Ekonomia

Qeveria miraton çmimet për truallin ku është ndërtuar para ‘91

Qeveria ka publikuar çmimet të cilat do të paguajnë të gjithë ata qytetarë që kanë ndërtuar pa leje deri në gusht të vitit 1991 dhe që do të kërkojnë të pajisen me certifikatën e pronësisë së shtëpinë dhe tokën mbi të cilën kanë ndërtuar. Për sipërfaqe deri në 100 m2, pagesa do të jetë 200 mijë lekë, ndërsa për sipërfaqe nga 101 m2 deri në 200 m2, ata do të duhet të paguajnë 300 mijë lekë.

Në tabelën e çmimeve referuese të publikuar dje në Fletoren Zyrtare përcaktohet se qytetarët të cilët kërkojnë tapinë për sipërfaqe nga 201 m2 deri në 300 m2, duhet të paguajnë 400 mijë lekë, për sipërfaqe nga 301 m2 deri në 400 m2 pagesa është 500 mijë lekë dhe për sipërfaqe nga 401 m2 deri në 500 m2, pagesa  600 mijë lekë. Përfshirja e pagesës së tokës për këtë kategori është parashikuar në shtesën që i bëhet pikës 8 të vendimin nr.608, datë 5.9.2012, të këshillit të ministrave, “për përcaktimin e procedurës së kalimit të pronësisë të pasurive të paluajtshme, të ndërtuara deri më 10.8.1991, e të truallit funksional të tyre, kur nuk posedohen akte fitimi pronësie, si dhe për regjistrimin e tyre”, të ndryshuar”.

Marrja e tapisë

Për kalimin e pronësisë të pasurive të paluajtshme, të cilat janë ndërtuar para vitit 1991, qeveria ka vendosur që të bëhet verifikimi në terren i të gjitha pronave, përpara se të bëhet kalimi i pronësisë. Sipas vendimit kalimi i pronësisë do të bëhet brenda 30 ditëve pas dorëzimit të kërkesës, ndërkohë që me të njëjtën formë do procedohet edhe për kërkesat që tashmë janë dorëzuar nga qytetarët. Verifikimi i kushteve bëhet nëpërmjet inspektimit në terren nga punonjësit e tij, si dhe nga marrja e informacionit zyrtar nga institucionet shtetërore.

Në çdo rast, institucioni i autorizuar kërkon detyrimisht informacion zyrtar pranë zyrës përkatëse vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, Agjencisë së Trajtimit të Pronave, ALUIZNI-t, Zyrës së Gjendjes Civile dhe/apo çdo organi tjetër shtetëror që administron të dhëna apo informacion për pasurinë e paluajtshme objekt shqyrtimi, dhe për vërtetimin e gjendjes familjare të poseduesit të pasurisë së paluajtshme përpara datës 10.8.1991.

Çdo institucion shtetëror është i detyruar të kthejë përgjigje, me shkrim, brenda 10 ditëve nga data e marrjes së kërkesës. Në rast të moskthimit të përgjigjes brenda këtij afati, drejtuesi i institucionit të autorizuar njofton, me shkrim, ministrin e Drejtësisë dhe kabinetin e Kryeministrit. Institucioni i autorizuar, brenda 30 ditëve nga miratimi i këshillit të qarkut, bën kalimin e pronësisë së pasurive së paluajtshme e të truallit funksional të tyre, në emër të personave, sipas përbërjes familjare që figuron në certifikatën familjare deri më 10.8.1991, dhe e dërgon vendimin për regjistrim në ZVRPP-në kërkuese, duke vënë në dijeni dhe personat përfitues.

Kur kërkesa është iniciuar me kërkesë të individit, institucioni i autorizuar, brenda 7 ditëve nga miratimi i këshillit të qarkut, njofton zyrtarisht kërkuesin për vlerësimin pozitiv të kërkesës, si dhe për detyrimin për të paguar brenda 30 ditëve, për llogari të Agjencisë së Trajtimit të Pronës, për fondin e kompensimit financiar, çmimin e truallit, duke i treguar edhe numrin e llogarisë.

Në njoftim jepen të dhëna për kufijtë, sipërfaqen në m2 dhe vendndodhjen e pasurisë objekt kalimi në pronësi, të shoqëruar me genplanin dhe planimetrinë përkatëse. Kërkuesi, me marrjen e njoftimit, paguan në numrin e llogarisë së caktuar , për llogari të fondit të kompensimit të pronave, kundërvlerën në lekë për sipërfaqen e truallit që do të kalojë në pronësi të tij. Vlera në lekë paguhet nga kërkuesi për kalimin në pronësi të truallit. Me paraqitjen e dokumentit bankar që vërteton kryerjen e pagesës së kalimit në pronësi të truallit, institucioni i autorizuar, brenda 20 ditëve nga administrimi i tij, nënshkruan aktin përfundimtar të kalimit të pronësisë së pasurive së paluajtshme e të truallit funksional të tyre në emër të personave, sipas përbërjes familjare që figuron në certifikatën familjare deri më 10.8.1991.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button