Kronika

Në gjykim 4 persona të përfshirë në masakrën e Mamurrasit

Prokuroria e Kurbinit dërgoi për gjykim 4 persona të akuzuar për “vrasje në rrethana cilësuese”, në përfundim të hetimeve, nga ku rezultoi se të pandehurit kanë zhvilluar një konflikt të ashpër të armatosur me njëri-tjetrin, në qendër të Mamurrasit, pranë stacionit të trenit, ku mbeti i vdekur një person i përfshirë në përleshje dhe u plagosën dy kalimtarë të rastit.

Ngjarja ka ndodhur në datën 23.09.2015, ku kushërinjtë Gazmir, Taulant dhe Naim Tafa janë përplasur me armë me vëllezërit Elton dhe Tom Mamli. Nga konflikti i armatosur ka mbetur i vdekur Naim Tafa, ndërkohë që kanë mbetur të plagosur rastësisht shtetasit Idriz Tafa dhe Altin Çoku, të cilët gjendeshin bashkë me shumë persona të tjerë në zonën e stacionit të trenit.

Sipas prokurorisë, konflikti ndërmjet familjeve Tafa dhe Mamli ka filluar kohë më parë në Suedi, ku janë përplasur fizikisht për motive të dobëta kushëriri i të pandehurve Tafa, Edmond Tafa me vëllezërit Mamli. Ky konflikt ka vijuar edhe në Shqipëri. Rreth një muaj para ngjarjes, i dëmtuari në Suedi, Edmond Tafa dhe i pandehuri Gazmir Tafa kanë rrahur në Mamurras Elton Mamlin. Pas kësaj ngjarjeje, vëllezërit Mamli kanë debatuar edhe me kushëririn e tyre, Dorjan Mamli, për faktin se ky i fundit shoqërohej me Tafajt, të cilët ishin “kundërshtarët e tyre”. Por, pavarësisht presionit, Dorjan Mamli nuk ka pranuar të shkëpusë marrëdhëniet me Tafat dhe për këtë arsye, ditën e ngjarjes, më 23 Shtator 2015, vëllezërit Elton dhe Tom Mamli kanë rrahur kushëririn e tyre, Dorjan Mamlin. Pas këtij episodi, vëllezërit Mamli janë larguar me mjetin e tyre Range Rover. Ndërsa Dorjan Mamli është takuar me kushërinjtë Tafa, të cilëve u ka treguar për ngjarjen. Këta të fundit (Tafat) kanë dalë me mjetin e tyre, tip “Benz”, në kërkim të vëllezërve Mamli.

Të dy palët janë përballur me njëri-tjetrin pranë stacionit të trenit dhe fillimisht kanë përplasur mjetet e tyre në mënyrë të drejtëpërdrejtë. Pas përplasjes, të dy palët, të armatosur, kanë dalë nga mjetet dhe kanë qëlluar kundër njëri-tjetrit. Konflikti i armatosur ka ndodhur në një moment kur ambienti përreth ka qenë i populluar me shumë njerëz. Nga goditjet me armë, ka mbetur i vdekur në vend shtetasi Naim Tafa, i cili gjendej nën shoqërinë e kushërinjve Tafa. Nga ekspertiza, rezulton se ai është vrarë nga arma e përdorur nga Tom Mamli. Po ashtu, nga goditjet me armë, kanë mbetur të plagosur edhe shtetasit Idriz Tafa dhe Altin Çoku, të cilët gjendeshin rastësisht në vendin e ngjarjes.

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Kurbinit ka ngritur akuzat për të pandehurit, si më poshtë:
– Të pandehurit Gazmir dhe Taulant Tafa (kushërinj me njëri-tjetrin) akuzohen për “Vrasje në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake
– Të pandehurit Elton dhe Tom Mamli (vëllezër me njëri-tjetrin) akuzohen për “Vrasje në rrethana cilësuese”, dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake
– I pandehuri Dorjan Mamli akuzohet për “Moskallëzim krimi”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button