qëllimi i Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave ka në mision të saj, të mbështesë dhe të kontribuojë në rritjen e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe efikasitetit të sistemit kombëtar të pagesave në Shqipëri. Komiteti do të shërbejë si një forum, i cili do të lehtësojë diskutimin e çështjeve në lidhje me sistemet dhe instrumentet e pagesave, me synim hartimin e rekomandimeve të nevojshme për të mbështetur procesin vendimmarrës të institucioneve të përfshira. Përtej rolit këshillues, Komiteti do të synojë të lehtësojë procesin e implementimit të masave të marra nga autoritetet përkatëse nëpërmjet nxitjes së bashkëveprimit.

Komiteti Kombëtar i Sistemit të Pagesave përbëhet nga dhjetë anëtarë, të cilët janë përfaqësues të lartë nga institucione si: Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave, Ministri për Inovacionin dhe Administratës Publike, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Ministria e Punëve të Brendshme, si dhe Shoqata Shqiptare e Bankave. Në mbledhje ishte i pranishëm dhe Massimo Cirasino, Administrator në Praktikë i Infrastrukturës së Tregjeve Financiare dhe Linjave të Shërbimeve të Remitancave pranë Bankës Botërore, si ekspert i mirënjohur në fushën e zhvillimit të sistemeve të pagesave dhe konsolidimit të bashkëpunimit ndërinstitucional.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button